Pse sot prindërit kanë dështuar në edukimin e fëmijëve?
- infoepiqendra
- 3 days ago
- 9 min read
Updated: 1 day ago

Shkruan: Labinot Kunushevci
PRINDËR QË SHTOJNË NJERËZIMIN POR ZVOGËLOJNË NJERËZOREN!
Sot shumë më lehtë është të shtosh numrin e fëmijëve, të krijosh e përcjellësh gjenerata, të mburresh me natalitetin, por sfida më e vështirë, testi në të cilin bien shumë prindër, është testi për krijimin e personalitetit të fëmijëve.
Një familje biologjike dhe civile e gjejmë kudo të regjistruar, por një familje si institucion socio-kulturor, vështirë ta hasim në këtë epokë të deformimit të vlerave, ku solidariteti, empatia, sakrifica, njerëzorja, dituria, drejtësia, edukimi, disiplina, nga presioni i krizës familjare, kthehen në iluzione.
Fëmijë të ushqyer e në varësi të ushqimeve të shpejta, me veshmbathje të brendeve të reja, të pajisur me mjetet më të fundit të teknologjisë digjitale, që udhëtojnë në rehatinë e veturave dhe që shijojnë ekskursione e shëtitje luksoze, me qasje pa fund dhe pa kontroll në rrjete sociale, me kujdes maksimal mbi dukjen fizike, por me zero inteligjencë emocionale dhe sociale, tërësisht të pakujdesshëm e të shpërfillshëm për atë që i rrethon.
Prindërit bashkëkohorë nuk i edukojnë fëmijët që të vlerësojnë sakrificën, përpjekjen, angazhimin, ringritjen, punën dhe disiplinën, të mësohen fëmijët si të ballafaqohen me vrazhdësinë dhe brutalitetin, me sfidat dhe me vështirësitë, me humbjet dhe me dështimet, me përjashtimet dhe me refuzimet, me pengesat dhe me barrierat, me ngërçet dhe me nyjat, në mënyrë që me psikologjinë sociale të aftësohen se si me forcat e tyre t’i menaxhojnë konfliktet, të mbijetojnë, të kapërcejnë lumenj e dete.
Fëmijët duan sukses, fitore, trofe, çmime e medalje, statuse e privilegje, pa mund, pa konkurrencë dhe pa sakrificë. E kërkojnë gjithmonë rrugën më të shkurtër. Duan shpejt, lehtë, gatshëm, afër dhe sigurt. Duan falje dhe mëshirë, tolerancë dhe liri, fleksibilitet dhe përkëdhelje, hapësirë dhe shanse, pa kufi. Sepse ata duke u mësuar të bëjnë një jetë të lehtë e të gatshme, po bëhen gjithnjë e më shumë të paaftë, dembelë e parazitë. Ndërsa prindërit bashkëkohorë kanë dështuar në testin më të rëndësishëm të jetës: pavarësimi i fëmijës.
Duke i thënë fëmijës “po” kur duhet t’i thuhet “jo” dhe duke i thënë “jo” kur duhet t’i thuhet “po”, duke e trajtuar raportin prind-fëmijë si raport shoqëror dhe jo si një raport ku prindi ka autoritet dhe përgjegjësi morale mbi fëmijën, që, edhe pse shpreh dashuri e respekt pa fund dhe pa kushte, vendos disa rregulla të lojës, që fëmija nuk duhet t’i tejkalojë. Madje ato vlera dhe rregulla të lojës, fëmija duhet t’i gravojë thellë në vetëdije.
Ndryshe, përkëdheljen ekstreme, humbjen e autoritetit prindëror, dështimin e tyre të kthyer në makth, si prindër të papërgjegjshëm e shprehin me fjalët se djali ose vajza u kanë dalë nga dora.
Fëmijët e presin me padurim arritjen e moshës 18 vjeçe, jo pse e fitojnë të drejtën e votimit nga e cila do të mundë të zgjidhnin qeveri dhe institucione, që marrin vendime mbi jetën e tyre, prej të cilave vendime caktohet standardi dhe varet mirëqenia e tyre, por gëzohen sepse po fitojnë të drejtën e pajisjes me patentë shoferi. Mbrëmjes së maturës, si ceremoni festive, i gëzohen më shumë se vetë përfundimit të shkollës së mesme apo hapjes së mundësive për studime universitare. Sepse mirëqenien e shohin si çështje fati, jashtë përgjegjësisë së tyre dhe edukohen të rrinë indiferentë ndaj politikave që diktojnë jetën e tyre. Ata duan zbavitjen, shëtitjen, mburrjen, krekosjen, reklamimin, imazhin, pasionin, atraksionin, adrenalinën dhe mendojnë se rregullat nuk vlejnë për ta. E çfarë të themi për prindërit, që krekosen me notat e pamerituara të fëmijëve të tyre, librezat e të cilëve i postojnë në rrjete sociale, ndërsa fëmijët i regjistrojnë në shkolla elitare me emër dhe prestigj, përmes lidhjeve apo fuqisë financiare, pa përfillur asnjë kriter.
