top of page

Jugosllavia e Titos - sistem liberal apo sistem i pabarazisë?

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 4 days ago
  • 14 min read

Updated: 1 day ago



Shkruan: Labinot Kunushevci


Sistem që dehumanizonte popullin dhe glorifikonte liderin

 

     Për ta zhvilluar këtë qasje duhet analizuar udhëheqjen dhe figurën e ish-liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, duke zbritur në rrethanat shoqërore e politike të kësaj periudhe dhe jo të gjykohet me koncepte, kategori e kontekste bashkëkohore.


Fillimisht duhet pasur parasysh se shoqëria e periudhës së Titos ka funksionuar mbi një model krejtësisht ndryshe prej sot dhe është gabim të kërkojmë diçka të pareali­zueshme për atë kohë. 


Profesorëve shqiptarë u është diktuar ideologjikisht programi mësimor dhe s’kanë pasur mundësi, përveç ndonjë nuance, të ndryshojnë qasjen dhe mendimin për ta kontestuar Titon ose për të thënë që Tito është i keq. Kush ka thënë Tito është i keq është dënuar me burg ose është ekzekutuar.


Fatkeqësia është se ende nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe ekzekutorët e atyre krimeve kundër nacionalistëve shqiptarë, duke i ekskomunikuar dhe dënuar nacionalistët, luftë kjo që bëhej nën arsyetimin e “irredentizmit dhe separatizmit shqiptar”, që në fakt ishte luftë kundër identitetit shqiptar, kundër barazisë së tyre në shtetin federal dhe kundër vetë ekzistencës së tyre për shkak të përkatësisë etnike.


Qasja e sistemit komunist ndaj fëmijëve ishte dehuma­nizuese: kur lindnin fëmijët, nuk u thuhej që “lindi x personi”, por “lindi një ushtar i partisë”, “lindi një pionier i Titos”, “lindi një ushtar i atdheut”, ashtu që reduktohej vlera e tyre humane në vlerë ideologjike, në funksion të aspiratave ideologjike, duke u indoktri­nuar që në fëmijëri.


Kur kishte ceremoni shtetërore, në shenjë glorifikimi të liderit, fëmijët viheshin në funksion dhe shërbim ideologjik të asaj ceremonie, të pritjes madhështore të liderit famëkeq dhe njërit një prej kriminelëve më monst­ruozë të shek. XX, Josip Broz Tito. Këtë e kam dokumentuar me fotografi gjatë një ekspozite me fotografi dokumen­tuese të vjetra të kryeqytetit, në projektin tim “Prishtina në 77 pamje”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, në vitin 2017.[1] 


Në njërën nga 77 fotografitë e ekspozitës dokumentohej pritja zyrtare ceremoniale e Titos në Prishtinë, ku fëmijët, në shenjë “nderimi”, ishin të detyruar përmes pozicionimeve dhe rreshtimeve të formonin emrin famëkeq “TITO” brenda Stadiumit të Prishtinës që tashmë quhet “Fadil Vokrri”. Nderimi më i keq është ai që i bëhet një lideri kriminel, i detyruar nga një sistem komunist, ku fëmijët janë instrument.

 

Iluzioni dhe nostalgjia: “Jugosllavia, shoqëri liberale”

 

     Në atë shoqëri ka dominuar kiçi dhe në shoqëritë autoritare, veçmas në komunizëm, kiçi ka qenë alfa në çdo sferë: politike, arsimore, kulturore. Është vështirë të kuptohet ai sistem, sepse janë prodhuar shumë keqkup­time nga krijimi i gjykimit nën efektet e propa­gandës ideologjike indoktrinuese e glorifikuese, në njërën anë, dhe nën efektet e pakënaqësisë dhe thyerjes së iluzio­ne­ve, që rezultuan me ngjarjet e viteve ‘90-të e deri në luftë, madje edhe pas luftës një kohë, në anën tjetër. Ishte kjo periudhë postjugosllave, ku u paguan pasojat me mjerimin social, ekonomik e politik, ku njerëzve që kishin sakri­fikuar dhe që kishin ndërtuar iluzionin se pas Jugosllavisë apo pas luftës së vitit ‘99 do të bëhet mirë e do të trajtohen të barabartë, u ndodhi e kundërta, mbetën të papunë nga privatizimi, të nënçmuar, me pensione të ulëta.


