top of page

Çmimi Nobel - Një çmim që e fituan edhe fashistët Andriq dhe Handke

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 3 days ago
  • 5 min read

Updated: 1 day ago


Shkruan: Labinot Kunushevci


Shumica e njerëzve mendojnë se arritja më e madhe akademike dhe prestigjioze publike e njeriut është fitimi i Çmimit Nobel, duke e mitizuar skajshmërisht këtë çmim. Por sa prej nesh e dimë se këtë çmim e fituan edhe fashistët antishqiptarë?


     Duke e ditur se Nobelin e ka fituar Ivo Andriq, më 1961, i njohur për elaboratin e tij për zhdukjen e shqiptarëve në Jugosllavi[1], dhe Peter Handke, më 2019, i njohur për mbështetjen që i dha regjimit të kasapit të Ballkanit – Slobodan Millosheviq[2], dy figura famëkeqe të historisë, ky çmim nuk më shtyn t’i lexoj fituesit e tij, ndonëse ka nobelistë shumë të mirë të letërsisë. 

Fashisti Peter Handke, mbështetësi i Millosheviqit, që u shpërblye me Nobel
Fashisti Peter Handke, mbështetësi i Millosheviqit, që u shpërblye me Nobel

Autorët më të mirë që i kam lexuar dhe i lexoj çdo ditë janë jonobelistë, madje as “best seller”, por janë margaritarë, mendjemprehtë, që zgjerojnë imagjinatë, hapin horizonte të reja të mendimit kritik ndaj pushtetit dhe kontrollit, kultit dhe turmës, asimilimit dhe tjetërsimit, që thyejnë iluzione e mite dhe të shkarkojnë nga komplekset.


     Më pëlqejnë autorët që ta shkundin besimin, që ta trazojnë mendimin, që ta sfidojnë argumentin, që t’i demaskojnë marrëzitë, që t’i zbulojnë idiotësitë, që ta çmontojnë inferioritetin, që ta çrrënjosin injorancën, që ta mundësojnë ta shohësh botën ndryshe, por mbi të gjitha, që nuk të lajthitin nga e vërteta.


      Më pëlqejnë autorë pa ngarkesa emocionale, pa paragjykime kulturore dhe pa premisa ideologjike; autorë që nuk shkruajnë klishe; autorë që nuk i karakterizon kiçi dhe plagjiati; autorë që nuk riciklojnë; autorë që kanë një stil ndryshe nga stilet e zakonshme; autorë që në shkrimet e tyre fshihen shumë vizione dhe parashikojnë të ardhmen; autorë që nuk ua bëjnë qejfin elitave dhe turmave; autorë që nuk përdorin ChatGPT, por krijojnë me imagjinatën e tyre. Mbi të gjitha, autorë që para se të jenë penda letrare, janë penda humane.


     Prandaj unë lexoj i çliruar nga miti i “Nobelit” dhe nga miti i “autorëve sensacionalë”, kështu unë jam shumë i përmbushur.


     Për mua Akademia Suedeze dhe Fondacioni Nobel janë të dyshimta derisa ndajnë çmime për fashistë dhe kriminelë me faje dhe përgjegjësi historike dhe nuk i revokojnë ato, ashtu siç refuzuan ta respektojnë peticionin e 60 mijë njerëzve që kërkuan revokimin e çmimit të Andriqit.[3] Apo siç refuzuan thirrjen e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryesuar nga sociologu Hasan Jashari.[4]


Mos harroni, ka shumë autorë të jashtëzakonshëm në botë që nuk e kanë fituar këtë çmim dhe shumë prej tyre nuk do ta fitojnë në të ardhmen. Ka shumë autorë të ekskomunikuar po ashtu të mirë.


     Idiotët asnjëherë nuk na e mësuan të vërtetën! Por kush i mbolli farat origjinale?


     Nëse mendoni që sociologjia ka filluar me Auguste Comten dhe teoritë ekonomike kanë filluar me Adam Smithin, Karl Marxin e David Ricardon, e keni shumë gabim.


     A keni dëgjuar për Ibn Khaldunin dhe kryeveprën e tij markante Mukaddime?


     Një emër i ekskomunikuar, por një nga mendjet më të mprehta të Qytetërimit Islam, i cili i përpunoi shumë kohë më parë konceptet me të cilat më vonë operuan autorët perëndimorë. Një ndër autorët më të spikatur të shkencave sociale dhe të historisë kulturore, që sot elitat intelektuale inferiore nuk e përmendin, madje as në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku unë studiova për 5 vjet në periudhën (2012-2017), emri i tij nuk e gëzonte pozicionin që e meritonte. Ato syllabuse që nuk mbajnë emrin dhe veprën e tij, janë syllabuse shterpe. Ato salla ku ligjërohet për këto tema dhe nuk referohet Ibn Khalduni, janë atmosfera të zymta.


     Nëse duhet t’i kujtojmë mendjet e thella të dijetarëve myslimanë, gjithsesi përmendim Ibn Khaldunin, Ibn Rrushdin (Averroes), Ibn Sinan (Avicenna), Al-Ghazaliun etj (emrat e të cilëve – Averroes dhe Avicenna – u evropianizuan dhunshëm). Lexoni për veprat e tyre, sepse do të mahniteni nga largpamësia e tyre.


     Nuk mund të kuptojmë se si ngrihet dhe bie një qytetërim, në natyrën ciklike historike, nëse nuk kalojmë nga mendimet e thella të Ibn Khaldunit, i cili jetoi në një kohë shumë të trazuar. Historianët që e injorojnë Ibn Khaldunin janë vetëm demagogë trushpëlarë. Mjerë fëmijët tanë nëse do ta mësojnë historinë prej tyre.