Me këtë infrastrukturë që ua krijojnë fëmijëve i bëjnë të sfidohen kur të rriten dhe të ballafaqohen me tregun dhe me konkurrencën e ashpër, sepse janë tërësisht të papërgatitur. Pra, një mënyrë konsumeriste dhe hedoniste e të jetuarit, në mëshirën e fatit, në mëshirën e shtetit të dobët, në mëshirën e rrethanave të paparashikuara, në mëshirën e mjedisit të pasigurt, në mëshirën e solidaritetit shoqëror, në mëshirën e rregullave të lojës, që të fortët i përcaktojnë. Më pas zhgënjehen, përjetojnë depresion, u thyhen iluzionet, dështojnë dhe migrimin e shohin si rrugëdalje të fundit pasi kuptojnë se emri dhe prestigji nuk garantojnë sukses.
Pastaj jeta u shkon me hipokrizi, sepse kur u sëmuret një anëtar i familjes, ndaj të cilit asnjëherë s’kanë treguar respekt, kujdes dhe empati, në spitalet e emergjencës gjatë trajtimit të familjarit fillojnë të qajnë e të vrapojnë gjoja se e duan shumë apo se kujdesen për të shumë, vetëm për të rënë në sy të mjekëve.
Kjo është pasojë e trendit të çifteve të reja, që hyjnë në martesë të papërgatitur emocionalisht, kulturalisht dhe moralisht, duke e bërë atë jofunksionale, me kriza dhe tensione të thella, që përjashtojnë harmoninë dhe raportin e shëndoshë.
Sot i duket klishe një fëmije, që prindërit e tij ta dërgojnë në bibliotekë, në panair të librit, në teatër, në muze ose në galeri, në një objekt të trashëgimisë kulturore apo në një objekt fetar, sepse prindërit asnjëherë nuk i kanë folur për vlerat e tyre. Asnjëherë nuk i kanë ofruar ndonjë dokumentar informues dhe edukues. Asnjëherë nuk e nxitin të mësohet të përgatisë vetë ushqimin, të pastrojë shtëpinë apo mjedisin, të shkathtësojë ndonjë shprehi të punës, të blejë produkte ushqimore, të kryejë shërbime për nevojat familjare, të mirëpres edhe nderojë mysafirin.
Pastaj shohim një indiferencë tek prindërit post-modern, të cilëve nuk u intereson se me kë po shoqërohet fëmija i tyre, se si po e kalon kohën, si po e shfrytëzon hapësirën publike, si po i shpenzon paratë, si po sillet e po komunikon në rrugë, në shitore, në qendra tregtare e në parqe, si po e trajton pronën publike; ndoshta ata përjetojnë, kultivojnë apo shprehin ankth, iluzione, fantazi, fobi, agresivitet, frustrim e bullizëm.
Nëse nuk mësojnë si të shprehin empati, tolerancë dhe vetërespekt, si të jenë korrektë, të përgjegjshëm dhe të devotshëm, lehtë mund të rrëshqasin në dukuri socio-patologjike, sidomos fëmijët që tipologjikisht janë më energjikë, euforikë dhe hiperaktivë, të cilët meritojnë kujdes dhe trajtim të veçantë.
Kur ne ua mbyllim rrugët, që vlerat t’i shprehin përmes natyrës, sportit dhe aktiviteteve të tjera, do të shohim se kjo tipologji do të instrumentalizohet në formë bullizmi e vandalizmi në shkollë dhe në rrugë. Pastaj do të merremi me statistikat e rasteve të bullizmit, me shifrat e armëve që u gjenden në çanta e në xhepa, me pasojat e vandalizmit publik, me shpartallimin e grupeve vagabonde, me procedimet e nxënësve për në stacione policore, për urgjencat e rritjes së masave të sigurisë, me shqiptimin e masave disiplinore, por do ta kemi shumë vështirë ta kthejmë kohën dhe mirëqenien e tyre. Sepse ne po i edukojmë fëmijët ta xhelozojnë njëri-tjetrin.
