top of page

“VDEKJA E KOLONISË”, libri që dokumenton kolonizimin e Kosovës 1912-1990

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 3d
  • 27 min read

Updated: 1d


Shkruan: Labinot Kunushevci


“The world knows so litle of the plight of Albanians”

“Bota di shumë pak për vuajtjet e shqiptarëve”

 

Michael Burawoy, “Global Dialogue” - ISA

 

Ishin këto fjalët e ish-kryeredaktorit të revistës presti­gjio­ze “Global Dialogue”, Michael Burawoy, nga Universiteti i Kalifornisë, pas leximit dhe redaktimit të intervistës sime me profesorin e Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Berisha, për trashëgiminë e kolonializmit serb në Kosovë, gjatë komunikimit që kisha me të në shtator të vitit 2017.

 

Një libër unik shumëdisiplinor dhe multidimensional, ndryshe nga librat e historisë

 

Për t’i kuptuar fjalët e z. Burawoy, ish-president i Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, duhet t’i referohemi librit të autorit Berisha “VDEKJA E KOLONISË”, për t’u kthyer tek intervista dhe botimi i saj në 17 gjuhë të botës. Këtë recension me shumë respekt ia kam dedikuar veprës së tij, e cila në shqip është botuar në revistën shkencore “Vizione”.[1]


Veçantia e librit të tij “VDEKJA E KOLONISË” qëndron në faktin se është një studim shumëdisiplinor dhe multi­dimensional, që dekonstrukton mitin serb për Kosovën, duke shpjeguar dhe argumentuar efektet politike, historike, sociale, kulturore, arsimore, ekonomike, urbane e rurale të manifesteve dhe elaborateve që nga viti 1844 e tutje, të cilat janë shndërruar në projekte dhe vizione politike shtetërore në funksion të ekspansionit dhe kolonizimit të Kosovës dhe territoreve shqiptare në periudhën 1912-1990.


Sa injorantë naivë janë ata që akuzojnë shqiptarët pse nuk arritën t’u rezistojnë forcave pushtuese serbe apo të konsolidojnë një identitet kombëtar më herët, kur dihet se në të njëjtin vit, 1844, Serbia përgatiste elaboratin për zhdukjen e shqiptarëve “Naçertanje” të I. Garashaninit, shqiptarët me kontributin e Naum Veqilharxhit formuan abetaren e parë shqipe. Pra, shqiptarët konsolidonin shkronjat e para, ndërsa serbët filluan të realizonin projekte nacionale të spastrimit etnik, filluan t’i tregojnë dhëmbët prej përbindëshi të nacionalizmit të tyre, në të njëjtin vit. E ne mburremi me “argumentin e lashtësisë shqiptare”, për një kohë pa identitet, pa kulturë, pa gjuhë, pa elita, thelbësisht të ekskomunikuar e nën grahmat e asimilimit serb.


Sigurisht se edhe jetesa e gjatë e përvuajtur nën pushtimet e huaja, romanizimi dhe helenizimi i egër, integrimi në fenë ortodokse dhe në Qytetërimin Bizantin na pengoi të përfitonim nga lëvizja kulturore e Humanizmit dhe Renesancës. Por kjo asnjëherë nuk i bëri të gjithë shqiptarët inferiorë.


“Në vitin 1908 formohet organizata terroriste, “Narodna Odbrana”, shef i së cilës emërohet krimineli Bozhidar Jankoviq. Kjo organizatë infiltronte grupe kriminelësh në Kosovë për të ushtruar terror. Në vitin 1911 formohet organizata tjetër terroriste, “Dora e Zezë”, e cila udhëhiqej nga terroristi Dragutin Dimitrijeviq – Apisi. Pastaj organizata “Cërna Ruka” etj.”[2] 


Rezistenca shqiptare intelektuale, politike dhe ushtarake, për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, është vërtet një model i jashtëzakonshëm në historinë shqiptare.


“Pasi shqiptarët formuan Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës – KMKK (1918-1924), me kryetar Kadri Prishtina e në përbërje ishin Hasan Prishtina, Rexhep Mitrovica, Mehmet Delia, Bajram Curri, Bedri Pejani, Azem Bejta etj. UÇK-ja është vazhduese e luftës çlirimtare të Isa Boletinit, KMKK-së (1918-2024), Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943), Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (1945), kryengritjes së Drenicës të udhëhequr nga Shaban Polluzha.”[2] 


Andaj, libri “VDEKJA E KOLONISË” dallon nga shumë libra të tjerë të historisë që dominohen nga kulti i individit, protagonizmi, mitizimi, glorifikimi, romantizmi, narracionet fiktive, traj­ti­mi dogmatik, tregimet lineare pa përfshirë shumë­dimen­sio­nalitetin e një ngjarjeje, kohe e personaliteti, nëpërmjet të cilave shpjegohet e kaluara. Në fakt, sipas autorit Berisha, librave të historisë sot u mungon historia e letërsisë, kulturore, diplomatike, arsimore, antropologjike, një his­to­ri që kombinon fushat dhe disiplinat shkencore, si sociologjia, antropologjia, psikologjia, filozofia, letërsia, e drejta, dip­lo­macia dhe një histori që i shpjegon gjërat në kontekstin e rrethanave specifike, ndryshe nga ajo komuniste, e cila është shkruar me premisa ideologjike, fetare e politike.


Në diskurset që prodhohen nga media të ndryshme dhe tekste të historisë vërejmë mungesë të kritikës shkencore në raport me ish-sistemet politike. Ka një dominim të rrëfimeve fiktive, të historive të njëanshme, nga tekste ku mitizimi, glorifikimi, protagonizmi, kulti i individit janë dominues.


Në fakt, ka një diskurs që trajton vetëm anën formale të sistemit të Jugosllavisë, disa elemente që janë përjetuar si përfitime: shkollimi pa para, mjekimi pa para, udhëtimi pa viza etj., dhe në këtë mënyrë është ripro­dhuar nostalgjia për atë sistem, ndihmuar edhe nga thyerja e iluzioneve që ka ndodhur pas luftës së vitit 1999 për shkak të mosrealizimit të pritshmërive për mirë­qenie më të mirë, duke krijuar opinionin dhe gjy­ki­­min që ai sistem ka qenë liberal.


Ndërsa autori Berisha, me qasjen e tij kritike, me metodologjinë e tij dokumentuese dhe hulumtuese arki­vore e studimore mbi 20-vjeçare duke përdorur mbi 400 referenca dhe me kuptimin e tij shkencor sociologjik, kulturologjik e komunikologjik trajton anën thelbësore të sistemit, atë të pabarazisë, duke filluar librin me përvojën koloniale të familjes së tij, ku xhandarët serbë të familjes kolonialiste Gjorgjeviq nga Kraleva e Serbisë, ua kishin marrë tapitë e tokave dhe të kullës, malet dhe vreshtat. Ai tregon se si babai i tij mësues u dënua si nacionalist, si pjesë e një organizate kundër rikolonizimit serb, ku nga tortura e dënimit ia kishin nxjerrë thonjtë në burg kur ishte vetëm 18-vjeçar.


Berisha bashkë me ekipin e tij profesional, edhe në rrethanat më të vështira të vitit 1993, në kohën kur drejtonte Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), ka botuar në gjuhën angleze librin “Serbian Colonization and Ethnic Cleansing of Kosova” për krimet e Serbisë koloniale.