Kjo rezultoi me nostalgji për të kaluarën e Jugosllavisë së Titos, prandaj iu kthyen së kaluarës duke e humbur kuptimin e së tashmes dhe të së ardhmes. Ky kthim nga e kalua­ra kishte të bënte me anën formale të sistemit jugosllav, të cilin vetë e kishin përjetuar: mjekimi falas, shkollimi falas, udhëtimi pa viza, dhe nën këtë efekt dhe nga ky pozicion, u forcua nostalgjia për Jugosllavinë e Titos dhe u krijua iluzioni se ka qenë shoqëri liberale. Ajo ka qenë liberale ve­t­ëm deri aty ku s’është prekur thelbi i interesave ideologjike.


Çfarë shoqërie liberale, kur ka funksionuar kufizimi ligjor përmes një neni të veçantë në lirinë e shprehjes, ku për pasojë me mijëra njerëz janë dënuar me vite burgim vetëm pse kanë shkruar ose kanë thënë Kosova Republikë. Studiuesi Ibrahim Berisha, periudhën e vitit 1981 e quante Gjeneratë e Republikës”, ku bënin pjesë nxënësit dhe studentët shqiptarë. Nga 435 parulla gjithandej Kosovës (që i kishte nxjerrë ai në arkiva, për­fshirë atë të Sllovenisë: doc: 1981), 64% në epiqendër kishin Kosova Republikë. Identiteti politik dhe nacional i Republikës së Kosovës u krijua nga kjo gjeneratë, sipas Berishës.


Ai sistem ka qenë thelbësisht dimension i pabarazisë në kuptimin e lirisë, të organizimit dhe të veprimtarisë. Ai sistem duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi dhe gjykimi kritik, në mënyrë që të mos vazhdohet me ndërtimin e vizioneve dhe projeksioneve nën efektet e indoktrinimit dhe të vetëdijes neokoloniale, sidomos kur kjo vjen nga elitat me prejardhje komuniste.


Dhe jo vetëm për Jugosllavinë, por edhe për periudha e sisteme të tjera, të mos lejohet relativizimi i krimeve që janë bërë dhe glorifikimi, mitizimi e heroizimi i figurave udhëheqëse, përmes teksteve shkollore, përmes ideve e iniciativave për “X” ish-udhëheqësit që t’u ngrihen buste e përmendore ose të shpallen Nderi i Kombit”, sikur që dikur ishte propozuar dekorimi me këtë titull për Fadil Hoxhën, fakt ky që tregon vazhdimësinë e qasjes ideologjike neokoloniale.


Fatkeqësisht, kësaj fryme dhe iniciative, në vitin 2016, nuk i janë bashkëngjitur vetëm shoqata të caktuara, por edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës - pseudoakademikët, duke u rreshtuar me partizanët - ko­mu­nistët që e donin Kosovën nën sundimin serbo-jugosllav.


Kjo qasje nuk i bën nder as mendimit politik shqiptar, as mendimit intelektual shkencor, as historisë, as interesit strategjik kombëtar, as kulturës nacionale e as projeksio­ne­ve për të ardhmen. Si të tillë, vazhdojmë të jemi në krizë të thellë për të krijuar një identitet modern post­kolonial dhe postkomunist.