Një qasje e gabuar është krahasimi dhe ndarja e prindërve ku babai quhet “prindi 1” dhe nëna quhet “prindi 2”. Ndërsa moderatorja idiote, e cila e kishte ftuar një fëmijë në një emision publik, e pyeti:
“Cilin prind e do më shumë: “prindin 1” apo “prindin 2”?”
Prindi bashkëkohor i prirë nga vlerat materiale, sapo ta marrë pagën e tij dhe të shohë një ofertë të produkteve më të reja teknologjike, nxiton ta zë atë ofertë dhe t’ia blejë djalit apo vajzës dhe ta mbajë në zhvillim me më të rejat e teknologjisë digjitale, ndërsa asnjëherë nuk kujtohet t’ia blejë fëmijës një libër apo ta marrë me vete në ndonjërën nga libraritë e qytetit. Dhe nuk shqetësohet pse fëmijës së vet ia ndrydh dhe ia kufizon aftësitë, kreativitetin, imagjinatën, kureshtjen, talentin, të cilat do të mundë t’i zbulonte nëse do ta regjistronte dhe ta aktivizonte në ndonjë klub, organizatë, shoqatë, institut apo nëse do ta angazhonte në aktivitete vullnetare, qytetare, humane, mjedisore, solidarizuese e debatuese. E gjitha që ia ofrojnë është një iluzion, që vjen nga prangat e virtualizimit ekstrem dhe të pasigurt të fëmijëve.
Nuk shfaqin fare interesim për fëmijët e tyre në shkollë, nuk u intereson rezultati i dobët në mësime dhe neglizhenca në detyra – për të mos thënë se nuk e dinë as çfarë lëndësh e mësimdhënësish ka fëmija i tyre, nuk marrin pjesë në konsultimet e thirrura nga kujdestarët e nxënësve, nuk shqetësohen dhe nuk japin arsyetime lidhur me mungesat e paarsyeshme të fëmijëve, nuk brengosen nëse fëmija i tyre ankohet ndaj një nxënësi apo mësimdhënësi ose anasjelltas.
Kjo tregon se ka indiferencë naive mbi vazhdimësinë e zhvillimit psiko-emocional dhe socio-kulturor të fëmijës në shkollë.
Në anën tjetër me guximin e idiotit mediokër, ndërhyjnë dhe ndikojnë në autonominë e vlerësimit dhe të metodologjisë së punës së mësimdhënësit, duke u kërkuar atyre favorizime të caktuara dhe duke ushtruar presion në dëm të parimeve të vlerësimit.
Nëse prindi idiot i thotë fëmijës:
“Ti ke një arsimtar të dobët dhe të papërgatitur, i cili ndoshta nuk është i trajnuar të punojë me nxënës inteligjentë si ti!”, atëherë si pret që profesori të respektohet nga ai fëmijë?!
Prindi duhet t’i thotë fëmijës se arsimtari është i përgatitur, i suksesshëm, i përgjegjshëm, bashkëpunues, korrekt, kompetent dhe mbi të gjitha është mbret për të.
Ndryshe, nëse prindi e zhvlerëson mësimdhënësin, do t’i shkaktojë konfuzione dhe pritshmëri të ulëta fëmijës. Për rrjedhojë, do t’ia humb autoritetin profesorit dhe do të krijojë një konflikt mes tyre. Fëmija do ta përjetojë shkollimin si rutinë dhe detyrim, ndërsa mësimdhënësin si një uniformë të bezdisshme.
Prindërit sot e kanë të pamundur t’i ushqejnë fëmijët e tyre me ndërveprim fizik, rekreativ, emocional dhe kulturor, pa ua ofruar telefonin e mençur me filma të animuar, që në fakt është telefon me efekt mashtrues dhe qetësues.
Si nuk munden sot prindërit t’i ruajnë fëmijët e tyre nga varësia psikologjike ndaj telefonit? Si e ndjejnë fëmijët nevojën për telefon kur prindërit i kanë afër? Si mundet një personazh animacioni të jetë më i dashur për fëmijë se prindërit e tyre? E di se arritja e disiplinës është shumë e vështirë në këtë kohë të presionit të teknologjisë digjitale. Por dijeni se komunikimi virtual asnjëherë nuk do të jetë më i rëndësishëm se komunikimi natyral. Kohën, emocionin dhe dashurinë në raport me fëmijët tanë po na e grabit teknologjia e pamëshirshme gllabëruese. Mos lejoni, sepse nuk do t’ju kthehet më kjo kohë! Do ta humbni fëmijërinë e fëmijëve tuaj dhe nuk ka humbje më të madhe se kjo. “Smartphone” është rrëmbyesi dhe zotëria i fatit të fëmijëve në shekullin XXI.