Ndërsa në librin “VDEKJA E KOLONISË”, të botuar në vitin 2016, i cili është botuar edhe në anglisht me titull “Death of Colony” në Houston, Texas, të ShBA-së, në vitin 2019, ka trajtuar: pabarazinë; propagandën; kultin dhe glorifikimin e diktatorit Tito dhe të liderëve jugosllavë; elaboratet; tendencat për krijimin e Serbisë së Madhe; krimet e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe të Jugosllavisë; seg­regacionin; diskriminimin; ekskomunikimin; dehuma­nizimin; hegjemonizmin; urrejtjen patologjike e fashiste; mitin serb “Kosova është Serbi” dhe “Kudo ku ka një varr serb është Serbi”; inferioritetin e shqiptarëve (të kolonizuar) dhe superioritetin e serbëve (kolonialistëve); privilegjet e profilit serb dhe diskriminimin e profilit shqiptar në administratën dhe institucionet shtetërore; ekspansionin kulturor dhe arsimor; shkatërrimin e kulturës, traditës dhe gjuhës së shqiptarëve; spastrimet etnike; shpërnguljet dhe deportimin e shqiptarëve për në Turqi; vrasjet masive të civilëve pa faj dhe burgosjet pa gjyqe; aksionet e armëve; ndërrimin e identitetit kom­bë­tar si strehë për të ikur nga dhuna; ndalimin e shkollimit; propagandën se shqiptarët janë të paaftë të arsimohen dhe se “gratë shqiptare janë makina që lindin” (si luftë kundër natalitetit shqiptar); rrjetin e spiunazhit; masat e dhunshme; terrorin dhe dhunën e strukturuar; shkatërri­min e strukturave dhe resurseve urbane e rurale; aparteidin; ardhjen e mijëra familjeve kolonialiste (kryesisht serbë, por edhe malazezë, hercegovinas, kroatë, sllovenë - vendosja e 13.500 famil­je­ve kolonialiste serbe e malazeze në Kosovë ndërmjet dy luftërave) dhe vendosjen e tyre në pozicionet strate­gjike të rrugëve dhe të burimit të ujit në Mbretërinë e Jugoslla­visë dhe në qytetet e mëdha ku koncentrohet elita burokra­tike, gjykatësit, ushtarakët, administratorët, në periudhën e Titos; pushkatimin e familjeve bërthamë dhe elitare të Prishtinës; uzurpimin e pronave; eksploatimin ekonomik; ndikimin dhe lojërat politike të fuqive ballkanike dhe evropiane në favor të Serbisë; tendencat për depërtimin fizik në Jug - Detin Adriatik dhe në Mesdhe; diskursin zyrtar 200-vjeçar të artikuluar me ndihmën e politikës, të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe të akademikëve për paraqitjen e serbëve si viktimë karshi popujve të Ballkanit, i cili është shndërruar në politikë zyrtare shtetërore dhe sistematikisht ka ndihmuar në krijimin dhe arsyetimin e konflikteve.


"DEATH OF COLONY" - botuar në Houston, Texas, të ShBA-së, në vitin 2019.
"DEATH OF COLONY" - botuar në Houston, Texas, të ShBA-së, në vitin 2019.

Propaganda ideologjike: ekskomunikimi, fshirja e kujtesës historike dhe e gjurmëve kulturore

 

Autori Berisha shpjegon edhe periudhat kur shqiptarët kanë filluar të frymojnë më lirshëm, të krijojnë iden­ti­tetin e tyre, ndonëse disa prej tyre ose janë minimizuar ose janë glorifikuar, fakte këto të gjetura në arkiva nga hulumtimi i tij.


Si, për shembull, në kohën kur Perandoria e Austro-Hungarisë vuri nën administrim Kosovën në vitet 1916-1918 dhe shqiptarët e Kosovës krijuan adminis­tratën në gjuhën shqipe dhe themeluan shkolla në gjuhën shqipe.


Në periudhën e fashizmit italian dhe pushtimit gjerman 1941 - 1944, kur u hapën shumë shkolla, biblioteka, radio.


Në vitet 1967 - 1981, periudhë e ekspansionit masiv kulturor dhe arsimor të shqiptarëve për të zënë hapësirat që u kanë takuar, si për shembull: hapja e Universitetit të Prishtinës si nus-produkt i presionit të drejtpërdrejtë të Amerikës mbi Jugosllavinë për faljen e borxheve miliardëshe përmes Marrëveshjes së Helsinkit, që nxiste fillimin e demokra­ti­zimit të shoqërisë në aspektin e pronës, minoriteteve, lirive më të mëdha për komunitetet, ku pikë reference kanë qenë shqiptarët, sepse kanë qenë më të shtypurit.


Konstruktimit dhe realizimit të politikave dhe sistemit kolonial i kanë shërbyer shumë ideologji.


“Në programet e propagandës dhe ideologëve të nacionalizmit serb, të institucioneve dhe të partive, janë të gërshetuara racizmi, shovenizmi, klerikalizmi, fashizmi, komunizmi dhe ideo­logji të tjera, të cilat i shërbejnë një qëllimi, për të nxitur ndjenjën dhe emocionin “patriotik” të qytetarit në përgjithësi, ndërsa më herët, të fshatarit të thjeshtë serb.”[4]


Përveç tyre, ato që i dhanë forcë dhe shtytje poli­ti­kave koloniale ishin dekretet dhe ligjet, të nxjerra nga qeveritë serbe dhe ajo jugosllave pas vitit 1918, sidomos ndërmjet dy luftërave, duke varfëruar pronarin shqiptar. Për shembull, një i tillë u quajt “Dekretligj mbi koloni­zimin e viseve të posaçliruara dhe të bashkuara në Mbretërinë e Serbisë”. Ngjashëm me zonën e Dukagjinit, e cila u okupua nga malazezët. Dhe kështu pasuan dekretligjet e tjera, të cilat ndikuan që kolonialistët t’i merrnin shumicën e tokave të shqiptarëve.


“Në fakt, politika e zbatuar nga Sllobodan Millosheviqi në Kosovë në vitet 1989-1999 pati për qëllim ndërlidhjen e përvojave mesjetare të shfarosjes së shqiptarëve me projektin modern të shek. XX, të skicuar me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.”[2]


Ibrahim Berisha - Autori i librit "VDEKJA E KOLONISË"
Ibrahim Berisha - Autori i librit "VDEKJA E KOLONISË"

Autori në libër përmend disa fakte se si nën efektin e indoktrinimit ideologjik, gabimisht e kemi festuar datën e themelimit të radios së parë, gabimisht i kemi atribuuar meritat për hapjen e shkollave dhe të arsimimit shqip, dhe në anën tjetër, figura shumë të rëndësishme shqip­tare i kemi lënë në harresë të historisë, në fatin e eksko­mu­nikimit, të cilët kanë bartur peshë të madhe nacionale, si, fjala vjen, Hasan Prishtina, dhe kemi kri­juar mite e kemi glorifikuar figura të tjera shumë më pak të rëndësishme, për shkak të veprimeve atipike, të cilave u janë kushtuar edhe këngë folk-patriotike e heroike.


Në anën tjetër, studiuesi Milazim Krasniqi përmend se Isa Boletini ishte nacionalist tradicional shqiptar, Kadri Prishtina ishte nacionalist demokrat, Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva ishin nacionalistë të djathtë, Shaban Polluzha ishte antifashist, Gjon Serreçi ishte nacional-demokrat.


