top of page

Labinot Kunushevci: Idiotët më bindën se duhet të vazhdoj!

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 3 days ago
  • 10 min read

Updated: 1 day ago


Shkruan: Labinot Kunushevci


Për herë të parë kam filluar të punoj në moshën 17-vjeçare në një librari në kryeqytet, në vitin 2009, kur gjatë shkollës së mesme u bëra librashitës, me 4 orë punë në ditë dhe me një pagë prej 50 eurosh. Pas disa muajsh, pagës sime iu shtuan 20 euro dhe ajo u ngrit në 70 euro. Ishte diçka shumë motivuese. Aty i mësova disa aftësi të komunikimit, të shitjes, të qasjes me publikun, për produktin, për promovimin, mësova nga gabimet, krijova një rrjet të ri shoqëror. Përvoja me një strukturë njerëzish që lexojnë ishte libër në vete. Kam bërë edhe punë të tjera përgjatë shkollimit dhe studimeve të mia, me të vetmin qëllim: të bëhesha i pavarur.


     Në moshën 18-vjeçare, vitin e katërt të shkollës së mesme e mora me korrespodencë, sepse më duhej të punoja në një gjellëtore në të njëjtën kohë si kamerier, skarist dhe shpërndarës, 10 orë në ditë, 26 ditë në muaj, për 150 euro në muaj. Pastaj kam punuar si transmetues teknik i emisioneve në një televizion. Derisa u pranova në universitet në vitin 2012, e provova edhe punën e enëlarësit në një “Fast Food”. Kisha kaluar 8 muaj praktikë profesionale në një zanat në periudhën 2007-2008, por pa sukses në përvetësimin e tij. Pas shkollimit të mesëm, pauzova për një vit, u regjistrova në një bibliotekë dhe u përgatita për të aplikuar në Fakultetin e Sociologjisë, pasi Letërsia shqipe më kishte refuzuar për student në vitin 2011. Isha nxënësi më i dalluar në shkollë të mesme. Njëjtë ndodhi edhe gjatë studimeve.


     Gjatë studimeve themelore, ndonëse fokusohesha maksimalisht në sociologji, diçka për të cilën e dëshmuan edhe profesorët dhe kolegët e asaj kohe, unë merresha me shitje të librave në mënyrë private. Në bashkëpunim me një shtëpi botuese, i mora mbi 10 000 euro libra në shtëpinë time për t’i menaxhuar në shitje, krahas studimeve (bëja marketing të librave, bëja shpërndarje nëpër librari, shisja individualisht, shisja përmes postës në Evropë dhe raportoja për çdo qarkullim, me një përqindje të vogël fitimi). Nuk e kisha lehtë, pasi mbeta pa baba në moshën 14-vjeçare. Gjithçka duhej ta arrija me potencialet e mia.


     Në mesin e studimeve master, në vitin 2016, udhëtova në Gjermani dhe punova për 3 muaj verorë punë fizike, për t'i fituar në total 3,000 euro, ku gati 1/3 më shkuan për pagesën e kontratës/vizës së punës sezonale. Në Shtutgart pastroja zyre (punësim formal), ndërsa në rajonet përreth punoja në kositjen e barit (punësim joformal). Gjatë ditës punoja në dy firma, ndërsa në mbrëmje punoja me laptopin tim duke zhvilluar intervista me shkencëtarët më të njohur të sociologjisë në botë (përgatitja librin tim të parë me intervista, që u botua në vitin 2017). Për aq sa punoja ditën në firma, këmbët i kisha atje, por mendjen në studime.


