Pse në shoqërinë tonë kriminelët ndihen “të fortë” dhe shpallen “heronj”?
- infoepiqendra
- 3 days ago
- 8 min read
Updated: 1 day ago

Shkruan: Labinot Kunushevci
Në shoqëritë me krizë identiteti, mediat që kanë humbur rolin emancipues, i faktorizojnë kriminelët me modelin e njeriut që nuk i frikësohet ligjit e që nuk i bindet policisë. Vetë gjyqtarët, në shumë raste, u janë frikësuar duke u dhënë dënime të buta me gjoba të lehta, pa i dënuar me asnjë ditë burgimi, që rrethanat rënduese i kanë kthyer në rrethana lehtësuese, në mënyrë paradoksale - një recidivist me dhjetëra dënime të plotfuqishme e kanë dënuar si të ishte gjykuar për herë të parë. Prokurorë të paaftë, që frikësohen, shantazhohen e korruptohen për t’i liruar nga procesi ata që do të duhej të ndiqeshin penalisht - deri tek ato rastet kur gjykatësit janë frikësuar të dënonin apo të merrnin në gjykim një kriminel të njohur pa u përfshirë edhe ndonjë gjykatës ndërkombëtar.
Janë paraqitur si njerëz të paprekshëm, që kanë rehatinë të ecin lirshëm në rrugë pas çdo vepre penale, të cilat nuk i njohin dhe as i pranojnë si të tilla, duke menduar se vetëm vrasja është vepër kriminale dhe penale. Ekspozohen si personazhe me stile të ndryshme të jetesës luksoze e mafioze, që promovojnë jetën e natës, të rrethuar me sekserë problematikë, truproje e vetura luksoze, duke luajtur rolin e viktimës dhe duke arsyetuar armëmbajtjen pa leje për vetëmbrojtje.
Një shoqëri që nga frika i admiron, respekton, privilegjon dhe lartëson kriminelët, që u gjunjëzohet njerëzve potencialë për vrasje, që e arsyeton vrasjen dhe i gëzohet dhunës, që ndihet inferiore përballë “të fortëve”, që ua hap derën njerëzve që shiten si gangsterë, në të vërtetë vrasës, sekserë, diletantë, narko-dilerë, hajdutë e trafikues, thelbësisht analfabetë, nuk mund të ketë kurrë paqe.
Mafia dhe jeta prej gangsteri sjell vetëm arrestime e burgosje, vdekje e plagosje, makth dhe pasiguri, brutalitet dhe dhunë, kërcënime dhe përndjekje, shantazhe dhe korrupsion. Familjet mafioze dëmtojnë shoqëritë. Ato, edhe kur zhduken, lënë gjurmë të këqija. Ato, edhe kur shkojnë, lënë prapa mekanizma të sofistikuar të krimit për brezat e rinj që duan ta ndjekin modelin e tyre famëkeq. Nga kriminelë të rrugës, në krime të organizuara. Mos u çuditni kur në varrimet e mafiozëve shihni teksa marrin pjesë shumë njerëz, qajnë shumë njerëz, mbajnë zi shumë njerëz, flasin mirë për ta shumë njerëz. As kur i shihni ata sa janë të gjallë duke ecur me veshje elegante e me puro në gojë. Ata mund të jenë edhe donatorë të ndonjë projekti humanitar.
Shoqëri që i bën kriminelët të ndihen si elitë me autoritet që mund të hyjë me duartrokitje në kafenetë ekskluzive të kryeqytetit, si të ishin çliruesit e tij, e që në fund nuk njohin as polici as rregull. Sillen si të ishin vetë shteti, sepse nuk ka prokuror që guxon të ngrejë aktakuzë për ta e as gjykatës që guxon t’i dënojë maksimalisht, për t’ua dhënë një leksion të gjithë kriminelëve potencialë dhe mentalitetit kriminal se, nëse zhvillohen, do të kenë një përfundim të keq, sepse shtetin nuk mund ta sfidojë një grup prej disa kriminelëve, sado të sofistikuar e me pushtet të forcës, të kërcënimit e të infiltrimit të parave të jenë.
