top of page

Intervistë me Anthony Giddens: “Po jetojmë në një shoqëri me shumë mundësi dhe rreziqe”

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 3 days ago
  • 10 min read

Updated: 1 day ago


Intervistë e realizuar në vitin 2015 nga Labinot Kunushevci me Lord Anthony Giddens (botuar në librin e tij dy-gjuhësh "Kuvendime Sociologjike Bashkëkohore" - "Contemporary Sociological Conversations")


Shoqëri me shumë mundësi, me shumë rreziqe!

Anthony Giddens


Anthony Giddens është sociolog britanez. Giddens ka shërbyer si Drejtor i Shkollës Ekonomike të Londrës në periudhën 1997-2003, ku aktualisht është Profesor Emeritus në Departamentin e Sociologjisë. Ai është anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencës dhe i Akademisë Kineze të Shkencave Sociale. Ndikimi i Giddensit në politikë ka qenë i thellë. Si një këshilltar me ndikim i Kryeministrit Britanik Tony Blair ai dha konceptin e një "rruge të tretë" – një program politik që nuk kufizohet nga dikotomia tradicionale politike e majta-e djathta, i cili u pa si mbështetje për qeverinë Laburiste të Blerit. Në vitin 2014 Giddens u bë anëtar i Dhomës së Lordëve. Ai është i njohur në teorinë e strukturimit, teoritë sociale, modernitetin, globalizmin, Rrugën e Tretë Politike etj. Ai është i nderuar nga 15 universitete. Librat e tij janë përkthyer në 40 gjuhë, disa prej tyre janë: Pasojat e modernitetit (The Consequences of Modernity), 1991; Moderniteti dhe identiteti personal (Modernity and Self-Identity), 1991; Transformimi i intimitetit (The Transformation of Intimacy), 1993; Politikat e ndryshimeve klimatike (The Politics of Climate Change), 2011; Kontinenti i trazuar dhe madhështor: çfarë të ardhme për Evropën? (Turbulent and Mighty Continent: What Future for Europe?), 2013, etj.

 

Kjo intervistë është pjesë e një projekti mbi teorinë sociale me ndikim që gjithashtu synon të eksplorojë ndërlidhjen e sociologjisë ndërkombëtare dhe kombëtare përmes konversacioneve me sociologë të shquar. Është realizuar në vitin 2015 nga Labinot Kunushevci, anëtar i asocuar i Rrjetit të Sociologëve të Rinj të ISA-së, i cili ka përfunduar studimet MA në Sociologji në Universitetin e Prishtinës, Kosovë.

 

Në këtë intervistë speciale, e para e një autoriteti si Giddens e dhënë për Kosovë, janë diskutuar këto tema: rëndësia e sociologjisë, ndryshimet strukturore dhe kulturore që burojnë nga globalizmi në botën moderne, roli i medias si formë kryesore e komunikimit, migrimi global dhe tragjedia njerëzore, rreziqet potenciale dhe ekuilibri ndërmjet mundësive dhe kërcënimeve reale, ‘Teknokracia’ dhe të menduarit në mënyrë kritike dhe reflektive brenda sistemeve komplekse që i ka prodhuar moderniteti, barazia gjinore në botën moderne, “Rruga e Tretë Politike” dhe integrimi i Kosovës në BE.

 

LK: Si e shpjegoni rëndësinë e sociologjisë dhe cili është roli i sociologëve në emancipimin e shoqërisë, veçmas në ‘shekullin e ndryshimeve’ që po jetojmë? A mendoni se sociologjia duhet të funksionojë në kuadër të paradigmës shkencore-pozitiviste, apo duhet të bëhet më refleksive në raport me realitetin social dhe historik?

 

Lord Giddens: Detyra themelore e sociologjisë është të reflektojë mbi origjinën dhe pasojat e ngritjes së qytetërimit modern industrial dhe shtrirjen e tij në të gjithë botën. Si e tillë, fokusi kryesor i sociologjisë është në dy ose tre shekujt e fundit, mirëpo këtu sigurisht duhet të ketë një perspektivë krahasimore: prej se lidhja e sociologjisë me antropologjinë është shumë e fuqishme. Pozitivizmi bie sa i përketë sociologjisë, për shkak se lidhja e tij me objektin e studimit – sjelljen njerëzore – në thelb është refleksive. Idetë sociologjike, nëse sado pak të na interesojnë, inkorporohen në botën të cilën synojnë ta përshkruajnë dhe deri diku e ristrukturojnë atë.