Sot kemi të bëjmë me prindër që gjejnë kohë për miq e mikesha, por jo edhe për fëmijët e tyre; gjejnë kohë për shëtitje, takime, kafe e dreka, aventura e ahengje, por fëmijët i takojnë vetëm në mëngjes ose vetëm në mbrëmje, duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm me shkëputje fizike, emocionale dhe komunikuese.
Ndërsa vetë fëmijët sot komunikojnë me kulturën e sharjes dhe të bullizmit, me emra fyes e ofendues, me një fjalor rrugaçërie mjaft të varfëruar, duke mos treguar emocion, respekt, konsideratë, empati, mirënjohje dhe keqardhje ndërmjet vete. Ata ballafaqohen me sëmundje, me infeksione dhe me mbipeshë, sepse prindërit nuk kujdesen për shëndetin e tyre, për mënyrën e të ushqyerit, nuk konsultohen me ndonjë pediatër ose nutricist, nuk respektojnë asnjë program që do ta përmirësonte mënyrën e tyre të jetesës.
Një prind sot gjen rehatinë të thotë:
“Fëmija im është më i mençuri, me inteligjencë të pakrahasueshme, i paprekshëm, me të drejta dhe privilegje që unë ia garantoj, ai nuk gabon asnjëherë dhe unë nuk ia prishi qejfin asnjëherë, nuk e urdhëroj dhe nuk e ndaloj për asgjë, sepse vullneti dhe dëshira e tij është urdhër për mua!”
Dhe rezultati është një katastrofë e tmerrshme njerëzore dhe profesionale: një adoleshent i shkujdesur, problematik, i llastuar, i mashtruar, me vetëbesim të rrejshëm, që adhuron lojërat agresive me vrasje dhe filmat me gangsterë, që ia ushqejnë instinktin e dhunës dhe e frymëzojnë në modelin e vrasësit, për të mos u ndier asnjëherë fajtor, i përgjegjshëm, i detyruar apo i obliguar për diçka. Madje prindërit e papërgjegjshëm i edukojnë këta fëmijë me arrogancë për ta refuzuar çdo qortim, vërejtje apo kritikë, që mund t’ua bëjë dikush, duke i bërë të ndihen si “fëmija i të fortit”.
Nuk ia mësojnë as konceptin për Zotin!
Sepse nga injoranca dhe naiviteti që kanë, nuk duan që besimi në Krijuesin të shndërrohet në normë kulturore të sjelljes publike dhe nuk e dinë çfarë suksesi garanton paqja dhe besimi i thellë në Zotin, që korrespondon me një sistem human të vlerave, i cili krijon vetëdije vetëmbrojtëse dhe rezistuese ndaj rreziqeve që ata u ekspozohen. Nuk imagjinohet formimi dhe zhvillimi i personalitetit pa besim në Zot, sepse është formim i gjymtë.
Fëmijës duhet t’i jepet rasti të shprehet, të rrëfehet, të ankohet, të kundërshtojë e të akuzojë, të pyes e të përgjigjet, të tregojë ngjarje, situata, përvoja e probleme që ai i sheh, i dëgjon, i lexon apo i përjeton, ashtu që fëmijët të edukohen të jenë të lumtur, jo të pasur, ta dinë vlerën e gjërave dhe jo çmimin e tyre.
Përndryshe ata do të ndihen të turpëruar dhe inferiorë të dalin në rrugë me prindërit e tyre dhe nuk do t’i bëjnë ata të ndihen krenarë apo të gëzuar me sukseset e tyre.
E ardhmja e tyre do të ndërtohet në botën e personazheve imagjinare dhe iluzore, me modele të imituara dhe të aktruara, ku aftësia, talenti, imagjinata dhe potenciali origjinal i tyre shpirtëror dhe artistik do të ndrydhet, tjetërsohet dhe instrumentalizohet.
Po jetojmë në një shoqëri, me një rrezik në rritje, ku idiotët ta rrëmbejnë në duar fatin e fëmijëve dhe fëmijët të mos mundë ta gjejnë kurrë rrugën e tyre, duke mos trashëguar asgjë nga e kaluara./EPIQENDRA.COM
댓글