top of page

“Jetë me Imazhe” dhe “Imazh pas imazhi” dy libra të rinj të piktorit poet!

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 20 hours ago
  • 3 min read

Shkruan: Blerim Valla


Mes miqve, kolegëve dhe dashamirëve të poezisë në Gjakovë, janë promovuar dy vepra poetike të krijuesit Masar Kupa i cili krijon gjithë jetën e tij paralelisht në dy fusha, në pikturë dhe në poezi. Me këtë rast, autori Kupa ka shënuar 82-vjetorin e lindjes dhe 65-vjetorin e krijimtarisë së tij si poet e piktor. Përndryshe poezitë në këta dy librat më të rinj të piktorit M.Kupa (deri më tani Kupa ka të botuar 4 libra me poezi), paraqiten me mjaft figura artistike dhe me llaryshi temash, duke u ndërlidhur bukur edhe me shumë piktura të tij dhe duke dhuruar për lexuesin përjetime edhe më të veçanta artistike.




     Në këtë promovim të organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” dhe mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Gjakovës, fillimisht ka folur redaktorja e dy librave, prof. dr. Migena Arllati, e cila në fjalën e saj theksoi:

 

     “Kam pasur nderin dhe kënaqësinë që pas librit të parë “Imazhe jete”, të jem redaktore e edhe dy librave të tjerë të autorit Masar Kupa: “Imazhe pas imazheve” dhe “Jetë me imazhe”. Të dy vëllimet e sapobotuara, përmbajnë lirika, krijime të shkurtra romantike e filozofike, ku mbisundon perceptimi personal, bazuar në ndjenjën humane dhe dashamirëse, përjetuese dhe emocionuese. Autori e vë poezinë e tij në shërbim të njeriut, duke çliruar atë energji të brendshme të cilën e tjetërson në poezi, për t’iu treguar të tjerëve pa bujë dhe mendjemadhësi se sa njerëzore po aq hyjnore është të krijosh art! Poezitë e tij vijnë si skicime të bukura mbi natyrën, si frymëzime pasionante mbi të bukurën, të cilën autori është në gjendje ta vërejë gjithkund, jo vetëm aty ku ajo është tërësisht e qartë por edhe aty ku të tjerët e kanë të pamundur ta vërejnë e t’i gëzohen. Gjatë gjithë krijimeve, autori Masar Kupa renditë plot ndjenja dhe emocione, sa të bukura aq edhe mallëngjyese, duke na kthyer shumë shpesh në retrospektivë të përjetimeve të tij, të cilat tashmë i vë në funksion të së sotmes. Ai mbetet një gdhendës i idealit dhe i ëndrrës për ta përjetuar bukur jetën, i dëshirës për të zotëruar sa më shumë çaste të bukura nga ditët dhe vitet që shkojnë në pakthim…”, ka theksuar mes tjerash redaktorja M. Arllati.




     Botimin e dy librave të Kupës e ka përshëndetur më pas edhe kryetari i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, shkrimtari Muharrem Kurti, i cili lavdoi autorin Kupa për energjinë dhe vitalitetin e tij krijues të gjatë si në aspektin estetik por edhe kohor pasi “Masar Kupa është edhe anëtari më i vjetër i gjallë aktiv i klubit tonë që nga Mitingu i parë i Poezisë më 1964 si pjesëmarrës. Që do të thotë se Kupa është artist i kompletuar - si piktor e poet i cili pikturon dhe shkruan poezi qe 60 vite!”, deklaroi M. Kurti.

 

     Kurse krejt në fund të këtij promovimi fjalën e pati autori i dy librave e tij më të ri “Jetë me Imazhe” dhe “Imazh pas imazhi”, Masar Kupa, i cili dukshëm i emocionuar ka thenë se veprat e tij në fjalë sjellin imazhe të kohës por edhe të nostalgjisë. Kupa, është shprehur se përkundër moshës, ai vazhdon të jetë i përkushtuar edhe pse në moshë të shtyer, si në poezi ashtu dhe në pikturë.

 

     Gjatë promovimit të dy librave të autorit Masar Kupa, mysafirët janë kënaqur edhe edhe me pjesë muzikore në flautë interpretuar nga flautisti Dielli Ballata dhe me recitimin e disa poezive nga librat e Kupës, deklamuar nga nxënësja Aurela Thaqi./EPIQENDRA.COM

Comments


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page