Serbia edhe në shek. XXII, nëse mbijetojnë studimet tona, do të njihet apo kujtohet si Serbi hegjemoniste dhe imperialiste, me përfytyrime mitologjike për “tokën e shenjtëruar me gjakun e Llazarit”. Ky mit është bërë një gangrenë e pa shëruar për shoqërinë serbe dhe ka prodhuar mynxyrat më të këqija për shoqërinë shqiptare. Prandaj nuk është aspak fyese apo pezhorative kur përdorim termet “përbindëshat serbë” apo “hordhitë serbe”, sepse ferri i kthetrave serbe ishte realisht një kryqëzatë serbe e vulosur nga Millosheviqi më 28 qershor 1989 në fjalimin e tij famëkeq në Gazimestan, për një “Jerusalem serb” – siç e quajnë serbët Kosovën, duke u thirrur në të drejtën historike. Dhe kjo na bind se Kosova për Serbinë nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje fetare.

 

Antishqiptarizmi i Titos dhe krimet e shumëfishta: vrasje, marrja e tokave, analfabetizmi, dëbimi, qëndrimi kundër autonomisë së Kosovës

 

     Më kujtohet në kohën e studimeve, në njërën nga ligjëratat e nivelit të studimeve Mater, se si profesor Ibrahim Berisha na tregonte disa fakte dhe statistika krahasuese të krimeve të liderit Tito. Unë si student gjithmonë mbaja shënime. Asnjë ligjëratë cilësore për pesë vite nuk më ka ikur pa marrë shënime prej saj në fletoren time.


     Profesor Berisha krahasonte krimet e Mbretërisë Jugosllave me ato të periudhës së Titos dhe, sipas tij, ky i fundit rezulton më kriminel se mbreti. Megjithëse këto politika kanë qenë komplementare e jo kontradiktore. Pra, janë vazhdimësi e njëra-tjetrës dhe vetëm janë alternuar.


Spastrimi etnik: Shpërnguljet për në Turqi (Marrëveshja ndërmjet Titos dhe Kyprillisë e vitit 1953). Në pe­riu­dhën e Titos janë shpërngulur 200 - 250 mijë shqiptarë. Këtu duhet shtuar edhe Traktatin ndërmjet Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe Turqisë (Stojadinoviqit dhe Ataturkut).


Vrasja: Në periudhën e Titos janë vrarë rreth 30 mijë shqiptarë. Tito ka pushkatuar masivisht civilë pa gjyqe e pa kurrfarë faji në vitet ‘40 – ‘45.


Marrja e tokave: Janë bërë dy reforma agrare, përmes së cilave shqiptarët i kanë marrë vetëm 9 hektarë tokë dhe Tito i ka shpronësuar duke ua marrë fabrikat, pronat, teknologjinë.


Arsimi: Tek komponenti i arsimit është mirë të analizohet hapja e shkollave, gjimnazeve, teatrove, bibliotekave e medieve në kohën e fashizmit, të cilat kanë rezultuar me krijimin e identitetit shqiptar, ndërsa qasja e Titos dhe e Jugosllavisë ka qenë e kundërt. Në vitin 1952 Rodoljub Çolakoviçi është bërë ministër i Arsimit dhe ka tentuar t’i mbyllte të gjitha shkollat shqipe për t’i kthyer në serbisht, me arsyetimin se gjuha shqipe është e varfër dhe kjo ka ndikuar që shkollat shqipe të reduktoheshin maksimalisht. Në të vërtetë, pro­paganda serbe se shqiptarët s’kanë alfabet, kanë gjuhë të varfër, s’mund të zhvillojnë arsim dhe identitet, është propa­gandë e vjetër qindravjeçare.


Pritja famëkeqe dhe e detyrueshme e Titos në Stadiumin e Prishtinës - Indoktrinimi ideologjik i fëmijëve "pionerëve"
Pritja famëkeqe dhe e detyrueshme e Titos në Stadiumin e Prishtinës - Indoktrinimi ideologjik i fëmijëve "pionerëve"

Statistikat për shkallën e analfabetizmit në këtë periudhë janë shokuese. Një studim mbi to e ka bërë demografi Hivzi Islami, i cili në studimin e tij Studime demografike përmend shifra dhe fakte për realitetin dhe mjerimin e analfabetizmit të shqiptarëve që nga viti 1948 e deri në vitin 1961.