     Pasi u ktheva në Kosovë, vazhdova me vitin e dytë master dhe u punësova si gazetar në një portal informativ, ku punova për 1 vit e gjysmë, për 250 euro. Ndërsa studioja, temën time të diplomës master e shndërrova në libër dygjuhësh. Fitova një çmim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës për “Shkrimin më të mirë për promovimin e Kosovës”, për vitin 2017. Intervistat e mia kishin bërë jehonë pasi u përkthyen në 17 gjuhë të botës. Zoti më kishte dhënë një shkathtësi dhe mjeshtri të mprehtë në strukturimin dhe realizimin e intervistave. Mora vlerësime nga qarqet më të larta akademike të sociologjisë botërore, që gjenden të botuara në libër. Sot, në eseistikë, mund ta sfidoj secilin profesor të komisionit, të cilët nuk më kanë pranuar për student të letërsisë në vitin 2011.


     Në studimet master, kam qenë koordinator në projekt-ekspozitën “Prishtina në 77 pamje”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Sot i disponoj rreth 1,400 fotografi të vjetra të kryeqytetit. Kam punuar edhe si anketues terreni në një kompani hulumtimi, si ligjërues në trajnime dhe projekte të organizatave të ndryshme lidhur me integrimin, kulturën dhe orientimin në karrierë. Një kohë kam shkruar artikuj dhe kam realizuar intervista, me pagesë, për disa revista dhe portale. Ndërsa kërkesat nga Ministria e Arsimit për autor dhe recensent të teksteve shkollore gjithmonë i kam refuzuar. Janë thjesht “pazare” në kurriz të cilësisë.


     Por kam bërë edhe shumë punë vullnetare, ndër to, në periudhën 2016-2018, kam qenë intervistuesi i vetëm shqiptar në revistën prestigjioze “Global Dialogue”, të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, ku kam intervistuar shkencëtarë të njohur, intervista këto që u përkthyen dhe u botuan në 17 gjuhë botërore.


     Universiteti i Prishtinës u tregua i padrejtë ndaj meje kur më diskriminoi në konkursin për asistent në vitin 2017. Shkeljet etike dhe profesionale i denoncova publikisht dhe, përveç betejës morale, arrita ta fitoj edhe betejën juridike, pasi i rrëzova dy vendime: një të Fakultetit Filozofik dhe një të Inspektoratit të Punës, në procesin tim të ankimit në shkallët e inspektoratit dhe të gjykatës, për shkelje administrative. As kjo sfidë nuk më dorëzoi. Përkundrazi, më forcoi shumë. Iu mbështeta Zotit dhe Ai më hapi një rrugë tjetër më të mirë. Sot, puna me talente të shkollave dhe të universiteteve, përkrahjen e tyre shkencore dhe financiare që ua bëjmë, më përmbushë profesionalisht.


     Në periudhën 2018-2025, për shtatë vjet punova në shtatë shkolla të ndryshme si mësimdhënës, me angazhime të përkohshme, dhe Komuna e Prishtinës asnjëherë nuk më sistemoi në angazhim të rregullt. Punësoi lloj-lloj analfabeti funksional, në pozitat ku unë aplikoja. Jam refuzuar edhe nga shumë institucione tjera publike dhe private në konkurset dhe interesimet e mia për punë. I zhgënjyer me të dy sistemet e arsimit, publik dhe privat. Prapë nuk u dorëzova. Pyetni gjeneratat, nxënësit elitarë, me të cilat kam punuar në arsim që nga viti 2018, ju tregojnë për mua.


     Ndërsa gjatë muajit prill 2025 isha Deputy Chief Guide – zëvendësudhëheqës i Guidave, në Olimpiadën Evropiane të Matematikës për Vajza - EGMO 2025.  Kosova u bë nikoqire e olimpiadës. Isha shumë i nderuar që të isha pjesë e kësaj olimpiade. Kjo ishte ngjarja më e madhe globale shkencore e ndodhur në Kosovë, ku morën pjesë 219 vajzat më të talentuara të botës në matematikë, nga 55 shtete të botës, në periudhën 11-17 prill 2025.