Ani pse ne jo rrallë herë kemi parë fenomenin kur policët janë bërë “të verbër” kur pranë tyre kanë kaluar gangsterët e famshëm. A thua pse? Sepse këta policë nuk mbrohen nga sistemi kur u rrezikohet jeta në ndjekje të kriminelëve. Se po të kishte sistem funksional, ne kemi policë shumë të përgatitur profesionalisht dhe shumë të guximshëm, që syri nuk u trembet, por guximi dhe profesionalizmi i tyre “hasin si sharra në gozhdë” në mungesë të një sistemi të sigurisë, atëherë kur dështon shteti.
Elitat politike nganjëherë janë të lidhura kokë e këmbë me elitat kriminale të “gangsterëve”. Madje jorrallëherë i ndihmojnë njëra-tjetrës. Politikanë frikacakë që paguajnë grupe mafioze “për t’ua ruajtur shpinën” dhe “për t’ua trembur armiqtë”! Mafiozë që flirtojnë me politikanë, me forcat e pushtetit, për të fituar sa më shumë “imunitet” para ligjit, sa më pak “gravitet” që të mos prekin në tokë e ta ndajnë bashkë “kulaçin” e krimit politiko-ekonomik.
Kriminelë, me aktgjykime të shpallura, të kthyer në makth për politikanë dhe drejtues të institucioneve të sigurisë, që kanë guxim edhe të arratisen “pa therrë në këmbë”.
Aty ku mungojnë elitat kulturore, shkencore dhe humane, lulëzojnë fytyrat monstruoze me jaka të bardha.
Kriminelët mund të marrin edhe përgjegjësi dhe pozicione institucionale, të fshihen nën petkun e humanistit, të shtiren si profesionistë që kanë aftësi këshilluese, por si sekserë të ndyrë, si servilë imponues, si tipa narcizistë, duan ta krijojnë opinionin se janë të rëndësishëm në shoqëri, se kanë lidhje të forta në krahun politik të oligarkëve, shprehur përmes ekspozimeve me figura publike, që një ditë, me monstruozitet potencial, të shpifin një heroizëm e të përfundojnë heronj të rrejshëm që lënë plagë të rënda në historinë e tragjedive.
E kur një kriminel duan ta relativizojnë apo ta shfajësojnë, e shpallin psikopat. Por psikopat nuk mund ta shpallë shoqëria. Atë e shpall diagnoza e një neuropsikiatri apo e një klinike neuropsikiatrike të licencuar.
Kur një kriminel i njohur, pas sa e sa krimeve të kryera, nëse vetëm një herë e bën një vepër humane që u pëlqen turmave, krejt krimet e tij harrohen, falen dhe ai fillon të admirohet nga turma idiote.
Kriminelët vuajnë kronikisht për vëmendje publike, e cila u jep një satisfaksion dhe adrenalinë, i trimëron në mënyrë rebeluese. I keni parë deklaratat e tyre sa irracionale dhe naive janë. Janë rebelë ndaj institucioneve dhe ligjeve. Ata duan t’i diktojnë shtetit rregulla se si të sillet me ta, se si të jetë i kujdesshëm me ta.
Është pikërisht turma me euforinë e saj dhe shpërthimin emocional që i glorifikon kriminelët, u jep mbështetje, u kushton këngë folklori, u thurë legjenda, i shndërron në mite dhe sensacione, i shndërron në heronj. Në të vërtetë turma është një marrëzi kolektive, që i vret për së gjalli njerëzit pa stabilitet mendor e me prirje kriminale, njerëzit me intelekt të dobët e me racionalitet të vdekur. I bën të besojnë se shteti është armiku i tyre, se janë viktima të një sistemi të padrejtë dhe se ata janë “idealistë” që vdesin për një “kauzë patriotike”. Nëse e shikojmë më hollësisht, kjo tipologji kriminale është thellësisht paranojake. Paranojat e tyre shndërrohen në mekanizma sulmues, që atyre u duken “vetëmbrojtës”.