 

LK: Sipas mendimit tuaj, cilat janë ndryshimet strukturore dhe kulturore që po sjellë globalizmi në epokën moderne, veçmas në shoqëritë në tranzicion të bllokut post-socialist dhe regjionit të Ballkanit?

 

Lord Giddens: Rezultati është një botë në lëvizje pa paralele me epokat e mëherëshme. Komunikimi digjital është shpesh fuqizues dhe emancipues – për shembull ka mundësi ta transformojë mjekësinë. Sidoqoftë, ky komunikim poashtu ka ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje të paqëndrueshme dhe të pasigurtë, si dhe ka theksuar ndarjet ideologjike në vend se t’i zhdukte ato. Është e vështirë të jetosh çdo ditë në një botë kaq kosmopolitane. Ne po vuajmë nga ‘mbingarkesa kosmopolitane’ – ka shumë trende të fuqishme kundër kosmopolitanizmit, kthim të ideologjive ndarëse dhe ndarje në një kohë kur bota po bëhet thelbësisht më kosmopolitane. Si rrjedhojë, në shumë vende shohim rikthimin e ideologjive nacionaliste dhe skepticizëm në vlerat kosmopolitane, përfshirë këtu edhe rritjen e fundamentalizmit religjioz. Këto forca mund të kombinohen në forma të çuditshme bizare. Për shembull, Shteti islamik është njëlloj teokracie mesjetare, mirëpo përdorin mjetet më të sofistikuara të teknologjisë digjitale për t’i shtyrë përpara qëllimet e tyre. Shteti islamik është armiqësor ndaj modernitetit, por i ngulitur thellë në të.

 

LK: Çfarë mund të thoni për mediet, zhvillimin dhe sofistikimin e teknologjisë në këtë kohë të globalizmit? A po na sjellë globalizmi më shumë mundësi apo më shumë rreziqe dhe çfarë shoqërie do të krijojmë në të ardhmen në këtë botë tashmë të globalizuar?

 

Lord Giddens: Globalizmi – ndërvarësia e shoqërive në botë – është tipar kyç i modernitetit. Përgjatë treqind vjetëve të fundit, globalizmi është shtyrë nga dy ndikime të rëndësishme – ekspanzioni ekonomik (dhe ushtarak) i perëndimit dhe intensifikimi i komunikimit. Të dyja këto procese janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Zhvillimi i shtypit që prej shekullit XVIII hapi rrugën për krijimin e shtetit modern, si dhe mundësoi zhvillimin e perandorive të mëdha. Lindja e komunikimit elektronik i ka përshpejtuar në mënyrë masive këto procese, por njëkohësisht kjo nënkupton se këto do të jenë tërësisht globale e jo të orientuara vetëm në perëndim. Ardhja e epokës digjitale e ka intensifikuar porcesin e globalizmit dhe e ka thelluar atë edhe në jetën tonë personale.

 

LK: Bota në të cilën po jetojmë është duke u ballafaquar me shumë sfida, njëra prej tyre edhe migrimet globale të popullsisë nga lindja në perëndim dhe nga jugu në veri. Si e shpjegoni migrimin, sfidat kryesore të vendeve të prekura prej tij, dhe cilat janë sfidat kryesore të vet migrantëve?

 