“Sipas regjistrimit të vitit 1948 për­qindja e analfabetizmit të përgjithshëm tek shqiptarët arrinte 62.5 për qind, kurse 78.4 për qind për gjininë femërore dhe 46.9 për qind për gjininë mashkullore. Ndërkaq, në vitin 1953, me gjithë zvogëlimin e shkallës së përgjithshme të analfabetizmit (Kosova rreth 55 për qind), ajo ende mbetet mjaft e lartë te shqiptarët në Kosovë (rreth 66 për qind) dhe në ish-Jugosllavi (rreth 63 për qind). Deri nga fundi i viteve të 50-ta çdo i treti a i katërti shqiptar i moshës 10-19 vjet nuk dinte shkrim-lexim, ndërsa në fshat madje edhe çdo i dyti a i treti. Në vitin 1961, në disa komuna të Kosovës më se gjysma e popullsisë ishte analfabete (Gllogoci, Kaçaniku, Rahoveci), ndërsa 11 komuna kishin popullsi analfabete midis 45 dhe 50 për qind.”[2]


Përmenda shpërnguljen për në Turqi dhe po theksoj një karakteristikë interesante, të cilën në një studim të tij për aspektin etnik të migrimeve, e përmend demografi Islami, se si për ta penguar ngadalësimin e shpërnguljeve për Turqi, regjimi jugosllav, deri para vitit 1966, ndër­preu kontaktet e familjarëve në Kosovë me të shpërngulurit në Turqi, për ta fshehur përmes mosinformimit mjerimin që të shpër­ngulurit përjetonin në Turqi.


“Shkalla e lartë e natalitetit, përkundër mortalitetit po ashtu të lartë, ishte faktor i fuqishëm i kompensimit demo­grafik të popullatës shqiptare. Gjithashtu, duhet theksuar se ishin rreptësisht të ndaluara kontaktet e bashkat­dhe­tarëve tanë me të afërmit e tyre dhe me vendlindjen, sepse pushteti serbo-jugosllav frikësohej se informimi i drejtë për jetën në Turqi mund ta ngadalë­sonte procesin e ngulitur në rajonet e varfra të Turqisë dhe në pjesët po kështu të varfra të qyteteve të saj, ku bënin një jetë të mjerueshme. Kontaktet u mundësuan vetëm pas ndryshimeve që u bënë në kreun politik të shtetit jugosllav (1966), decentralizimit të funksioneve të ish-Federatës dhe forcimit të subjektivi­tetit politik të Kosovës në këtë Federatë.”[3]


Fakt tjetër që mund të analizohet është fjalimi i Titos para armatës së ushtarakëve e gjeneralëve në Kara­gjor­gjevë më 29 dhjetor 1979, e botuar në librin e historianit Vjensçesllav Cençiq, të cilin e shpjegon studiuesi Milazim Krasniqi në studimin e tij “E KUJT ËSHTË KJO KULTURË”. Testamenti i tij politik, të cilin ai e ka lënë si ushtarak dhe si komandant suprem i forcave të arma­tosura dhe jo si politikan a burrë shteti, sipas Krasniqit, tregon antishqiptarizmin e tij, sepse aty Tito ka dhënë qëndrim kundër Kushtetutës së vitit 1974 dhe kundër zgjerimit të autonomisë së Kosovës.


