top of page

Intervistë me George Ritzer: Si u ngritën kapitalistët duke u bërë multi-miliarderë?

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 3 days ago
  • 10 min read

Updated: 22 hours ago


Intervistë e realizuar në vitin 2015 nga Labinot Kunushevci me sociologun e famshëm amerikan George Ritzer (botuar në librin e tij dy-gjuhësh "Kuvendime Sociologjike Bashkëkohore" - "Contemporary Sociological Conversations")


Kapitalistët e rinj janë ngritur dhe janë bërë multi-miliarderë duke i zëvendësuar punëtorët e paguar me prozumues pa pagesë.


George Ritzer


George Ritzer është Profesor Nderi i Universitetit të Marilandit. Ai është emëruar Profesor i dalluar në Maryland dhe mori çmimin për kontribut të çmuar në mësimdhënie nga Shoqata Amerikane e Sociologjisë. Ai është i njohur për teorinë sociale postmoderne, mekdonalldizimin, mekuniversitetin, globalizmin, etj. Librat e tij janë përkthyer mbi njëzetë gjuhë, me mbi 12 përkthime të vetme të librit MekDonalldizimi i shoqërisë (The McDonaldization of Society). Ai është autor i shumë librave. Disa prej tyre janë: Sociologjia: një shkencë e pradigmave të shumëfishta (Sociology: A Multiple Paradigm Science), 1974; Paraqitja e Amerikës: një kritikë për shoqërinë globale të kredit kartelave (Expressing America: A Critique of the Global Credit Card Society), 1995; Globalizimi i asgjësë (The Globalization of Nothing), 2007; Përmbushja e një bote të papërmbushur: revolucionarizimi i mjeteve të konsumit (Enchanting a Disenchanted World: Revolutionizing the Means of Consumption), 2010; Teoria sociologjike (Sociological Theory), 2013; MekDonalldizimi i shoqërisë (The McDonaldization of Society), 2015, etj. 

 

Kjo intervistë është pjesë e një projekti mbi teorinë sociale me ndikim që gjithashtu synon të eksplorojë ndërlidhjen e sociologjisë ndërkombëtare dhe kombëtare përmes konversacioneve me sociologë të shquar. Është realizuar në vitin 2015 nga Labinot Kunushevci, anëtar i asocuar i Rrjetit të Sociologëve të Rinj të ISA-së, i cili ka përfunduar studimet MA në Sociologji në Universitetin e Prishtinës, Kosovë.

 

Në këtë intervistë speciale, e para e një autoriteti si Giddens e dhënë për Kosovë, janë diskutuar këto tema: teoritë postmoderne sociale, modelet e konsumit, mekdonalldizimi, mekuniversiteti, globalizmi, të menduarit në postmodernitet dhe globalizëm, e ardhmja e sociologjisë dhe integrimi i Kosovës në BE.

 

LK: Zhvillimet e reja sociale kanë prodhuar efekte shumëdimensionale duke prekur një mori fushash, si: politikën, kulturën, ekonominë, shkencën, teknologjinë, mediet, etj., dhe këto efekte kanë prodhuar ndryshime në strukturën e organizimit shoqëror, duke krijuar një realitet social skajshmërisht kompleks dhe gjithnjë në ndryshim, për shpjegimin e të cilit i janë qasur teori të ndryshme. Cila nga perspektivat teorike, sociologjike, sociale postmoderne, metateorike, etj., janë më në gjendje të japin një shpjegim më interdisiplinar të kompleksitetit të botës bashkëkohore?

 