Ka një gjë që studimet dhe hulumtimet si këto të profesor Berishës do të kishin një vlerë të shtuar, sikur të kombinoheshin me rrëfimet e përvojave të njerëzve të prekur nga procesi i kolonizimit. Pra, një libër apo studim i ardhshëm me fakte, referenca e shpjegime të kombi­nohet me dokumente arkivore dhe të mbështetet me rrëfime reale të njerëzve që i kanë përjetuar politikat koloniale. A thua a do të realizohet kjo ide ndonjëherë? Sa më shumë që kalon koha, vdesin kryefamiljarët që kanë kujtesa dhe përvoja personale ose familjare koloniale.


Autori Berisha e shpjegon gjithë këtë komp­lek­sitet të së kaluarës koloniale dhe mungesën e një strategjie dhe politike nacionale me konce­ptin e neokolonializmit. Madje elementet e vetëdijes neoko­lo­niale, ai sot i vëren në mënyrën se si komunikojmë ndërmjet vete në politikë, në ekonomi, në kulturë; se si paraqitemi inferiorë në raport me të huajt; se si paraqitemi indiferentë dhe nuk vetëvendosim kurrë për asgjë, ndërsa presim gjithmonë që punët tona t’i kryejë dikush tjetër; se si kopjojmë dhe improvizojmë.


Është fakt se kolonializmi serb kishte tendenca të një ‘etnocidi’ për zhdukjen e gjurmëve kulturore dhe kujtesës historike në periudhën pas 1912-ës, në mënyrë që Kosova të përputhet me mitin, që Kosova të bëhet vetëm e serbëve dhe që të krijohet një entitet homogjen që realizon idenë e kombit-shtet. Ndërsa libri i autorit Berisha riaktualizon dhe ringjall faktet për gjurmët kulturore, identitare dhe kujtesën historike, si elemente defansive ndaj kolonializ­mit me bazë ideologjike.


Gjithmonë duke pasur parasysh edhe faktin e kolonizi­mit kulturor, tendencës për fshirjen, fshehjen apo ndryshimin e gjurmëve kulturore, përmes vendimeve - kufizimeve që merrte Mbretëria Jugosllave, përkatë­sisht ndalimit të gjuhës shqipe jo vetëm si proces edukativ që mësohet në shkolla, por edhe si përdorim i përditshëm publik. Këtë e shpjegon autori Berisha, në studimin e tij më të ri “Rrjetet e Kulturës”, libër që trajton pasojat e kolonializmit kulturor, i botuar katër vjet pas librit “VDEKJA E KOLONISË”.


“...ndalohej, penalizohej dhe gjobitej për­­dorimi i përditshëm i gjuhës shqipe në rrugë, ndalohej komunikimi shqip në çdo rast publik e administrativ, nda­lo­hej përdorimi i gjuhës amtare në familje, në tregje, kudo. Pengoheshin rrugët dhe kanalet prej nga vinin librat shqip, që të mos shtrihej libri shqip, i cili digjej e konfiskohej, ndërsa atyre që u gjendeshin librat, gjobi­te­shin me të holla. E ata që dëgjoheshin duke folur shqip, rriheshin dhe torturo­heshin fizikisht. Xhandarmëria serbe ndalonte çdo element që asoconte me identitetin shqip­tar, ndër to plisin dhe veshjen kombëtare. U ndalua dhunshëm mbajtja e plisit dhe u zëvendësua me kapelat serbe. U tentua edhe ndërrimi i emrave dhe mbiemrave. Mbiemrave iu shtua prapashtesa “viq”, si tendencë sllavizimi.”[6]


Kishte shumë tendenca sllavizimi e ekskomunikimi për fshirje të gjurmëve kulturore dhe memories kolektive, fakteve dhe dëshmive, përmes ndërhyrjeve, përvetësi­meve e censurave të dhunshme e arbitrare, që praktikisht ishin një aparteid kulturor.


U eliminuan përmbajtje të letërsisë shqipe duke u zëvendësuar me përmbajtje të autorëve serbë, malazezë e maqedonas. Në letërsi janë censuruar e hequr pjesë nga poezitë e autorëve si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Filip Shiroka dhe Ndre Mjeda.[6] Kështu tentuan t’i domi­nonin programet e mësimit në gjuhën shqipe me le­tërsi jugosllave. Dhe ky diskriminim i letërsisë dhe gjuhës, po edhe i historisë, ishte politikë zyrtare shtetërore.


Censura vazhdon: në Gazetën “Rilindja” ka ndodhur të futeshin dhunshëm shkrimtarë serbë e jugosllavë, që kishin ndikim në gjuhë, letërsi dhe histori. Rrënuan dhe zvogëluan sistemin e bibliotekave, kufizuan numrin e librave në biblioteka, asgjësuan dhe spastruan kolek­sione e vepra të autorëve shqiptarë, si tendencë për konstituimin e “kulturës unitare jugosllave”. Ndërsa në anën tjetër, kanë përjashtuar profesorë të shquar nga Universiteti i Prishtinës, me arsye­t­imin e bashkëpunimit të tyre me Shqipërinë, si Ali Hadri, Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Mark Krasniqi etj. Dhe vetë UDB-ja (Shërbimi Informativ) ka përcjellë intelektualë shqiptarë teksa blinin e lexonin libra. Shitësve u kërkohej emri i atyre që parapaguheshin në “Rilindje”, ndërsa redaksinë e gazetës e përgjonin.


“Që nga viti 1913 janë marrë artefakte në Kosovë dhe janë dërguar në Serbi nga plaçkitës në emër të hulum­timit e zbulimit dhe janë përvetësuar ose pronësuar nga muzetë, kryesisht të Serbisë. Tek në vitin 2002 është kthyer në Muzeun e Kosovës, origjinal, “Hyjnesha në Fron”, i vetmi objekt i kthyer nga 1248 artefakte që janë plaçkitur nga Kosova gjatë viteve 1998-1999, gjatë masave të dhunshme, të ekspozuara tani në muzetë kryesore të Serbisë.”[6] 


Sipas Berishës, ky është një nga shumë shembujt e tendencave për përvetësimin e arkeologjisë, trashëgimisë dhe arkitekturës.


“Rëndësia e madhe që shteti serb i jep përvetësimit të arkeologjisë së Kosovës dhe jo vetëm arkitekturës së periudhës mesjetare, siç pretendohet përsëritshëm në diskursin politik të Serbisë, më së miri tregohet përmes listës aktuale të trashëgimisë kulturore të këtij shteti. Kjo listë, e bërë publikedi nëpërmjet bazës digjitale të të dhënave të shtetit serb, përmban 386 lokalitete të tra­shë­­gimisë kulturore të ndodhura në territorin e Kosovës, apo 30 për qind nga gjithsej 1281 monumente sa përmban e gjithë lista aktuale e monumenteve të Serbisë.”[9]


Jugosllavia kishte një qëllim: të mohojë dhe injorojë punën e institucioneve kulturore, arsimore e mediale para se ta merrnin pushtetin komunistët jugosllavë. Pra, historia fillon me komunistët jugosllavë. Dhe këtë u munduan ta impononin përmes ndërrimit të fakteve dhe qëndrimeve publike, duke mohuar shumë fakte, ndër to, faktin se radioja shqipe ka filluar në vitin 1941, para ripushtimit jugosllav të komunistëve.