“Kuadrot shqiptare nga Kosova po mendojnë se nëse me Kushtetutën e vitit 1974 kanë fituar më shumë të drejta, e pjesërisht edhe shtetësi, ndërsa unë po e theksoj që kam qenë kundër asaj kushtetute, mund të kryejnë me vet­iniciativë aktivitete shtetërore. Ashtu, është e palejueshme që anash Republikës së Serbisë, por edhe të Federatës, të zhvillojnë biseda shtetërore me Shqipërinë. Ata me vetiniciativë, pa dijeninë tonë, kanë sjellë profe­sorë nga Shqipëria në fakultete dhe shkolla që të ligjërojnë historinë dhe programin shqiptar që të mësojnë fëmijët tanë dhe studentët që Kosova është pjesë e Shqipërisë së Madhe skënderbejane që përkohësisht është nën Jugosllavi”, - është shprehur Tito në këtë fjalim të famshëm.[4]


Pavarësisht kësaj, maksimat ideologjike të Serbisë, të shndërruara në instrumente politike, ishin gjallë dhe me ndikim, në funksion të shtrirjes dhe dominimit demo­gra­fik, politik dhe kulturor, sikur ajo e mësuesit të Vuqiçit, radikalit Vojisllav Sheshel: “Serbi është kudo ku gjendet edhe një varr serb”.


Një nga diskurset e krijuara dhe të përdorura nga siste­mi jugosllav për “arsyetimin” e spastrimit etnik ishte etiketa dhe ekstremizmi fetar islam, përkatësisht dukja, kultura dhe veshja orientale - siç e quan dhe shpjegon shkrimtari Ismail Kadare në librin “Identiteti evropian i shqiptarëve”.[5] Për t’i paraqitur në sytë e Evropës shqiptarët si të huaj, lindorë, joevropianë, elita jugosllave tentonte ta përdorte si “argument” dhe “të drejtë” në projektin e spastrimit etnik, sepse kështu po i përzinte të huajt që paraqesin “rrezik” për qytetë­rimin perëndimor evropian.


Historiani Viktor Sebestjen e ka cilësuar Titon si brutal po aq sa Stalinin. Pavarësisht glorifikimit që iu bë figurës së tij famëkeqe, faktet tregojnë se historia e tij do të mbahet mend si histori diktature, e dhunës dhe e pa­barazisë. Tendenca për rehabilitimin e figurës së tij, larg kritikës historike, politike dhe sociologjike, është tendenca më e pandershme në mendimin politik dhe shoqëror.


TITO - Në mesin e 100 kriminelëve më famëkeq të historisë
TITO - Në mesin e 100 kriminelëve më famëkeq të historisë

Madje është praktikë e diktatorëve ekzekutimi edhe i kundërshtarëve politikë, gjë që nuk i ka munguar as Titos, si përgjegjës dhe fajtor për qindra e mijëra ekze­ku­time me motive politike (përveç vrasjeve e masakrave të civilëve), që ishte karakteristikë dhe qasje staliniste - sikur shoku i tij Stalini, po aq kriminel.


Dhe qasje staliniste dhe diktatoriale përdori jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj hungarezëve, kroatëve, sllovenëve, gjermanëve, italianëve etj. Shtet diktatorial dhe shoqëri totalitare, me një diktator paranojak, që likui­don­te edhe mendimtarët liberalë në parti, duke mos toleruar mendimin ndryshe, përmes asaj që quhej “gjuetia e shtrigave”, në vitet ‘70. Aq e egër ishte ideologjia komu­niste, saqë edhe ngritja e dy gishtave ndëshkohej me burgim.


Me aparatin represiv dhe ideologjik udhëhoqi për 35 vjet. Titos vetëm një grup nuk i ka penguar: ata që integroheshin në regjimin e tij, ata që heshtnin dhe nuk kritikonin, ata që nuk kundërshtonin dhe ishin inferiorë, ata që bënin argatë ideologjikë. Të privilegjuarit, apo ata që merrnin përfitime, ishin më të dëgjueshmit dhe më besnikët e sistemit. Prandaj nostalgjia për një diktator të tillë dhe përpjekja për ta rehabilituar atë është turp i madh historik dhe mohim e tradhti ndaj vlerave nacionale.