Ritzer: Gjithmonë kam qenë kundër zgjedhjes së një, ose edhe disa, teorive me të cilat do ta analizoja botën sociale. Kjo logjikë vjen nga një libër i imi i vitit 1975 Sociologjia: një shkencë e paradigmave të shumëfishta (Sociology: A Multiple Paradigm Science) dhe një tjetër vëllim pasues i vitit 1981 Drejt një paradigme sociologjike të integruar (Toward an Integrated Sociological Paradigm). Në librin e parë unë i trajtoj paradigmat më të mëdha të shfaqura në sociologjinë e kohës, si dhe faktin që secila paradigmë sjellë dy ose edhe më shumë teori. Pika relevante është që asnjë paradigmë ose teori nuk është “e drejtë”, ose “të paktën e drejtë” gjithë kohës. Ne ASESI nuk duhet të varemi nga një paradigmë ose teori për të analizuar çdo çështje sociale. Çështje të ndryshme kërkojnë përdorimin e paradigmave dhe teorive (si dhe metodave) të ndryshme dhe duhet të jemi të lirë të zgjedhim ato që janë më të përshtatshme për çështjen në fjalë. Në volumin e mëvonshëm unë i kritikoj paradigmat ekzistuese për trajtimin e ngushtë që i bëjnë “niveleve” të veçanta të analizës sociale dhe që kanë nevojë për një tjetër paradigmë që i plotëson ato në nivelet e tyre të ndryshme. Një paradigmë më e integruar që merret me disa nivele të realitetit social është më e nevojshmja për t’u marrë me kompleksitetin e botës moderne. Paradigmat si dhe teoritë e tjera kanë mundësi për të analizuar çështje më të limituara, mirëpo çështjet më komplekse kanë nevojë për një paradigmë më të integruar sociologjike.

 

LK: Profesor Ritzer, ju jeni i famshëm për konceptin "MekDonalldizimi": a e shihni këtë si një formë të imperializmit kulturor apo thjesht rezultat të konkurencës së lirë në treg?

 

Ritzer: Shumica e veprës time që nga viti 1990 është lidhur në mënyrë direkte ose indirekte me imperializmin kulturor, të cilën unë natyrisht e konsideroj si forcë shumë të rëndësishme në botë. MekDonalldizimi i shoqërisë (The McDonaldization of Society), i publikuar për herë të parë në vitin 1993, tanimë i publikuar në edicionin e tetë të tij, e sheh “mekdonalldizimin” si një forcë të tillë me parimet e saj – efiçencën, parashikueshmërinë, kalkulueshmërinë, kontrollin, si dhe anët irracionale të ndërlidhura me këto sisteme racionale – të cilat eksportohen nga baza e tyre amerikane në shumë vende të ndryshme të botës. Këto më pas marrin formën e McDonald’s, si dhe të bizneseve të tjera amerikane tashmë të globalizuara, mirëpo ajo që është edhe më e rëndësishme është fakti se parimet e mekdonalldizimit kanë gjetur rrugën e tyre në biznese lokale të panumërta, si dhe në shumë organizata (edukative dhe religjioze). Në njërin nga librat e vitit 1995, Paraqitja e Amerikës: Një kritikë për shoqërinë globale të kredit kartelave (Expressing America: A Critique of the Global Credit Card Society) unë merrem me një tjetër formë të imperializmit kulturor (dhe ekonomik) – përhapja e një krijimi tjetër amerikan – kredit kartelës – gjithandej në botë, e cila ende dominohet nga “brendet” amerikane (Visa, MasterCard, American Express). Kredit kartela ndikoi në përhapjen e stilit amerikan të huamarrjes dhe kulturës konsumuese, një fenomen me të cilin merrem më shumë në mënyrë direkte në librin e vitit 1999 (i cili tash është në edicionin e tretë), Përmbushja e një bote të papërmbushur: revulocionarizimi i mjeteve të konsumit (Enchanting a Disenchanted World: Revolutionizing the Means of Consumption). Ideja e mënyrave të konsumit është një zgjatje e ideve të Marksit për mjetet e prodhimit. Mjetet kryesore të konsumit në Shtetet e Bashkuara janë restaurantet e ushqimeve të shpejta (fast food), qendrat tregtare, parqet e lojërave (si p.sh.: Disney World), kazinotë e stilit të Las Vegasit, si dhe linjat detare që përbëhen nga mega anijet. Të gjitha këto janë eksportuar në pjesën tjetër të botës si dhe janë gjithnjë e më tepër duke u bërë destinacione të dëshirueshme për turistët në shumicën e botës së zhvilluar. Madhësia e tyre, nganjëherë edhe “magjike”, gati religjioze, më ka shtyrë që t’i quaj katedrale të konsumit. Katedralet e konsumit, siç janë globalizuar, kanë shërbyer për sjelljen e atij lloj konsumatori që unë e quaj shoqëri e hiper-konsumatorëve që është shumë karakteristikë e Shteteve të Bashkuara. Më e rëndësishmja, të paktën për mua, në këtë fushë është libri im Globalizimi i asgjësë (The Globalization of Nothing). Unë e definoj “asgjënë” si formë sociale të konceptuar dhe të kontrolluar nga qendra dhe që ka mungesë në përmbajtjen dalluese. Si zakonisht, McDonald’s dhe produktet e tyre (p.sh.: Big Mac) janë shembuj të përsosur, mirëpo asgjë nuk është globalizuar në mënyrë të vazhdueshme, sidomos jo nëpërmjet katedraleve të konsumit. Asgjëja globale ka shërbyer për të margjinalizuar gjithnjë e më shumë format lokale të “diçkaje” (të pranuara në zona lokale, të kontrolluara dhe të pasura në përmbajtjen e tyre dalluese). Kështu që, ne kemi krijuar një botë gjithnjë e më të karakterizuar nga asgjëja! 