“Kishte tendenca edhe për ndërrimin e emrave të disa institucioneve edukative-arsimore në Kosovë, si kërkesë e grupeve serbe e malazeze të nxënësve-prindërve. Këto kërkesa janë mbështetur nga grupe të caktuara të nxënësve dhe prindërve serbë dhe malazezë që nuk donin të mësonin në shkollat me emrat e persona­li­te­teve shqiptare, të cilët nuk donin të identifikoheshin me vlerat jugosllave. Në këtë listë janë vënë emrat e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, Azem Bejtës dhe Shote Galicës. Arsyetimi që jipej në këtë informatë ishte se deri te këto propozime ka ardhur bazuar në një studim shkencor.”[10]


“Në Seminaret Ndërkombëtare që i kushtoheshin gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, kontrolloheshin mysafirët e ftuar, sidomos kishte një presion dhe përcjellje ndaj studiuesve të huaj, të cilët hezitonin të merrnin pjesë. Shumica e atyre që merrnin pjesë, vinin nga shtete të cilat kishin marrëdhënie të mira me Jugosllavinë, si: BRSS, Greqia, Italia, Rumania, etj.”[11]

 

Fajtori i privilegjuar, viktima inferiore

 

Edhe pse në politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ka një prirje për t’i ikur së kaluarës koloniale që të mos trajtohet si temë, kjo në fakt nuk është në dobi të gjeneratave të reja. Vërehet një tendencë për krijimin e një vetëdijeje të re nacionale duke e fshehur, eksko­mu­nikuar e margjinalizuar faktin e kolonializmit, faktin se Serbia duhet ta pranojë gjenocidin që e ka kryer, të kërkojë falje dhe të ndëshkohet nga drejtësia ndërkombëtare, ta pranojë realitetin e luftës, të konfliktit shqiptaro-serb, të krimeve serbe dhe të pasojave të tyre, të cilat janë shndërruar në fantazmë.


Serbia sot udhëhiqet nga nxënësi i Millosheviqit dhe i Sheshelit, një sharlatan, mbetje e Jugosllavisë, Aleksandër Vuçiq, i cili mbijeton në diskursin ndër­kom­bëtar me lojërat e tij kundër shteteve që udhëhiqen nga shqiptarët dhe me skandale të vazhdueshme përmes ndërhyrjeve banale dhe brutale në Kosovë, me të cilat dëshiron ta testojë reagimin e Administratës së ShBA-së, me retorika demagogjike, duke ndikuar kështu edhe në agjendat e shtetit të Kosovës. Por në fakt ai ka peshë fare të vogël ndër­kombëtare, saqë injorohet edhe nga disa shtete të rajonit, përveç shqiptarëve.


Serbia është një shtet që ka probleme me të gjithë. Një shtet që nuk e pranon realitetin dhe nuk u përshtatet ndryshimeve, sepse për këto 30 vitet e fundit e gjithë bota ka ndryshuar, ndërsa Serbia vazhdon të jetë e njëjta, me të njëjtën gjuhë, me të njëjtën urrejtje, me të njëjtat përralla, me të njëjtin mit, me të njëjtat halucinacione, me të njëjtin viktimizim, me të njëjtat standarde të dyfishta, ku me ndërkombëtarë sillet si perëndimore, ndërsa me rusët sillet si pan-sllave. Një “gullash” i përzier me demokraci dhe pan-sllavizëm. Pra, sillet brenda një rrethi vicioz ideologjik dhe politik. Serbia është shteti më i kalbur në botë sot.


Sot nuk është patriotizëm nëse ne merremi pa kurrfarë kriteri me Serbinë dhe me Vuçiqin. Patriotizëm është nëse e injorojmë dhe nuk e përfillim as Serbinë e as Vuçiqin dhe i rregullojmë punët tona, e forcojmë shtetin dhe institucionet, sundimin e ligjit, e luftojmë krimin dhe korrupsionin me të gjitha dukuritë e tjera negative, e rrisim cilësinë e një sis­te­mi të vlerave dhe sistemi të edukimit, e avan­cojmë kulturën dhe arsimin, i respektojmë përgjegjësitë publike, i ndëshkojmë të gjithë ata që i keqpër­dorin detyrat dhe përgjegjësitë publike, i përkrahim talentet dhe e parandalojmë migrimin e profesionistëve – ikjen e trurit, e avancojmë diplomacinë me personalitete kompetente që kanë poten­ciale shkencore diplomatike.


Por Vuçiqi, duke e ditë se te shqiptarët folklori ende përjetohet si patriotizëm, se shqiptarët bien lehtë nën ndikimin emocional, se shqiptarët provokohen lehtë ku me një hedhje guri merren gjithë ditën me të, në këtë mënyrë ata i shkatërrojnë energjitë dhe potencialet e veta emancipuese. Pra, duke u marrë me provokime, skandale, simbolika, diskurse të kota, folk-patriotizëm, agjenda të imponuara, ata nuk emancipohen. Sepse ndjenja e inferioritetit post-kolonial është pengesë në emancipimin shoqëror dhe i vetmi sukses që tani mund ta arrijë Serbia. 


Serbia ende nuk e njeh shtetin e Kosovës. Serbia lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkom­bë­tare si UNESCO dhe INTERPOL. Ajo lobon kundër njohjeve për Kosovën. Madje sipas Serbisë, falë fushatës së saj, deri më tash, 18 shtete kanë tërhequr njohjet për Kosovën.[12] Serbia propagandon me mjetet, gjuhën dhe logjikën e trashëguar dhe të ripro­dhuar nga regjimi i Millosheviqit, me shumë ele­mente neokoloniale, në më­ny­rë shumë agresive, shumë sofistikuese diplomatikisht.


Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në luftën e fundit. Nuk ka shprehur as keqardhje e as pendesë. Nuk e pranon që ka ushtruar gjenocid dhe që ka synuar spastrim etnik. Nuk ka dëmshpërblyer “plagën historike të dhunës”. Ende nuk ka dhënë përgjegjësi për mbi 1600 të pagjetur. Kosova ende nuk e ka paditur Serbinë për krimet dhe për gjenocidin e kryer. Serbia ende nuk e ka marrë dënimin e merituar nga drejtësia ndërkombëtare.


Shikoni çfarë fjalë poetike na dhuroi i madhi Ali Podrimja:


“Kosovë! Ne themi, se ti je djep i shqiptarisë. Ata thonë, se ti je djep i Serbisë! Si ka mundësi të jetë një djep, që lind dy binjakë; njëri, që pin tambël e tjetri, që pin gjak?!”


Në histori njohim shembuj të ndryshëm, përveç Serbisë fanatike, që nuk e njohin gjenocidin e tyre të kryer, qoftë edhe pas një shekulli, si Turqia, që nuk e njeh gjenocidin armen që e ka shkaktuar në Armeni, të kryer në vitet 1915-1920. Por shembulli i Gjermanisë është tjetër, pasi viteve të fundit ka pranuar që, në vitet 1904-1908, ka kryer gjenocidin famëkeq kundër fiseve indigjene Herero dhe Nama në Naimibi (ndoshta gjenocidi i parë i shek. XX) që u rebeluan kundër kolonizimit gjerman dhe ka pranuar pas shumë negociatave dhe ofertave ta dëmshpërblejë përmes ofrimit të programeve në vlerë 1.1 miliard eurosh.[13] Edhe Serbia, herët a vonë, duhet ta dëmshpërblejë Kosovën për dëmet gjenocidale të kryera, sepse i ka borxh Kosovës miliarda euro.