Janë edhe vetëglorifikues, sepse fillojnë të besojnë se po bëhen “kurban i shoqërisë”. Ata e shohin veten në librat e historisë, në faqet e heronjve, teksa gjeneratat e ardhshme flasin për “sakrificat e tyre sublime patriotike”. Ëndërrojnë që një ditë do t’u ndërtohen shtatore dhe buste, që një ditë do të mbushen sheshet me turma që vijnë në përkujtim dhe përcjellje të tyre, që një ditë do të zënë lajmin kryesor në shtypin ditor. Kur jeta konceptohet në këtë mënyrë, kjo s’ka si të quhet ndryshe vetëm se një vetëvrasje patologjike.
Një ditë do të dalin në shesh fantazitë e tyre të çmendura!
Disa qytete apo zona urbane i kanë disa profile kriminale të identifikuara me nofka, që nganjëherë mund të jenë edhe narko-dilerë e recidivistë të rryer, që paraqesin rrezikshmëri të lartë.
E kaluara e errët e tyre kriminale përfshin rrahje, kërcënime, kanosje, vjedhje, shmangie tatimore - evazion fiskal, armëmbajtje pa leje, dëmtim të pasurisë, fshehje të provave, përsëritje të veprave, haraç dhe fajde. Në njërën anë shfaqin arrogancën e tyre injorante dhe idiote prej gangsteri, shtiren si njerëz të rëndësishëm, krekosen se kush u jep më shumë para këngëtareve e valltareve të natës në striptiz-kulturë, kush po paguan dhe po dehet më shumë me pije abuzuese alkoolike, kurse në anën tjetër kamuflohen në portretin e një artisti, të një qytetari aktiv, të një biznesmeni apo ironikisht edhe të një humanisti, sepse ndonjë familjeje rastësisht u japin ndihmë financiare, komunitetit mysliman ndonjëherë i shtrojnë iftar, nganjëherë shkojnë edhe në xhami për ta falur xhumanë, ndonjëherë në intervista e përmendin Zotin dhe kështu mundohen ta shpëlajnë veten. Unë nuk e di çka kërkon në xhami një person, nga dora dhe gjuha e të cilit nuk janë të sigurt të tjerët? Me fjalë popullore, “një zullumqar”. Dhe hoxhallarët nuk duhet të frikësohen prej tyre apo të ndihen inferiorë e t’i tolerojnë si të ishin pjesa normale e shoqërisë.
Mbi të njëjtët rëndojnë me dhjetëra vepra penale dhe krejt këto promovohen gjatë një interviste mediale nga llumi i gazetarëve dhe i moderatorëve. Po kjo media ata i paraqet si njerëz model, të suksesshëm, figura me peshë publike, duke krijuar stereotipin e një “krimineli ideal”, kurse për njerëzit e ndershëm e të devotshëm s’ka asnjë lajm, asnjë admirim, asnjë opinion, përveçse si tepricë e shoqërisë, që shikohen me syrin injorues.
Derisa televizionet kanë ftuar e promovuar në emisione gangsterë, vrasës, racistë, kriminelë lufte, recidivistë, dhunues grash, njerëz të korruptuar, njerëz të dyshuar për terrorizëm, për trafikim e për prostitucion, shërbëtorë të ish-regjimit, islamofobë që blasfemojnë, atëherë për cilën vlerë po flasim, për cilën liri dhe demokraci po flasim?
Më e keqja këtu është admirimi i kriminelëve për gjuhën e dhunës, të forcës, të kërcënimit, të linçimit, të cilën ata e bëjnë ndaj rivalëve e armiqve të tyre, gjuhë kjo që imitohet në sub-kultura të ndryshme adoleshentësh. Sepse televizioni ende përjetohet si një lloj autoriteti moral që përfaqëson të vërtetën morale.
Në një shoqëri tolerante ndaj krimit, monstrumët kanë shumë fat, sepse mbijetojnë gjatë me karrierën e tyre dhe procedurat penale policore, prokuroriale e gjyqësore i kryejnë si të ishin ceremoni.
