top of page

Afrim Blyta: “Pasionet e Idiotëve”, libri i autorit Labinot Kunushevci që shpjegon mungesën e ndërgjegjes kolektive

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 17 hours ago
  • 3 min read


Libri Pasionet e Idiotëve i autorit Labinot Kunushevci, është një libër i cili futet thellë në psiko-analizë dhe shpjegon mungesën e ndërgjegjes kolektive, shkruan KultPlus.


Afim Blyta - neuropsikiatër, i cili ka qenë recensues i librit ka thënë se autori ndonëse nuk është profesionist i domenit, ka arritur t’i tejkalojë kufijtë e përkufizimit të koncepteve të shëndetit mendor, duke dhënë një dimension krejtësisht tjetër më gjithëpërfshirës.


”Shtjellimi i koncepteve të shëndetit mendor kërkon kapacitet profesional dhe guxim intelektual edhe për profesionistët e fushës. Autori, ndonëse nuk është profesionist i domenit, arrin t’i tejkalojë kufijtë e përkufizimit të koncepteve të shëndetit mendor, jep një dimension krejt tjetër, shumë më gjithëpërfshirës dhe shumë më universal, si nga aspekti kohor, ashtu edhe hapësinor”, ka vlerësuar neuropsikiatri Blyta.


Më tutje, Blyta ka vlerësuar se autori me saktësi frojdiane ka zbërthyer strukturën “biologjike”, si shkak i të gjitha fenomeneve të cilat paraqiten në shoqërinë në tranzicion, ku emancipimi dhe qytetërimi janë vetëm reflektim sipërfaqësor i një brendie ende të pastrukturuar, primitive, të paemancipuar dhe joqytetare, që flet në të vërtetë për defekte serioze strukturale, të cilat kërkojnë kohë të maturohen.


Libri, botim nga Libraria Artini - Toena, paraqet mungesën e moralit si fundament shoqëror i cili, shpërfaqet me personalen para shoqërores, vetën e parë njëjës “unë” para vetës së parë shumës “ne”, përemrin pronësor “imi” para përemrit pronësor “yni”. Shoqëri ku fytyra i nënshtrohet të pafytyrës, nderi të pandershmes, patriotizmi pseudopatriotizmit, si tipare tipike të shoqërive të cilat funksionojnë si bashkësi të individëve të pakoordinuar kundruall me ato shoqëri të cilat udhëhiqen me ndërgjegje kolektive.


“Fondamenti i shtjellimit të temës është zbulimi i problemit, zbërthimi i tij, analiza dhe rrjedhimisht gjetja e zgjidhjes aq të nevojshme. Porosia bazike e saj në të vërtetë prezantohet në “moralin” si fondamentin më themelor të një shoqërie mbi të cilat mbivendosen superstruktura, të cilat nuk mund të mbijetojnë pa këtë themel bazik, thelbësor”, ka vlerësuar Blyta.


Ky libër që ofron një përshkrim, narracion, kritikë, hulumtim dhe psikë-analizë jashtëzakonisht të mprehtë dhe goditëse, përmban gjithsej 27 ese sociologjike me temat:


1. SI NDIKOJNË IDIOTËT NË JETËN TONË?


2. PSE SOT KEMI PRINDËR QË SHTOJNË NJERËZIMIN, POR ZVOGËLOJNË NJERËZOREN?


3. A KA NË UNIVERSITET PROFESORË PERVERSË, SHARLATANË, IDIOTË?


4. PSE PUNËDHËNËSIT FYEJNË INTELIGJENCËN E PUNËTORËVE?


5. CILA IDEOLOGJI IA SOLLI TRAGJEDITË MË TË MËDHA HISTORIKE NJERIUT?


6. CILËT AUTORË MBOLLËN DEPRESIONIN, BËNË VETËVRASJE DHE DEHUMANIZUAN NJERIUN?


7. KU DALLON DEPRESIONI I FSHEHUR NGA LUMTURIA PUBLIKE?


8. EVOLUCIONI: A ËSHTË NJERIU “KAFSHA MË E PËRKRYER”?


9. SHPËLARJA E TRURIT: CILAT TË VËRTETA NUK NA I MËSON SHKOLLA DHE NUK NA I TRANSMETON MEDIA?


10. SI JANË FYER DHE KEQTRAJTUAR PERSONAT ME SINDROMËN DOWN NË TEKSTET SHKOLLORE?


11. SI JANË BËRË IDIOTËT KAQ TË FAMSHËM NË MEDIA?


12. KUSH PO U JEP KAQ VETËBESIM ANALISTËVE NË MEDIA?


13. PSE ËSHTË KAQ I RREZIKSHËM “BIG BROTHER”?


14. PSE HUMORI ËSHTË ART SERIOZ DHE JO SHAKA PËR TURMA?


15. A ËSHTË PORNOGRAFIA NJË MASHTRIM SOCIOLOGJIK?


16. PSE KRIMINELËT NDIHEN “TË FORTË” DHE SHPALLEN “HERONJ”?


17. PSE PO E VRASIM NJËRI-TJETRIN ME KAQ GJAKFTOHTËSI?


18. PSE HOXHALLARËT NUK ARRIJNË TË PËRSHTATEN ME REALITETIN SOCIAL?


19. QYTETËRIMI I MOHUAR: KUSH E SHPIKU “EPOKËN E ERRËT”?


20. PSE JANË KAQ TË TËRBUAR ISLAMOFOBËT NË KOSOVË?


21. MYSLIMANËT E PADËSHIRUAR: GJENOCIDI SI ZGJIDHJE PËRFUNDIMTARE


22. A MUND TË KAMUFLOHET TERRORIZMI BRENDA HUMANIZMIT (SHOQATAVE HUMANITARE)?


23. A JANË PATRIOTËT E RREJSHËM HAJDUTË TË FSHEHUR?


24. SI T’I NJOHIM POLITIKANËT KARIZMATIKË SE JANË EDHE IDIOTË TË KARRIERËS?


25. ÇMIMI NOBEL – NJË ÇMIM QË E FITUAN EDHE FASHISTËT ANDRIQ DHE HANDKE


26. KOSOVA, KOLONI E HARRUAR NË EVROPË


27. A PO KRIJOJMË GJENERATA PA INTELIGJENCË EMOCIONALE: SA MË SHUMË QË “MENDOJNË” MAKINAT, AQ MË PAK MENDOJNË NJERËZIT?!


Botimi i librit mbështetet nga Ordinanca Stomatologjike Mici Dent. Librin mund ta gjeni në librarinë e kryeqytetit Artini - Toena./EPIQENDRA.COM

Comments


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page