     A e dini që Ibn Khalduni në shek. XIV ka analizuar dhe shkruar për ekonominë e tregut të lirë, përkatësisht për ofertën, kërkesën, konsumin, koston, mbivlerën, prodhimin, fitimin, të ardhurat, ndarjen e punës, uljen e taksave për bizneset, akumulimin e kapitalit, rritjen e produktivitetit, shkëmbimin e produkteve në tregje të mëdha etj.? Kështu argumenton Ibrahim M. Oweiss, në punimin e tij “Ibn Khaldun, the Father of Economics”, një ekonomist amerikan me origjinë egjiptiane, këshilltar ekonomik ndërkombëtar dhe profesor i ekonomisë në Universitetin Georgetown në Uashington, D.C.


     Dihet se gjatë presidencës së Ronald Reganit (1981-1989), i cili kishte diplomuar për ekonomi dhe sociologji, kemi pasur uljen e taksave dhe të sigurimeve shëndetësore.[5] Dhe pikë reference ka pasur idetë e Ibn Khaldunit për taksat.


     Ai ka folur edhe për ndikimin e mjedisit në zhvillimin social, për dialektikën ndërmjet jetës urbane dhe jetës rurale, egoizmin dhe solidaritetin. Ibn Khalduni duhet të admirohet edhe nga gjeografët e antropologët.


     Ibn Khalduni është shumë më multidimensional, shumë më origjinal, shumë më elokuent në stilin e trajtimit, se që mund ta përshkruajë vogëlsia ime.


     Ibn Khalduni ishte frymëzues i hatashëm i autorëve dhe i intelektualëve që u takonte. Kontributeve të tij ekonomike, sociologjike dhe historike u janë ekspozuar shekuj më vonë shumë emra perëndimorë që vodhën punën e tij dhe mohuan meritat e tij. Pra, farat origjinale i mbolli Ibn Khalduni, “babai i sociologjisë”.


     Është mëkat nëse studentët e sociologjisë, të ekonomisë e të historisë diplomojnë sot dhe nuk e njohin Ibn Khaldunin. Më mirë le t’i hedhin ato diploma! E ata profesorë të “syllabuseve shterpe, më mirë t’i heqin ata tituj akademikë! Kompleksi i inferioritetit po ua zë frymën.


      Ka edhe autorë të mirë ndaj të cilëve është bërë edhe gjenocid kulturor, pra u janë djegur librat. Ka shumë libra të mirë që institucionet publike kanë refuzuar t’i botonin. Mungesa e Nobelit nuk i bën autorët më pak cilësorë.


     Këtu gjeni versionin e elaboratit të Ivo Andriqit, të shkruar në vitin 1939, që sot ruhet në Arkivin e Serbisë, i publikuar për herë të parë më 1977 nga historiani kroat Bogdan Krizman, në anglisht[6] ose në serbisht[7].


Krimineli Ivo Andriq që u shpërblye me Nobel
Krimineli Ivo Andriq që u shpërblye me Nobel

     Andriqi i takonte shkollës së mendimit ideologjik të Vasa Çubriloviqit, po ashtu një nga monstrumet më kriminale akademike të shek. XX, i njohur për elaboratin famëkeq “Isterivanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve), përmes të cilit u dëbuan dhunshëm qindra-mijëra shqiptarë nga trojet e tyre për në Turqi (marrëveshja ndërmjet Kyprillisë në Turqi dhe Titos në Jugosllavi).


     Për ta njohur më mirë Ivo Andriqin, lexoni edhe këto dy vepra: “Death of Colony”, nga sociologu prof. dr. Ibrahim Berisha[8], dhe “Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia - Early Twentieth-Century Documents (Albanian Studies)”, nga Robert Elsie[9]./EPIQENDRA.COM


Referenca:


[1] Nobel Prize, “The Nobel Prize in Literature 1961, Ivo Andrić, Facts”, https://www.nobelprize.org/prizes/literature/1961/andric/facts/


[2] Nobel Prize, “The Nobel Prize in Literature 2019, Peter Handke, Facts”, https://www.nobelprize.org/prizes/literature/2019/handke/facts/


[3] Alison Flood, ““Ignorant questions”: Nobel winner Peter Handke refuses to address controversy”, The Guardian, 2019, https://www.theguardian.com/books/2019/dec/06/peter-handke-questions-nobel-prize-literature-milosevic


[4] Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art në RMV, “Ivo Andriqit t’i merret çmimi ‘Nobel’ për letërsi”, Koha, 2023, https://www.koha.net/shtojca-kulture/ivo-andriqit-ti-merret-cmimi-nobel-per-letersi


[5] FJALIMET QË NDRYSHUAN BOTËN, Me parathënie nga Simon Sebag Montefiore, Botimet IDK, Tiranë, 2010.


[6] Albanian History, “Ivo Andric, Draft on Albania - 1939”, 2002, http://www.albanianhistory.net/1939_Andric/index.html


[7] Bogdan Krizman, “Elaborat dra Ive Andrića o Albaniji iz 1939. Godine”, 1977, https://hrcak.srce.hr/file/319730


[8] Koha, “Libri i Ibrahim Berishës “Death of Colony” botohet në SHBA”, 2019, https://www.koha.net/kulture/libri-i-ibrahim-berishes-death-of-colony-botohet-ne-shba


[9] Robert Elsie, “Gathering CloudsThe Roots of Ethnic Cleansingin Kosovo and Macedonia, Centre for Albanian Studies”, London 2015, http://books.elsie.de/b075_gathering-clouds/

Comments


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page