Madje kemi vërejtur një relativizim të fajit të krimi­ne­lëve, sepse në Serbi vazhdojnë të qëndrojnë të rehabi­li­tuar shumë kriminelë serbë që kanë kryer krime në Kosovë, ndërsa akuzohet dhe sulmohet rezistenca e pashmangshme dhe e domosdoshme, lufta e dinjitetshme në mbrojtjen e Kosovës, në mbrojtjen e civilëve shqiptarë të pafajshëm. Kjo e ka pozicionuar Kosovën në pozitë inferiore dhe e ka kushtëzuar dialogun pa kushtin e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, ku Serbia gjithmonë është favorizuar dhe ka përfituar. Dhe qeveritarët kosovarë vazhdojnë me iluzio­nin se Serbia do ta njohë Kosovën shumë shpejt. Ajo nuk do ta njohë as shumë ngadalë. Sepse miti serb vazhdon të jetë politikë zyrtare dhe Rusia vazhdon ta ketë ndikimin e saj.


Tani do t’ju tregoj edhe për një përvojë komunikimi që gjatë muajit mars 2025 kisha me Dr. Gregory H. Stanton, presidentin themelues të organizatës “Genocide Watch”, kryetarin e “Aleancës Kundër Gjenocidit”, organizatës më të madhe në botë, që denoncon dhe adreson gjenocidet në botë. Duke qenë se në disa analiza të mia sociologjike kam përdorur disa referenca nga kjo organizatë, ndër të tjerash, hasa në një raport të tyre të publikuar me titull “Country Report: Kosovo - November 2020”, ku ndër të tjerash shkruante: “UÇK-ja ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë”.


Në rolin dhe kompetencën e një sociologu që është marrë në mënyrë studimore me problemin shqiptaro-serb, përgatita një reagim, më 3 mars 2025, duke i shkruar presidentit Stanton një e-mail me vërejtjet e mia dhe duke i kërkuar që ta korrigjonin këtë akuzë, por sigurisht se përgjigjja e tij ishte ashtu siç e prisja, që ta mbronte raportin e tij në mënyrë tendencioze, raciste dhe të njëanshme.


Kur e pashë joseriozitetin e tij, nuk i ktheva më përgjigje, ndonëse fatkeqësisht këto raporte dhe organizata ndërkombëtare kanë një ndikim apo referencë në akuzën kundër UÇK-së dhe në proceset gjyqësore kundër krerëve dhe të të akuzuarve të UÇK-së, e cila në të vërtetë ishte një ushtri që i rezistoi një agresioni kriminal serb dhe nuk mund të barazohet assesi në të njëjtën peshore apo raport me shtetin gjenocidal.


Stantonit ia rikujtova se Tribunali i Kosovës në Hagë, bazuar në raportin e Dick Martyt për trafikimin e dyshuar të organeve në Kosovë, i cili implikonte anëtarë të rangut të lartë të UÇK-së, fabrikonte akuza për krime lufte – një përpjekje e ndikuar edhe nga faktorë e agjenda të ndryshme.


Një përpjekje e tillë ka rrezik të rishkruajë historinë; ta deformojë të vërtetën e luftës; ta diskreditojë UÇK-në; ta dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës; t’i pengojë aspiratat e Kosovës për integrim euro-atlantik; të krijojë imazh, perceptim dhe gjykim negativ mbi narrativen e luftës dhe mbi lirinë dhe paqen e cenuar të shqiptarëve. Nëse UÇK-ja, e cila doli nga populli shqiptar, paska kryer “krime lufte”, atëherë a e ka merituar ky popull ndërhyrjen e NATO-s për ta çliruar?


Duhet bërë një dallim i qartë ndërmjet përgjegjësisë penale individuale dhe fajit kolektiv. Çdo krim i mundshëm i kryer nga individë nuk duhet të përdoret për të njollosur legjitimitetin, dinjitetin ose rezistencën e UÇK-së në tërësi. Raporte dhe studime të shumta ndërkombëtare tregojnë se UÇK-ja nuk mund të akuzohet për krime sistematike kundër serbëve në Kosovë. Akuzat rrjedhin nga propaganda, pretendimet e dyshimta, drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta. Një gjuhë e tillë është paragjykuese dhe joprofesionale.


Është produkt i narratives së ndërtuar kundër UÇK-së – një përpjekje për ta relativizuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë duke barazuar autorët e mizorive masive me ata që i rezistuan brutalitetit kundër civilëve. Dallimi është themelor - historik, njerëzor, strukturor, politik dhe ideologjik. UÇK-ja nuk ishte ushtri kriminale, ndonëse pjesëtarë të caktuar mund t’i kenë shkelur rregullat e luftës. Këtë dallim nuk di ta bëjë “Genocide Watch”, e cila në vete bart 31 vende nga e gjithë bota, në një aleancë me 125 organizata.


Prandaj vetëm integrimi i dy shteteve në BE dhe NATO mund të garantojë një lloj paqeje. Por edhe vetë BE-ja sot është në krizën më të thellë të saj, sepse një Bashkim Evropian do të ishte shumë më i fuqishëm po ta kishte sot Britaninë dhe Turqinë brenda, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Kur kemi parasysh faktin se tri fuqitë kryesore të NATO-s (ShBA-ja, Turqia dhe Anglia) janë vende që nuk janë pjesë e BE-së, atëherë për cilën fuqi evropiane po flasim? Kur këto shtete të udhëhequra nga liderë, diplomatë e euro-deputetë sharlatanë e demagogë, të cilët po e humbin dita-ditës besimin te qytetari evropian dhe ky mosbesim po transformohet në riorientim të ri elektoral, pasi e kanë futur Evropën në një krizë të thellë strukturore e ekonomike, e kanë kthyer nga një shpresë në një iluzion, shtete të cilat s’kanë qenë në gjendje ta paguanin as 2% të GDB-së për NATO-n, ndërsa Trumpi u kërkon të paguajnë 5%. Atëherë, për cilën fuqi po flasim? Një NATO e dobët është një Evropë e dobët. Një NATO e prishur është një Bashkim Evropian i prishur.

 

Bota njihet me historinë e kolonializmit në Kosovë: intervista e sociologut Labinot Kunushevci botohet në 17 gjuhë botërore

 

Gjeneratat e reja nuk mund ta kuptojnë luftën, nuk mun­d ta kuptojnë urrejtjen e serbëve ndaj shqiptarëve, nuk mund ta kuptojnë politikën e Serbisë sot dhe dikur, pa e lexuar dhe kuptuar historinë e kolonializmit, pa e kup­tuar se si është krijuar dhe ushqyer miti serb, se si elaboratet e akade­mi­këve serbë u shndërruan në politika të Mbretërisë e Jugosllavisë dhe u bekuan nga kisha ortodokse, se si u kolonizua Kosova, se si u trajtua e pabarabartë dhe e dis­kriminuar në Jugosllavi dhe se si ndodhi thyerja e shpër­bërja e Jugosllavisë bashkë me dekolonizimin e Kosovës.