Titoja kishte lidhje të forta me armatën jugosllave, madje gruaja e tij, Jovanka, kishte rreth 6 gjeneralë në familje. Ndërsa Aleksandar Rankoviqi ka qenë njeriu i dytë në Jugosllavi. Të gjitha krimet që i ka bërë Rankoviqi, i cili ka qenë një tip nacionalisti serb i kamufluar, i ka bërë me pëlqimin e tiranit Tito.

 

Fytyra e vërtetë e Jugosllavisë: diskriminim dhe varfëri për shqiptarët, pozita dhe privilegje për serbët

 

     Nëse analizohet stratifikimi shoqëror në Jugosllavinë e Titos, profilin shqiptar e gjejmë më të diskriminuarin, ndërsa profilin serb më të favorizuarin dhe më dominuesin, ndërsa doktrina vllaznim-bashkim ishte vetëm një improvizim, një dekor, një farsë. Pra, kishte një diskriminim dhe segregacion ekstrem social e politik. Aq sa viset rurale dhe paralagjet e zonave urbane u shndërruan në një mjerim socio-ekonomik.


Dobi të caktuara u takonin vetëm disa struk­tu­rave të caktuara urbane që kishin lidhje dhe afërsi me nomenklaturën apo elitën komuniste. Zhvillimi ishte një iluzion, një nuancë dhe fluskë e vogël, saqë inflacioni shkoi deri 900%. Në secilën kategori ekonomike, paga mesatare, të ardhurat për frymë, shkalla e punësimit, shkalla e industrializimit, shkalla e zhvillimit socio-kulturor dhe arsimor, modernizimi, infrastruktura, në të gjitha këto, Kosova kategorizohej në pozitën më të ulët. Edhe mediat ishin të censuruara dhe të cenuara nga regjimi dhe sistemi propagandistik ideologjik, saqë ishte vështirë në kushte të tilla të krijohej identiteti publik nacional. Në kushte të vështira dhe të rrezikshme, Bedri Xhina, me Rininë Nacionaliste Shqiptare, mbajti një radio në Prishtinë dhe për herë të parë, më 28 nëntor të vitit 1943, u bë transmetimi i parë publik i kremtimit të 28 Nëntorit, dy vjet pas themelimit në Prizren, shpjegonte Berisha.


Kjo ishte fytyra e vërtetë e Jugosllavisë: varfëri ekstre­me në fshatra; papunësi dhe pabarazi në qytete; diferencime segreguese dhe represione të ashpra; sekues­trime të pronave dhe tokave (resurseve); fyerje raciste (etiketimi: “Šiptari”) dhe trajtim i shqiptarëve si të dorës së dytë; burgosje politike dhe gjymtime; shtypje të demonstratave; masakra në Drenicë e në Tivar; dëbime masive dhe aksione të dhunshme për mbledhjen e armë­ve; dhunime dhe vrasje; derisa të burgosurve ua rripnin lëkurat, ua nxirrnin thonjtë, ndërsa të rinjtë i tridhnin e vajzat i dhunonin; deri në torturat më të egra, më brutale dhe më sadiste, në mënyrë të organi­zuar dhe të strukturuar, me forcën krimi­nale të UDB-së.


Por nuk mungonin as platformat për demokratizimin e Jugosllavisë, sikurse ishte revista sllovene “Mladina”, e cila luftonte për lirinë e shprehjes.