     “Njeriu është produkt i kulturës, jo i racës”, prandaj ishte kënaqësi të punoja dhe t’u shërbeja adoleshenteve të talentuara, pavarësisht identitetit apo prejardhjes. Ato janë kokat më gjeniale të matematikës në botë dhe Kosova për herë të parë u ofroi mundësi që t’i matnin aftësitë e tyre në një garë të fuqishme, të drejtë dhe tejet cilësore.


     Kosova tregoi se ka kapacitete për të organizuar dhe udhëhequr një olimpiadë ndërkombëtare me kaq peshë dhe prestigj. Kemi arritur t’i thyejmë të gjitha paragjykimet dhe skepticizmat që shumë vende kanë pasur për Kosovën. Mikpritja, organizimi fantastik, glamuroz dhe korrekt, respektimi rigoroz i rregullave të olimpiadës, ndarja e roleve dhe e punës, trajtimi i barabartë, niveli i lartë profesional, transporti nga aeroporti apo stacioni i autobusëve dhe akomodimi i rreth 500 pjesëmarrësve nëpër hotele të vogla (garuese, liderë, zëvendësliderë, koordinatorë etj.) dhe ndërlidhja e tyre në një projekt të tillë, komunikimi i shpejtë dhe efikas, zgjidhja e problemeve, ekskursionet, njohja me kulturën shqiptare dhe me trashëgiminë e Kosovës, ishin karakteristika të olimpiadës dhe zotësi e një ekipi profesional që e organizoi dhe e udhëhoqi këtë ngjarje, e cila ndoshta nuk do të përsëritet më në Kosovë.


     Nga vlerësimi që kemi marrë, shumica e garueseve dhe e përfaqësuesve të këtyre vendeve janë ndarë të befasuar dhe të kënaqur me gjithë atë që kanë përjetuar. Ata sot po na falënderojnë pa masë që u lamë përshtypje shumë pozitive, që u treguam se kemi zemër të madhe, që u treguam se kemi aftësi për t’i orientuar potencialet e tyre në një terren ku maten forcat matematikore. Dhe kjo ndodhi në Prishtinë, në një vend që pak njerëz e kanë imagjinuar apo besuar se mund të ndodhë. Ishte fantastike të shihje në një vend talente që përfaqësojnë mbi 50 kombe të botës, që flasin gjuhë të ndryshme dhe vijnë nga kultura të ndryshme, pa as më të voglin incident.


     Këtë e dëshmoi Shoqata e Matematikanëve të Kosovës dhe Instituti për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (OJQ STEM), udhëheqësit e të cilëve i falënderoj, olimpiadë kjo e mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe nga kompani e sponsorë prestigjiozë vendorë e ndërkombëtarë. Gjithsesi edhe bashkëpunimi me partnerët e tyre ishte thelbësor. Secili ishte në krye të detyrës.


     Ndonëse unë jam sociolog dhe jo matematikan, megjithatë shpejt u përshtata me natyrën e një projekti gjigant nga fusha e matematikës, sigurisht për shkak të tipareve të mia modeste në udhëheqje dhe komunikim, mu besua një përgjegjësi e madhe që të bashkëpunoj dhe t’u ndihmoj mbi 50 vullnetarëve, gjimnazistë e studentë kosovarë, në rolin e tyre “guide” që kishin. Kemi pasur ditë që kemi punuar 23 orë, me vetëm 1 orë gjumë dhe kjo “orë pushimi” u bë në vendin e punës. Por këtë 1 orë gjumë do ta mbaj mend gjatë. Ne “pushonim” duke e aktivizuar pasionin dhe adrenalinën në maksimum, sepse ashtu balancohej lodhja. Sepse bota i kishte sytë në shpejtësinë dhe efikasitetin tonë. Qindra punë kryheshin brenda ditës. Këto projekte nuk kanë sukses nëse vetëm 1% improvizohet. Nuk kanë sukses nëse ekipi i projektit e plotëson “normën e gjumit”. Ne punuam me kritere ndërkombëtare. Shumë ekipe shtetesh që kishin traditë olimpiadash, na thanë se në Kosovë kishin kaluar më mirë se në shtetet e tjera që kishin organizuar EGMO-n më herët. Kjo nuk arrihet lehtë. Kjo nuk blihet me para, as nuk vidhet, as nuk kopjohet. Është vetëm rezultat i punës serioze 24/7. Sepse Zoti e shpërblen disiplinën.