Prandaj, duke e konsideruar librin e autorit Ibrahim Berisha jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe unik, një vit pas botimit të tij, në shtator të vitit 2017, vendosa që fakteve dhe tezave kryesore të tij t’ua jepja një dimension dhe lexim më të gjerë global, duke shfrytëzuar rrjetin tim profesional të krijuar me qarqet e sociologjisë botërore, bashkëpunimin dhe njohjen që kisha me redaktorin e revistës shkencore “Global Dialogue”, Michael Burawoy, në botimin e intervistave me shkencëtarët më të njohur socialë të botës. Kjo e bëri të lehtë propozimin dhe pranimin e një interviste specifike që trajton temën e kolonializmit në kontekstin kosovar. Burawoy është shembulli i kundërt i Stantonit. Interesimi dhe propozimi i redak­torit Michael Burawoy ishte që intervista të orientohet në propozimin e mënyrës se si është manifestuar kolonializmi në jetën reale në Kosovë. Ajo është përkthyer, botuar e lexuar edhe në gjuhët a tyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën apo kanë qëndrim armiqësor ndaj Kosovës, si gjuha ruse, kineze, hindi, spanjolle etj. Pra, ndonëse diplomatikisht dhe mediatikisht është vështirë të botohet atje një realitet për Kosovën, shkenca e sociologjisë nuk i ka këto barriera politike dhe ne e arritëm këtë gjë.


Por muaji shkurt 2025 erdhi me një lajm të trishtë dhe të papritur, pasi bota humbi sociologun që ndërkombëtarizoi të kaluarën koloniale të Kosovës, Michael Burawoy. E kjo për mua ishte një lëndim i madh pasi e humba personin më frymëzues, mbështetësin kryesor të ngritjes sime në sociologjinë publike globale, një nga figurat më eminente të mendimit sociologjik bashkëkohor, i cili i dha një peshë edhe mendimit sociologjik shqiptar. Unë ia dedikova një shkrim të shkurtër nderi pas vdekjes së tij[14], ku e përshkrova në pak fjalë përvojën time me të. Ai ishte ish-president i Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë (International Sociological Association – ISA), ish-president i Shoqatës Amerikane të Sociologjisë (American Sociological Association – ASA) dhe ish-redaktor i revistës prestigjioze që botohet në 17 gjuhë “Global Dialogue”.


Burawoy ishte profesor në Universitetin e Kalifornisë dhe vdekja e tij aksidentale pasi u godit nga një veturë ishte një shok për të gjithë ata që e njihnin dinamikën dhe energjinë e tij. Ndonëse një figurë shumë eminente në botë, fatkeqësisht në Kosovë nuk njihej e as admirohej sa duhej. Por Burawoy kishte një autoritet të lartë në qarqet akademike botërore. Ishte një lider i vërtetë, një zë shumë kritik dhe i guximshëm, me shumë modesti dhe përulje, një udhërrëfyes dhe mentor, një studiues shumë i spikatur në sociologjinë publike globale, që i mbështeste sociologët e rinj anembanë botës. Sociologjia e tij nuk ishte vetëm teorike. Ai krijonte shtigje të reja dhe puna e tij la gjurmë të thella në shumë fenomene dhe tema që janë tabu, të mitizuara, të barrikaduara, të ideologjizuara dhe të instrumentalizuara. Ai i çliroi ato në dritën e perspektivave të reja sociale dhe humane.


Falë Michael Burawoy, intervistat e mia u përkthyen dhe u botuan në 17 gjuhë në revistën prestigjioze “Global Dialogue”. Në vitin 2017 Burawoy u tregua, përveç profesional, edhe miqësor me shqiptarët duke u solidarizuar me të kaluarën e përvuajtur të tyre në Kosovë. Kur i kërkova një mundësi që në revistën “Global Dialogue” që ai e drejtonte, të botonim diçka për të kaluarën koloniale të Kosovës; për Serbinë imperialiste, fashiste dhe kolonialiste; për pasojat politike, kulturore, shoqërore dhe humane të Jugosllavisë mbi shqiptarët, ai pranoi me shumë dëshirë duke më shkruar, ndër të tjerash: “The world knows so little of the plight of Albanians” – “Bota di shumë pak për vuajtjet e shqiptarëve”. Po mos të ishte Michael Burawoy, emri im, emri i Republikës së Kosovës dhe emri i Universitetit të Prishtinës, nuk do të përktheheshin në këto gjuhë.


Kur librin tim të parë sociologjik me intervista ia dërgova Michael Burawoy përmes postës në adresën e tij, si dhuratë, përgjigjja e tij në pyetjen time se nëse e kishte pranuar librin, ishte: “It arrived in all its beauty and splendor! Congratulations!” – “Arriti në gjithë bukurinë dhe ndriçimin e tij! Urime!”


Ndërsa kur Michael Burawoy pati rastin ta lexonte librin tim në tërësi, më 25 maj 2017, më shkroi:


“What a wonderful collection of interviews, what an extraordinary initiative by an MA student from Prishtina, what an interesting way to project the intersection of international and national through the interrogation of prominent sociologists. Congratulations!”  “Çfarë përmbledhje e mrekullueshme e intervistave, çfarë iniciative e jashtëzakonshme nga një student MA nga Prishtina, çfarë mënyre interesante të projektosh kryqëzimin e sociologjisë ndërkombëtare dhe nacionale përmes intervistimit të sociologëve eminentë. Urime!” 


Michael Burawoy, i njohur në botë jo vetëm për sociologjinë publike, por edhe për studimet e tij në post­kolonializëm, intervistën me Berishën e shihte tejet të rëndësishme dhe me propozimin e tij, ajo mori titullin “The  Legacy of Colonialism in Kosova” - “Trashëgimia e kolonializmit në Kosovë”. Madje një bashkëpunëtore e kryeredaktorit Burawoy më ka pyetur pse parapëlqej ta përdor në anglisht emrin “Kosova” në vend të “Kosovo”, përgjigjja ime ishte sepse termi “Kosovo” vjen nga literatura serbe dhe nuk dua ta përdor. Ajo u pajtua që titulli i intervistës të bartte emrin KOSOVA.


Në këtë intervistë, e cila mund të lexohet anglisht[15] ose në gjuhë të tjera, është promovuar dhe dokumentuar e kaluara koloniale e Kosovës në disa dimensione dhe tema: 1. Qëllimet, strategjitë, specifikat dhe pasojat e kolo­nializmit serb në Kosovë; 2. Qasja e sociologjisë shqiptare ndaj tendencës së ideologjisë serbe për dominim politik, etnik dhe kulturor mbi shqiptarët; 3. Ndikimi i miteve, propagandës dhe iluzioneve në inferioritetin e shqiptarëve; 4. Konteksti i Jugosllavisë në vetëdijen politike.


Intervista është botuar në muajin shtator të vitit 2017, në revistën “Global Dialogue”, në 17 gjuhë botërore: angleze, frënge, spanjolle, kineze (tradicionale), kineze (e thjeshtuar), iraniane, hindi, portugeze, arabe, japoneze, ruse, polake, turke, romune, kazake, indoneziane, bengali.[15]


Intervista në secilën prej këtyre gjuhëve është për­kthyer në vendet ku fliten këto gjuhë, nga ekipet profesio­nale të institucioneve ndërkombëtare e nacionale të sociologjisë që kanë bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Sociologjisë (ISA).