Serbët jetuan me mendimin, edhe pse pakicë, se Kosova u takonte vetëm atyre dhe nuk kanë kthyer kokën, që bashkë me shqiptarët të krijonin vlera të një shoqërie me sjellje dhe kulturë humane. Përkundrazi, duke u ndjerë superiorë “historikë”, të fascinuar me mendimin magjik se vetëm ata janë të qytetëruar e perëndimorë, sipas studimit më të ri të Berishës, mbeten rob të iluzioneve, inateve dhe të hakmarrjeve primitive. Kënaqësia që ua prodhoi vetëbesimin se roli i tyre qe misionar, qytetërues, për t’i dhënë të drejtë vetes t’i stigmatizojnë shqiptarët, barinj e bujq injorantë, të egër, të padijshëm, jocivilizues, myslimanë fanatikë, me bisht, fisnorë të mbetur rob të normave mesjetare, d.m.th. pa kulturë.[6]

 

Si u masakrua elita fisnike e Prishtinës?

 

     Jo rastësisht në komunikimin e deformuar publik në Kosovë gjejmë një diskurs lidhur me Prishtinën dhe prishtinasit e vjetër, në formë gallate, se kush është pinjoll e kush jo. Por një pasqyrë më reale e përshkruan dhe e shpjegon studiuesi dhe ish-gazetari i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), Bajram Mjeku, i cili është marrë me dokumentimin përmes dëshmive arkivore dhe fak­teve historike të së kaluarës shqiptare koloniale në Jugosllavi. Me Bajramin bashkërisht kemi realizuar edhe projektin e fotografive dokumentuese të Prishtinës së shek. XX.


Në një shkrim publik të tij me titull Kur Prishtina kishte fisnikë e fisnikëri, në vitin 2017, shkruan:


“Brenda katër netëve në fundnëntor të vitit 1944 në Prishtinë, partizano-çetnikët serbë rrethuan kryeqytetin e Kosovës dhe masakruan rreth 350 shqiptarë. Ishin kryesisht anëtarë të familjeve fisnike në Prishtinë. Masakra ishte e përgjak­sh­me dhe i ngjau Natës së Bartolomeut. Për gjysmë shekulli nuk është shkruar për të. I ngjau masakrës së policisë sekrete ruse në pyllin e Katinit në Poloni në prill të vitit 1940. Rusët masakruan rreth 22 mijë oficerë dhe intelektualë polakë, që ishin antikomunistë dhe elitë ushta­rake e inte­lektuale e Polonisë. Masakra kundër fisni­këve shqiptarë në Prishtinë u mbulua nga masakrat e radhës. Pak ditë më vonë ndodhi rezistenca e Brigadës së Shaban Polluzhës në Drenicë, e cila përfundoi me masakër. Në këtë hark të shkurtër kohor, ndodhën masakra të tjera, si në Tivar, Gjilan, Tetovë, në të cilat u masakruan mijëra djemë të rinj shqiptarë. Pas masakrave të fisnikëve shqiptarë, masakrohej edhe djelmëria shqiptare. Të mos harrojmë një fakt. Kur u masakruan fisnikët e Prishtinës, regjimi komunist familjeve të tyre ua konfiskoi edhe pronat. Familjarët që shpëtuan gjallë migruan kryesisht në Turqi, Evropë dhe në Amerikë. Për gjysmë shekulli veçse është përshpëritur për ta. Veç ndonjë të afërmi të mbetur në Prishtinë, nuk kishte askush t’i vajtonte. Deri tash për këta fisnikë është shkruar pak dhe nuk është bërë asgjë. Shkrimtari i ndjerë Maksut Shehu, shkroi romanin “Qielli pa pëllumba”. Personazhet e romanit janë fisnikët prishtinas dhe u botua nga shtëpia botuese “Koha” në vitin 2010. Romani doli në dritë falë shkrimtarit Ibrahim Berisha, i cili e ruajti dorëshkrimin dhe u botua nën kujdesin e tij.”