Në një shoqëri që nuk bën kompromise me ligjin, këta do të ishin duke vuajtur dënimin ose shoqëria dhe media do t’i injoronte, duke i bërë të jetonin të getoizuar, në rast se vetë shteti nuk do të arrinte t’i korrektonte dhe t’i disiplinonte pas shumë dënimeve, protokolleve e procedurave. Sepse një qasje e gabuar stigmatizuese, kur kriminelët pas vuajtjes së dënimit nuk risocializohen, krijon kushte për përsëritje të krimeve dhe riprodhim të mllefit social.
Kriminelët nuk mund të jenë të famshëm në shoqëritë e qytetëruara dhe të zhvilluara, ose të paktën nuk mund të shndërrohen në fenomene sensacionale që eksitojnë publikun dhe që triumfojnë mbi ligjin dhe institucionet.
Sa shpesh bëhet kjo pyetje: Çfarë gjumi bëjnë kriminelët? A flejnë të qetë ata? Njëmend, a i vret ndërgjegjja ndonjëherë? “Ndërgjegje”, kjo fjalë e huaj për ta!
Ka një rregull që na tregon për fatin që i pret kriminelët: Zoti i lufton kriminelët me kriminelë të tjerë. Ata vrasin njëri-tjetrin. Pra, njohim shumë raste kur kriminelët janë eliminuar nga kriminelë të tjerë me të cilët kanë qenë në konflikt.
Snobizmi i shoqërisë arrin kulmin kur këto profile marrin miliona ndjekës. Në tregun medial të idiotëve, këta persona të guximshëm, që vazhdimisht kanë konflikte me institucionet dhe me ligjin, që krenohen me ekstravagancë dhe me dhunë, me brutalitet dhe me kërcënim, janë më të famshmit dhe sensacion i internetit.
Por nëse u afrohemi të famshmëve dhe ua shohim biografinë e tyre të vërtetë të skandaleve, të krizave dhe të veprave të tyre sekrete, do të shihni nga sa të pavlerë janë pushtuar televizionet tona; sa barbarisht përdhunues të vlerave estetike, qytetare e kulturore që janë; çfarë perversiteti medial e çfarë programe të pista; çfarë shfaqje artificiale e mashtruese – pseudo-artistike i ofrohen shoqërisë për konsum kulturor, që kalbëzojnë Mijëvjeçarin e Tretë që po e jetojmë.
Po jetojmë në një shoqëri që nuk ta pranon pendimin, që nuk ta falë mëkatin, që nuk ta korrigjon gabimin. Një shoqëri që i bullizon të penduarit, ata që duan të transformohen kulturalisht në jetë. Sepse në kujtesën dhe gjykimin e një shoqërie primitive do të ngelemi gjithmonë pasqyra e errët e së kaluarës së errët. Krimineli ngelet fat i dështuar. Nuk mund ta pranojmë që një njeri mund të bëhet më i mirë se ne. Shoqëria e ka të vështirë ta rehabilitojë dhe ta risocializojë një njeri me të kaluar kriminale.
Është mirë të lexohet historia e John Alite, një ish-mafioz amerikan dhe bashkëpunëtor i familjes kriminale Gambino, i cili u pendua, dëshmoi kundër familjes së krimit dhe ish-bossit të tij, John A. “Junior” Gotti, dhe u kthye së fundi në këshilltar bashkiak në komunitetin Englishtown në New Jersey. Ai tani u bën thirrje njerëzve të mos e ndjekin rrugën e tij të vjetër. Një transformim i rrallë: nga një person që shkelte ligjin në mënyrë mizore, tani në shërbim të ligjvënies. Pak kriminelë e ndjekin shembullin e tij në botë. E kanë shumë të vështirë të pendohen dhe të ndërrojnë kursin e jetës.
Shoqëria ndahet në dysh: një pjesë që e heroizojnë kriminelin duke e shpallur hero të përjetshëm dhe një pjesë që e linçojnë duke e shpallur kriminel të përjetshëm. Por asnjëherë ta pranojë brenda ekuilibrit./EPIQENDRA.COM
Comentários