 

Argumenti kolonial, i injoruar nga diplomacia kosovare

 

Një ndër veçantitë e këtij botimi është fakti që kjo intervistë është përkthyer edhe në gjuhët e atyre vendeve dhe shteteve që jo vetëm nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por gjeostrategjikisht dhe gjeopolitikisht disa prej tyre janë të pozicionuar kundër saj, si Rusia (rusisht), Spanja (spanjisht), Kina (kinezisht), India (hindi), Indonezia (indonezisht). Pra, edhe një komunitet akademik (profesorë, studentë, studiues të shkencave sociale) nga këto vende ka lexuar për ish-statusin kolonial të Kosovës, për vdekjen e kolonisë dhe për arsyet që Kosova duhet të njihet si e tillë, historikisht ish-koloni e Serbisë, ndërsa në real-politikë sot shtet i pavarur demokratik, që gëzon mbështetjen e disa fuqive botërore e evropiane, ndërsa Jugosllavia si histori, sistem dhe ideologji famëkeqe e kapitulluar. Mbështetja e fuqive botërore është vërtetuar me ndër­hyrjen ushtarake ndërkombëtare gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe me ndihmën politike dhe ekonomike në procesin e pavarësimit të Kosovës. Pa harruar edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – GjND, e cila më 22 korrik 2010 konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, fakt i mjaftueshëm për ta luftuar dhe sfiduar strategjinë e Serbisë.


Pra, intervista si refleksion i librit “VDEKJA E KOLONISË”, që dokumenton statusin ish-kolonial të Kosovës, është botuar edhe në gjuhët e disa vendeve aziatike që dikur ishin koloni, por që nuk e pranojnë shtetin e Kosovës dhe disa prej tyre, nën efektin e propagandës serbe, të indiferencës dhe të mosangazhimit diplomatik të Kosovës, kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, në Interpol dhe në shumë institucione e organizata ndërkombëtare.


Diplomati dhe studiuesi, Fatmir Zajmi, konsull i Republikës së Kosovës në New York, e sheh mjaft të rëndësishëm përdorimin e argumentit kolonial në pro­ce­sin e sigurimit të njohjeve të reja. Ai thotë:


“Në rrafshin e politikës së jashtme, adresimi i historisë koloniale të Kosovës do të tërhiqte simpatinë dhe do të inkurajonte njohjen e Kosovës nga shtetet ish-koloniale të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Përfshirja e argumentit kolonial në bisedime me Serbinë do të akomodonte qasjen e shteteve si Spanja, të cilat në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë - GJND e kundër­shtuan të drejtën e Kosovës në vetëvendosje jashtë kontekstit kolonial, si dhe do të sfi­donte qëndrimet e Rusisë dhe të Kinës ndaj Kosovës, meqë në parim, të dy këto shtete mbështetën procesin e OKB-së për pavarësimin e vendeve me të kaluar kolo­niale.”[17]


Një nga efektet e neokolonializmit mund t’i vërejmë edhe në komunikimet diplomatike të diplomatëve aventurierë koso­­varë në vendet ku ka nevojë më së shumti të lobohet, se si pala kosovare komunikon me patetizëm, folk-patriotizëm, retorikë, klishe, protagonizëm, klepto­mani, diletantizëm, inferioritet, servilitet.


Ne kemi diplomatë që nuk lobojnë për imazhin, statu­sin, reputacionin, pozitën dhe faktorizimin e Kosovës, por pozitat e tyre diplomatike i shfrytëzojnë për krijimin e imazhit të rrejshëm prej “diplomati të karrierës” dhe vizitat diplomatike i bëjnë vetëm për t’u takuar me liderë të huaj, për të bërë fotografi me ta, pa dhënë asnjë kontribut, me shpenzime luksoze të udhëtimit, drekave, darkave e hoteleve, në dëm të buxhetit të Kosovës.


Nuk përdorin studime, dokumente dhe referenca shkencore që t’i bindin të huajt, veçmas vendet ish-koloniale që nuk na kanë njohur, se edhe Kosova ka qenë dikur koloni si ato, se nuk ka qenë pjesë integrale e Jugosllavisë. Kosova ka bartur shumë pasoja dhe nuk ka përfituar nga procesi i dekolonizimit të vendeve ish-koloniale në vitet ‘60-të nga OKB-ja për shkak të dominimit të konceptit tradicional (Blue Water), tani më të tejkaluar, i cili nën­kuptonte koloninë si një territor të ndarë gjeografikisht nga shteti kolonizues, pra për shkak të elementit gjeografik që ishte faktor ven­dimtar në përcaktimin e statusit kolonial të një territori.


Në këtë periudhë, dhjetëra ish-territore koloniale të konsideruara paraprakisht pjesë integrale të fuqive kolonizuese, u njohën nga komuniteti ndërkombëtar si shtete të pavarura, sepse sipas së drejtës ndërkombëtare, një territor kolonial nuk mund të konsiderohet pjesë integrale e shtetit kolonizues.


Në anën tjetër, dy mendjet vizionare gjeostrategjike dhe gjeopolitike botërore, Zbigniew Brzezinski dhe Henry Kissinger, në vitet ‘70-të, lansuan strategjinë e tyre për krijimin e shteteve nacionale në Ballkan, në mënyrë që të krijohej një stabilitet afatgjatë për këtë pjesë të Evropës.


“Deklarata mbi Dhënien e pavarësisë së vendeve dhe popujve të kolonizuar e vitit 1960, Deklarata e Principeve të së Drejtës Ndërkombëtare e vitit 1970, dhe Karta e OKB-së, e përjashtojnë mundësinë që një territor kolonial të konsiderohet pjesë integrale e shtetit kolonizues. Prandaj do të ishte në interes kombëtar të vendit tonë të përdoren këto principe ndërkombëtare si platformë për të rrënuar njëherë e përgjithmonë mitin serb mbi Koso­­vën dhe të ashtuquajturën “bazë historike dhe juridike” të pretendimeve territoriale serbe ndaj Kosovës.”[17]


Me të drejtë, autori Berisha thotë se Kosova ishte koloni e harruar, e braktisur, e izoluar, e fshehur në Evropë.


Argumenti kolonial është një potencial i papërdorur dhe i injoruar nga diplomatët, ambasadorët, ministrat e punëve të jashtme, delegacionet dhe zyrtarë të ndryshëm, sepse asnjëherë përmes tij nuk kanë lobuar në ato vende që ishin dikur koloni. Ashtu siç kemi edhe profesorë që kurrë nuk kanë dalë nga katedra apo zyra e tyre, se lëre më ta thithnin pluhurin e arkivave për hulumtime. Të mjaftuar me një titull dhe një pozitë, me privilegjin e autoritetit të rrejshëm pa dhënë asnjë mendim me autoritet moral e profesional, misioni i tyre përfundon aty. Në fakt, përfundon pa filluar, sepse intelektuali nuk mbyllet në muret e universitetit. Intelektuali zgjerohet me qasje të gjerë arkivore.


Prandaj argumenti kolonial duhet të futet si projekt dhe agjendë në misione diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.


Kosova në disa vende është një imazh lufte. Ka ende njerëz në botë se Kosovën e identifikojnë apo e njohin me Jugosllavi apo Serbi, duke menduar se ende është pjesë e saj. Jo vetëm në kushte paqeje, por edhe në kushte të okupimit, projektet serbe për kolonizim të Kosovës shpjegoheshin përmes artikulimit, botimit, përkthimit e shpërndarjes anembanë botës. Një shembull i tillë ishte libri “Serbian colonization and ethnic cleansing of Kosova”. Ky libër është botuar në vitin 1992 dhe 1993 në dy botime nga Qendra për Informim e Kosovës (QIK), me tirazh 1500 kopje. Një ndër kontribuuesit e këtij libri ishte edhe autori Ibrahim Berisha, i cili më 5 mars 2020 shpërndau në rrjetin social Facebook një fotografi të librit duke treguar se ky libër është dërguar në katër anët e botës, duke ia dhënë secilit delegacion të huaj që vinte në Kosovë.