Lord Giddens: Me të vërtetë ekziston një sens sipas të cilit të gjithë jemi migrantë, pa marrë parasysh a lëvizim ose jo nga një pjesë në pjesën tjetër të botës. Përmes teknologjisë digjitale, shumica prej nesh jemi në kontakt të vazhdueshëm me diversitetin e kulturave dhe opinioneve. Distanca nuk është më një barrierë në komunikimet e atypëratyshme e drejtuar nga një zgjerim i fuqisë së kompjuterëve. Telefoni i parë i mençur (Smartphone) ka dalë në treg para afër dhjetë viteve. Aktualisht në botë janë më shumë se 2.5 miliardë telefonë të mençur dhe dyfish më shumë telefonë të tjerë të thjeshtë. Telefonët e mençur të cilët ne i mbajmë në xhepat tanë kanë më shumë mundësi kompjuterike se sa super-kompjuterët e para pesëmbëdhjetë vjetëve. Migrimi fizik ka shumë forma të ndryshme mirëpo zakonisht ka formën e një komponente globale. Për shembull, 2 milionë filipinezë jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë. Ata përdorin mjete digjitale për të mbështetur familjet globale – lidhjet përmes rrjetit me bashkëshortët dhe të afërmit e tjerë anë e kënd botës. Natyrisht, shumë migrantë prej vendeve më të varfëra nuk janë aq të sofistikuar dhe po i ikin shtypjes, siç është rasti i mijëra njerëzve që po tentojnë të migrojnë nga Amerika Latine në Shtetet e Bashkuara, ose ata që po ikin prej konflikteve në Lindjen e Mesme ku tragjedi reale po ndodhin për çdo ditë.

 

LK: Duke pasur parasysh sfidat globale dhe rrezikun: armët bërthamore, konfliktet ndërkulturore, ndëretnike dhe ndërfetare, rritja e ekstremizmit, ngrohja globale, etj., cila prej tyre, sipas mendimit tuaj, është duke e kërcënuar paqen globale më së shumti? A ekziston njëfarë ekuilibri ndërmjet mundësive (shanseve) që i ofron moderniteti në njërën anë dhe rreziqeve reale në anën tjetër?

 

Lord Giddens: Ne jetojmë në një botë që ka shkuar ‘për teh të historisë’, kurse në anën tjetër mbetet e mishëruar thellësisht me të. Më këtë nënkuptoj faktin që sot përballemi me rreziqe të tilla me të cilat asnjë qytetërim nuk është përballur më herët si ngrohja globale, rritja masive e popullsisë botërore, ose ekzistenca e armëve bërthamore. Disa nga këto rreziqe janë ekzistenciale: ato janë rreziqe që i kanosen vazhdimsisë së rendit industrial gjersa përhapet në gjithë sipërfaqen e botës. S’mund të themi se cilat prej tyre janë ‘më kërcënueset’, pasi që niveli i vërtetë i rrezikut është i panjohur. Nuk ka seri të vona që vazhdojnë siç ndodh me rreziqet tradicionale. Në të njëjtën kohë, ne kemi shumë më tepër mundësi si njerëzim që shkojnë përtej asaj që ishte e mundur në epokat e kaluara, jo vetëm për përparim material, por edhe pasurim shpirtëror të jetëve tona. Unë e quaj këtë ‘shoqëri me shumë mundësi, me shumë rreziqe’ – në të cilën është e pamundur ta dimë paraprakisht se cila do të jetë marrëdhënia mes këtyre dy faktorëve. Kjo marrëdhënie problematike është pjesë elementare e gjendjes njerëzore. Kjo nuk është botë postmoderne siç përdoret zakonisht ky term, për t’iu referuar shpërbërjes së arsyes dhe vlerave potenciale univerzale. Përkundrazi, ekziston një betejë pothuajse në çdo vend mes vlerave të tilla dhe ndarjeve sektoriale të llojeve të ndryshme.

 

LK: Çfarë ndryshime ka prodhuar moderniteti me zhvillimin e ekspertizave dhe stimulimin dhe besimin në to? Sa kontribuon kjo në krjimin e njëfarë ‘teknokracie’, e cila ‘gllabëron’ spontanitetin, lirinë, barazinë, etj., të cilat në të njëjët kohë shërbejnë si baza të modernitetit?