     Ne treguam se vullnetarizmi nuk është vetëm retorikë. Angazhuam rreth 60 vullnetarë, të cilët me plot pasion, disiplinë e kreativitet u shërbyen ekipeve e shteteve të tyre. Kemi pasur shumë stres, presion e dinamikë, si kosheret e bletëve, me pak telashe të menaxhuara, por këta vullnetarë, të cilët i falënderoj thellësisht, ndonëse shumicën e njihja, sepse jam mësimdhënës i tyre, më lanë një përshtypje aq të mirë për të mos përtuar kurrë të bashkëpunoj me ta në projekte të ardhshme. U kam besuar edhe pa filluar, që në takimet e para përgatitore, kur mbaja një lloj trajnimi mbi mënyrën se si mund të sillemi, komunikojmë apo reagojmë me ekipet pjesëmarrëse, e lexova seriozitetin e tyre. Sepse nektari që u prodhua ishte meritë edhe e tyre. Guidat tona përkujdeseshin për çdo detaj duke siguruar mirëqenien e secilës garuese, duke u ofruar asistencë të plotë. E gjithsesi mua më ndihmoi edhe ekipi me të cilin bashkëpunova në raport me guidat. Thjesht, mirënjohës të gjithëve.


     Në EGMO 2025 u dhanë 27 medalje ari, 38 medalje argjendi, 53 medalje bronzi dhe 52 medalje nderi. Edhe Kosova ishte pjesë e kësaj gare dhe arriti të fitonte medalje nderi.


     Sa keq që lajmi mbi këtë olimpiadë nuk e mori jehonën e duhur në media. Sepse mediat klienteliste nuk ua dinë vlerën një ngjarjeje kulturore globale. Por mos harroni, për një javë ne ishim nikoqir të 55 shteteve nga të gjitha kontinentet. Kemi shumëçka për të treguar për këtë ngjarje. Dhe ata pjesëmarrës nuk ishin turistë, por ishin shkencëtarë, ishin talentet e botës. Dhe ende ka media që nuk e kanë të paktën një lajm për olimpiadën EGMO 2025.


     Dhe a e dini pse besoj se Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë, do të prodhojnë më shumë jehonë publike? Sepse ato janë sport dhe sentimenti i sportit është shumëfish më shpërthyes në shoqërinë tonë. Ndërsa EGMO është shkencë dhe sentimenti shkencor është i ulët në shoqëritë me shkallë të lartë të analfabetizmit funksional.


     Sot jam koordinator i njërës ndër organizatat më elitare në rajon. Jam një nga themeluesit dhe koordinator profesional në fondacionin VILDANA, i themeluar nga mërgata shqiptare, me seli në Zvicër, për t’i mbështetur me bursa studentët e talentuar shqiptarë.


     Së fundi, kam themeluar një media online me emrin “Epiqendra”, që synon të jetë media elitare në fushën e kulturës, shkencës dhe edukimit. Falënderoj të gjithë ata pronarë, redaktorë e gazetarë mediash me të cilët kam bashkëpunuar në 15 vitet e fundit, por tani erdhi koha që edhe unë të kem mediumin tim, me politikat e mia editoriale, të pavarura nga pushteti dhe nga çdo lloj burimi apo autoriteti që do të më shantazhonte, diktonte apo censuronte. “Epiqendra” është një medium që vë të vërtetën në epiqendër, me rregulla dhe standarde etike e profesionale, larg logjikës që ndjekë sensacionin dhe viralitetin me idiotësi politike e kulturore, në të cilin unë do të punoj pa barriera dhe kufizime të cilat i kam hasur në 15 vitet e fundit.