Madje autori Bajram Mjeku në këtë shkrim, të cilit ia ka bashkëngjitur një fotografi të Prefektit të parë të Prishtinës, Hysen Prishtina, me bashkëshorten e tij italiane, Stela Velle, të vitit 1941, jep një propozim interesant, gjë që e kam përmendur edhe më lart, i cili kurrë nuk u realizua:


“Është në nderin e Kryetarit të Prishtinës dhe të Asamblesë komunale, që të ngrejnë një memorial përkujtimor për 350 anëtarët e familjeve fisnike në Prishtinë. Respekti për Prishtinën, shprehet vetëm kur respektohen fisnikët e saj, të cilët dikur Prishtinës i falën shkëlqim e fisnikëri. Por sot e asaj dite, secila qeveri komunale është treguar indiferente ndaj respektimit historik dhe kulturor të familjeve elitare të Prishtinës.”

 

Elita politike dhe intelektuale duhet ta ndërrojë qasjen

 

     David L. Philips, drejtori i Programit për Paqe dhe Drejtësi në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbisë, autor i librit “Çlirimi i Kosovës: Diplomacia e dorës së fortë dhe ndërhyrja amerikane”, mbështetës i të drejtës së Kosovës në legjitimitetin ndërkombëtar dhe kritik i politikave të Serbisë, në një artikull për Huffington Post, ka trajtuar pasojat e virusit të nacionalizmit serb:


“Spastrimi etnik në vitet ‘90, ideja e “Serbisë së madhe”, okupimi në Kosovë, veprimet e fundit të Beogradit, manipulimi dhe abuzimi me negociata, shkelja e sovranitetit të Kosovës, ndërhyrja në Mitrovicë, fushata kundër njohjes së Kosovës nga BE-ja etj., janë nxitje dhe rezultat i virusit të nacionalizmit serb, që destabilizon Ballkanin. Ai iu jep leksione jo vetëm Serbisë, por edhe vetë BE-së dhe Kosovës, se si duhet t’u qasen marrëdhënieve diplomatike.”[7]


Trajtimi i problemeve dhe i pasojave në kontekstin historik jugosllav dhe në kontekstin bashkëkohor të politikave të Serbisë është problem shumë kompleks dhe duhet të analizohet me metoda të reja, ndryshe nga ato neokoloniale. Problemi te historianët e Kosovës është se shumë prej tyre kanë ende qasje ideologjike dhe teknike, vetëm përshkruajnë ngjarje, pa arritur ta kuptojnë lidhjen shkak­ore sociologjike të tyre. Ajo që mungon sot është trajtimi sociologjik, diplomatik, religjioz, kulturor e politi­ko­logjik i historisë në kontekst të rrethanës së caktuar.


Gjeneratat e reja studentore duhet t’i qasen me meto­da të reja shkencore kësaj periudhe, sepse ka studi­me dhe analiza të besueshme që ndihmojnë kuptimin dhe shpjegimin e atij sistemi. Jo me prirje për të mitizuar, romantizuar e glorifikuar dhe jo me predispozita emocionale, paragjykime kulturore e qasje ideologjike, sepse ky model i takon së kaluarës./EPIQENDRA.COM


Referenca:


[1] Klan Kosova, “Prishtina e shekullit XX përmes fotografive - 31.05.2017”, https://www.youtube.com/watch?v=QLXa-zXOBmk


[2] Hivzi Islami, Studime demografike, ASHAK, Prishtinë, 2005.


[3] Hivzi Islami, Aspekti etnik i migrimeve - shqiptarët në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2012.


[4] Milazim Krasniqi, E KUJT ËSHTË KJO KULTURË, Logos-A, Shkup, 2015.


[5] Ismail Kadare, Identiteti Evropian i Shqiptarëve, Tiranë, Onufri, 2006.


[6] Ibrahim Berisha, Rrjetet e Kulturës (Mbylljet dhe Hapjet në Kosovë), Artini, Prishtinë, 2020.


[7] David L. Phillips, “The Virus Of Serbian Nationalism”, Huffington Post, 2018, https://www.huffpost.com/entry/the-virus-of-serbian-nati_b_14096026

Comments


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page