 

Lord Giddens: ‘Teknokracia’ mua nuk më duket barriera kryesore e mundësive tona që të zotërojmë lidhjen mes mundësive dhe rreziqeve të cilat i kemi krijuar në qytetërimin modern. Ndikimet të cilat unë i kam përshkruar ende vazhdojnë të operojnë në një botë të drejtuar në një masë të madhe nga urgjencat e kapitalizmit të tregut, e cila është globalizuar dhe depërtuar radikalisht nga revolucioni digjital. Për shembull, paraja thuajse është shndërruar në elektronike dhe mund të transferohet menjëherë në anën tjetër të botës në një mënyrë që ka qenë e pamendueshme në të kaluarën. Rendi ekonomik botëror është i drejtuar në mënyrë fundamentale prej veprimeve të konsumatorëve në njërën anë dhe kompanive globale – përfshirë edhe ato financiare – në anën tjetër. Shumica prej këtyre proceseve nuk kalojnë nëpërmjet sistemeve demokratike të shteteve, përfshirë edhe të atyre më të fuqishmeve. Kjo është njëra nga arsyet për streset dhe presionet e politikës sot. Të gjithë mund t’i shohim politikanët vendor që u mungon pushteti për të ndikuar mjaftueshëm në disa prej forcave madhore që ndikojnë në jetët tona. Për t’u zgjedhur, politikanët duhet të bëjnë premtime të cilat ata nuk mund t’i përmbushin. Janë krijuar pabarazi të mëdha nga ato më të mëdhaja, mirëpo është shumë e vështirë për t’i kontestuar, duke pasur parasysh se kapitali mund të lëvizë me kaq lehtësi në pjesë të ndryshme të botës. Pjesa më e madhe e të hyrave që vjen nga taksat nuk ka asnjë rol produktiv. Shtetet do të jenë në gjendje t’i zotërojnë këto forca vetëm nëse mësojnë se si të bashkëpunojnë kolektivisht. Është pyetje e hapur se sa është i mundur një bashkëpunim i tillë.

 

LK: Çfarë ju bën të mendoni se nuk jemi duke jetuar në epokën postmoderne, por jemi duke vazhduar të jetojmë modernitetin e lartë?

 

Lord Giddens: Jetët tona, madje edhe jeta intime, janë duke u transformuar nga ndryshimet që po ndodhin në shoqërinë botërore. Këtu do të ndalesha në temat kryesore të librit tim Moderniteti dhe identiteti personal (Modernity and Self-Identity), ndonëse disa procese të cilat i kam përshkruar aty janë radikalizuar edhe më shumë. Në një botë të burimeve pothuajse të pafundme të informacionit, uni bëhet një projekt refleksioni. Të gjithë duhet të zhvillojmë një narracion të unit – një linjë që i mbanë jetët tona të bashkuara kundër sfondit të një bote në lëvizje. Traditat dhe zakonet nuk janë më aty për të kryer punën e tyre: ato vetë janë shpikur e rishpikur. Përderisa përparon moderniteti, jo vetëm identiteti por edhe trupi merr formë nga këto forca në mënyra të komplikuara dhe kontradiktore. Prandaj obeziteti po bëhet një fenomen global, me implikime të mëdha në shëndet. Afërsisht një miliard njerëz në botë janë radikalisht me mbipeshë, jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në shumë vende në zhvillim. Në të njëjtën kohë përafërsisht numër i njëjtë i njerëzve ushqehen keq, vuajnë nga mosushqimi ose janë në rrezik të vdekjes nga uria. Kurse tek më të pasurit ndërtimi i trupit merr një formë komplet tjetër – njerëzit kalojnë shumë orë në fitnes dhe ushtrime, nganjëherë deri në një pikë obsesioni.

 

LK: Cilat janë pikëpamjet tuaja mbi barazinë gjinore, me interes të veçantë në diskurset, sfidat dhe transformimet e martesës, intimitetit dhe dashurisë romantike në kohën bashkëkohore?

 

Lord Giddens: Beteja për barazinë gjinore mbetet tipar i rëndësishëm i politikës në nivel lokal, kombëtar dhe global. Edhe në vendet që kanë shënuar progresin më të madh, siç është Norvegjia, ka një rrugë të gjatë për të bërë para se përmbushja e barazisë gjinore të arrihet (sido që do të dukej ajo). Forcat që punojnë në këtë drejtim janë thellësisht të mishëruara. Është e rëndësishme që shtypja e grave formon një pikë kyçe të kundër-ndikimeve të rendit botëror kosmopolitan. Shteti islamik merret prapë si shembull në këtë aspekt.