     Për shkak të principeve të mia, kam eliminuar shumë njerëz idiotë nga miqësia dhe komunikimi, por asnjëherë nuk kam bërë kompromis, asnjëherë nuk jam ndier inferior përballë tyre, asnjëherë nuk jam penduar. Nuk më ka interesuar fama dhe prestigji. Kam refuzuar shumë paraqitje mediale në emisione e debate, që mund të më “popullarizonin”, sepse nuk pranoja as nuk pranoj sot të ulem në një “sofër” me idiotë.


     Krejt jeta ime është e ndërtuar kundrejt logjikës populiste të turmave dhe logjikës apo kultit të elitave. Sepse synoj lumturinë, jo kënaqësinë. Jam i gatshëm të mbijetojë edhe i vetëm. Për mua nuk ka njeri absolut, nuk ka njeri të cilit mund t’ia fal çdo gabim, nuk ka njeri të cilit mund t’ia fal besimin e plotë, nuk ka njeri që e kursej nga kritika. Kritika është instrumenti im i ngulitur thellë në personalitet. Por gjithsesi me prioritet reflektimi ndaj vetvetes. Reputacionin e krijuar nuk mund të ma rrëzojë asnjë njeri.


     Më këtë rrëfim dua t’i motivoj disa të rinj, të cilët sot i ka kapluar një dembeli e paarsyeshme dhe një kompleks i inferioritetit. Nuk arrij t’i kuptoj pse ata dorëzohen në sfidën e parë dhe pse ata kërkojnë vetëm kushte ideale për punë, ndërsa s’e kanë asnjë aftësi apo inteligjencë të funksionojnë në kushte të jashtëzakonshme, gjersa ironikisht duan rezultate të jashtëzakonshme. Duan me çdo kusht që puna e parë që bëjnë të jetë privilegj, t’u ofrojë autoritet dhe një pagë të madhe, ndërsa s’e kanë as përvojën, as përgatitjen, as trajnimin, as kompetencën e duhur.


     Dinë vetëm ta shajnë realitetin, njerëzit, shtetin. Duan sukses, fitore, çmime, statuse e privilegje, pa mund, pa konkurrencë dhe pa sakrificë. E kërkojnë gjithmonë rrugën më të shkurtër. Duan shpejt, lehtë, gatshëm, afër dhe sigurt. Duan falje dhe mëshirë, tolerancë dhe liri, fleksibilitet dhe përkëdhelje, hapësirë dhe shanse, pa kufi. Sepse ata, duke u mësuar të bënin një jetë të lehtë e të gatshme, po bëhen gjithnjë e më shumë të paaftë, dembelë e parazitë. Kështu, edhe sfida më e vogël i rrëzon përtokë. Dhe nuk u ndihmon asgjë nëse ata vazhdojnë të aktrojnë si viktima në ato probleme që ata vetë i krijojnë. Duke formuar principe egoiste, ambicie materialiste, qasje jofleksibile, humbin miq dhe humbin shanse, shkatërrojnë resurse, prishin plane, pengojnë projekte. Kjo mënyrë ua ul vetëbesimin dhe këtë depresion të këtyre të rinjve nuk e shëron dot as migrimi, nuk e mbulon dot as manipulimi. Nëse nuk e adhurojnë punën, nëse nuk e kuptojnë se njeriu është qenie e punës dhe se gjërat e mëdha nuk arrihen brenda natës. Pa kaluar nëpër sfida, rrugë e sakrifica të ndryshme, nuk do të mundë të jenë të suksesshëm.


     Ka vetëm një zgjidhje për të rinjtë: të çlirohen nga iluzionet dhe ta ndërrojnë konstruktin e të menduarit për suksesin dhe karrierën. Suksesi është arritje, jo dhuratë./EPIQENDRA.COM

Komentarji


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page