Prandaj botimi në këto vende dhe gjuhë i një teme si kjo dhe krijimi i opinionit është mjaft i vështirë, por jo i pamundur nëse shfrytëzohen të gjithë mekanizmat diplo­matikë me ekspertë që e njohin mirë të kaluarën, me përvojë të gjatë, që janë studiues profesionalisht të pa­varur dhe pa paragjykime kulturore apo premisa ideologjike, që pozitat dhe vizitat diplomatike i konsi­derojnë përgjegjësi dhe jo privilegj.

 

“Trashëgimia e kolonializmit në Kosovë”: intervista që fitoi çmimin “Shkrimi më i mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017”, nga Ministria e Punëve të Jashtme

 

Për suksesin e intervistës me profesor Ibrahim Berishën, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në dhjetor të vitit 2017, më dhuroi çmimin “Shkrimi më i mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017”.[19] Prandaj, mënyra më e mirë e reagimit ndaj propagandës dhe lobimit serb sot është botimi dhe përdorimi i argumentit kolonial.


Labinot Kunushevci gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit ''Shkrimi më i mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017'', nga Ministria e Punëve të Jashtme. Çmimin e ndau ambasadorja turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç, 2017.
Labinot Kunushevci gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit ''Shkrimi më i mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017'', nga Ministria e Punëve të Jashtme. Çmimin e ndau ambasadorja turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç, 2017.

Në këtë funksion, më 28 shkurt 2019 Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, me iniciativën e diplomatit Fatmir Zajmi, mbajti tryezën me titull “Aspekti kolonial i të kaluarës së Kosovës”, ku morën pjesë studiues dhe diplomatë të shquar, në të cilën u vlerësua se mënyra e trajtimit të Kosovës nga Serbia gjatë gjithë shekullit të kaluar është e dokumentuar mirë dhe se gjatë periudhës 1912-1999, Kosova dhe popullsia shumicë shqiptare e Kosovës i ishte nënshtruar cenimit sistematik të të drejtave njerëzore dhe eksploatimit kolonial serb duke u trajtuar në vazhdimësi si pronë koloniale, ku popullit shqiptar i ishte mohuar e drejta për pavarësi dhe qeverisje me pasuritë e veta natyrore.


Në këtë tryezë kam pasur nderin të jem edhe unë si pjesë e panelit, në cilësinë e studiuesit (recensentit) të veprës së Berishës dhe duke paraqitur suksesin e intervistës në 17 gjuhë dhe duke prezantuar disa fjalë për vlerën dhe rëndësinë e librit “VDEKJA E KOLONISË.[20]/EPIQENDRA.COM


Prof. dr. Qerim Qerimi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës; prof. dr. Ibrahim Berisha, mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, sociolog dhe autor i librit të mirënjohur “Vdekja e Kolonisë”; zt. Fatmir Zajmi, konsull në New York dhe hulumtues i çështjeve koloniale – njëherit iniciator i kësaj konference; abasadori zt. Lulzim Mjeku si dhe sociologu zt. Labinot Kunushevci.
Prof. dr. Qerim Qerimi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës; prof. dr. Ibrahim Berisha, mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, sociolog dhe autor i librit të mirënjohur “Vdekja e Kolonisë”; zt. Fatmir Zajmi, konsull në New York dhe hulumtues i çështjeve koloniale – njëherit iniciator i kësaj konference; abasadori zt. Lulzim Mjeku si dhe sociologu zt. Labinot Kunushevci.
Sociologu Labinot Kunushevci gjatë prezantimit të intervistës shkencore "Trashëgimia e kolonializmit në Kosovë", të botuar në 17 gjuhë në revistën prestigjioze "Global Dialogue", në konferencën "Aspekti kolonial i të kaluarës së Kosovës", mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, 2017.
Sociologu Labinot Kunushevci gjatë prezantimit të intervistës shkencore "Trashëgimia e kolonializmit në Kosovë", të botuar në 17 gjuhë në revistën prestigjioze "Global Dialogue", në konferencën "Aspekti kolonial i të kaluarës së Kosovës", mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, 2017.

Referenca:


[1] Labinot Kunushevci, ““VDEKJA E KOLONISË”, Libri që Dokumenton Kolonizimin e Kosovës 1912 – 1990”, Vizione, Shkup, 33/2019.


[2] Milazim Krasniqi, ANKTHI I VJETËR NË SHEKULLIN E RI (Presionet e Serbisë ndaj Kosovës pas vitit 1999), ZERI YNË, 2011.


[4] Ibrahim Berisha, VDEKJA E KOLONISË, Artini, Prishtinë, 2016.


[6] Ibrahim Berisha, Rrjetet e Kulturës (Mbylljet dhe Hapjet në Kosovë), Artini, Prishtinë, 2020.


[9] Florina Jerliu, Trashëgimia Kulturore e Kosovës, Konceptet dhe Kontekstet e Mbrojtjes, Artini, Prishtinë, 2017.


[10] Ibrahim Berisha, “Kriteri hipotetik dhe ai politik”, Fjala, Prishtinë, 1 shtator 1989.


[11] Raport i Seminarit të Nëntë Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Fakulteti Filozofik, Prishtinë, 15 - 28 gusht 1983.


[12] Gazeta Expres, “30 muaj pa njohje të re për Republikën e Kosovës”, 2020, https://www.gazetaexpress.com/30-muaj-pa-njohje-te-re-per-republiken-e-kosoves/


[13] Philip Oltermann, “Germany agrees to pay Namibia €1.1bn over historical Herero-Nama genocide”, The Guardian, 2021, https://www.theguardian.com/world/2021/may/28/germany-agrees-to-pay-namibia-11bn-over-historical-herero-nama-genocide



[15] Labinot Kunushevci, “The Legacy of Colonialism in Kosova: An Interview with Ibrahim Berisha”, Global Dialogue, Vëll. 7/3, 2017: https://globaldialogue.isa-sociology.org/articles/the-legacy-of-colonialism-in-kosova-an-interview-with-ibrahim-berisha 


[17] Fatmir Zajmi, “Kolonializmi serb dhe e drejta e Kosovës në vetëvendosje”, Bota Sot, 2019, https://www.botasot.info/opinione/1207191/kolonializmi-serb-dhe-e-drejta-e-kosoves-ne-vetevendosje/


[19] Bota Sot, “Ndahen çmimet për shkrimet dhe fotografitë më të mira në promovimin e Kosovës”, 2017, https://www.botasot.info/aktuale-lajme/801133/ndahen-cmimet-per-shkrimet-dhe-fotografite-me-te-mira-ne-promovimin-e-kosoves/


[20] AKR, “Mbahet punëtoria me temën: “Aspekti kolonial i të kaluarës së Kosovës””, 2024, https://akr-ks.com/2024/10/23/mbahet-punetoria-me-temen-aspekti-kolonial-i-te-kaluares-se-kosoves/

Comments


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page