 

LK: A vazhdoni ta mbroni idenë e “Rrugës së Tretë” dhe a është aktuale edhe sot? Në këtë kontekst, si e shpjegoni krizën ekonomike në botë? Mbi cilat premisa duhet të krijojmë mekanizma dhe sisteme të cilat do të ndihmonin në tejkalimin e vështirësive të gjenerimit të rritjes ekonomike?

 

Lord Giddens: Kriza financiare botërore – ende larg zgjidhjes së plotë – reflekton shumë nga tiparet e shoqërisë botërore të diskutuara më lart, duke përfshirë këtu edhe dimenzionin gjinor, duke pasur parasysh rolin që ‘maskuliniteti i akuzuar’ ka luajtur në sjelljen agresive të atyre që diktojnë lojën e tregjeve botërore të parave. Sidoqoftë, këtu ka edhe një faktor tjetër kyç dhe ai është roli i teorisë ekonomike neoklasiciste. Asnjë disiplinë tjetër akademike më herët nuk ka pasur rol historik botëror të tillë. Kjo e ka shtyrë ekonominë botërore dhe nënshtrimin radikal në mekanizma të papenguara të tregjeve. Këto observime na sjellin tek çështjet e përgjithshme të një natyre politike. Ka ende një rol të rëndësishëm për ‘rrugën e tretë’, e kuptuar si një orientim politik i gjithanshëm, i cili aplikohet edhe përtej limiteve të shteteve kombe. Ne kemi një detyrë të madhe – të krijojmë një formë të kapitalizmit të përgjegjshëm në të cilin krijimi i pasurisë është në përputhje me nevojat sociale, përfshirë edhe ato mjedisore.

 

LK: Duke qenë se jemi vend i vogël që u bë i pavarur vetëm dhjetë vjet më parë, ne ende ballafaqohemi me sfida të ndryshme, posaçërisht në liberalizimin e vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Ky izolim po na krijon pamundësi të lëvizjes së lirë, të kontaktit me shtetet dhe kulturat evropiane, të integrimit në tregun evropian, dhe qasjes në mundësitë evropiane të punës, përderisa 60% të strukturës së popullsisë e kemi nën moshën 25 vjeçare. Ne e ndjejmë nevojën e përkatësisë dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Çka do të sugjeronit që ne të bëjmë në mënyrë që Kosova të integrohet në Evropë?

 

Lord Giddens: Në bashkëpunim me fuqitë e tjera botërore, Bashkimi Evropian mund të luaj një rol të rëndësishëm në këtë aspekt, ndonëse vetëm në rast se arrihet një nivel i konsiderueshëm i vendim-marrjes së integruar. BE-ja, siç e dimë, po kalon në një fazë problematike të evolucionit të saj. Vetëm një dekadë më herët, BE-ja – dhe monedha e saj, euro-ja – shiheshin gjithandej si suksese. Sot ajo lundron në një det me probleme. Euro-ja ende nuk është stabilizuar dhe vazhdimësia është në rrezik. Besimi në BE i qytetarëve të saj ka rënë drastikisht në disa vende anëtare. Partitë populliste janë në rritje thuajse në çdo vend. Për Evropën Lindore situata në Ukrainë ngërthen rreziqe të mëdha, madje edhe rrezikun e konfliktit bërthamor. Kaosi në Libi dhe disa shtete të tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore paraqet rrezik të madh për bregun jugor të BE-së. Migrantët e dëshpruar po përmbyten në Mesdhe duke kërkuar një jetë më të mirë. Pavarësisht nga këto dhe deri diku për shkak të këtyre problemeve, BE-ja mbetet esenciale për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të nën-kontinentit evropian. Në librin tim Kontinenti i trazuar dhe madhështor: çfarë të ardhme për Evropën? (Turbulent and Mighty Continent: What Future for Europe?) jam munduar të shpjegoj pse është një gjë e tillë. Problemet e shteteve të Ballkanit mund të zgjidhen në mënyrë potenciale vetëm me anë të progresit të mëtutjeshëm të BE-së. Një element kyç është fakti se Serbia duhet ta ndjekë Kroacinë si shtet anëtar i BE-së. Kam shpresë të zjarrtë se ky proces gjithashtu do t’ia lehtësonte rrugën edhe integrimit eventual të Kosovës./EPIQENDRA.COM

Comentários


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page