 

LK: Ju keni zgjeruar idetë tuaja të konsumit global për universitetin. Çfarë mund të thoni për universitetin modern?

 

Ritzer: Pikëpamjet e mija për universitetin janë në linjë me përgjigjen që e kam dhënë në pyetjen e dytë, ku unë i jam qasur universitetit sot si mekuniversitet. Kjo i bie që është mekdonalldizuar procesi edukativ duke u fokusuar në efiçiencë, parashikueshmëri, llogari dhe kontrollë. Kjo ka ndihmuar në krijimin e sistemeve edukative masive, mirëpo irracionalja e racionaleve të këtyre sistemeve është fakti se ato ndikojnë negativisht në kualitetin e sistemit edukativ dhe edukimit. Në këtë aspekt, ato përmbledhin efektet e restauranteve të fast food-it në kualitetin e ushqimit (ku mund të kesh një ‘Big Mac’, mirëpo jo një ‘Mac të shijshëm’). Kjo poashtu shërben për kthimin e universiteteve në favor të status quo-së se sa kundër saj. Unë mendoj se mekuniversitetet vazhdimisht po monopolizojnë dijen dhe përhapjen e saj. Sidoqoftë, interneti po e sfidon këtë dominancë. Interneti i ka dhënë mundësi lindjes së Kurseve Masive të Hapura Online të cilat kanë mundësi të kthejnë kontrollin e edukimit tek një grup i vogël i universiteteve elitare dhe profesorët e tyre. Shumica e studimeve të mija nga vitit 2007 fokusohen në prozumim, apo bashkimin i prodhimit dhe konsumimit. Studentët gjithmonë kanë qenë konsumues dhe prodhues të dijes. Ata e konsumojnë dhe e prodhojnë atë në mënyra që janë unike për secilën dhe si të tillë ata sjellin shpresë për luftimin e mekuniversiteteve dhe MOOC-ve. Studentët nuk janë konsumues pasiv të asaj që ofrojnë këto universitete, por ata janë edhe prodhues aktiv të asaj që ndodh brenda universiteteve dhe dijes që rrjedh nga këto universitete. Në termat e Erving Goffman-it, studentët janë "gjigantë të rrezikshëm" të cilët mund të marrin kontrollin, nëse jo t’i shkatërrojnë këto sisteme.

 

LK: Cili është mendimi i juaj për të ardhmen e sociologjisë në fushën e dijes dhe disiplinave shkencore?

 

Ritzer: Objekti i studimit të sociologjisë gjithmonë ka qenë bota sociale. Duke e marrë parasysh perspektivën time në shumë paradigma, kemi një varg paradigmash dhe teorish për të zgjedhur, përderisa të reja formohen me kalimin e kohës. Teoria postmoderne është një qasje e cila mund të përdoret. Bota sociale është gjithmonë në ndryshim e sipër dhe ne kemi një sërë teorish të cilat modifikohen dita-ditës dhe shërbejnë për analizimin e realiteteve në ndryshim. Ndërdisiplinariteti është në linjë me paradigmat e integruara dhe të shumëllojshme të cilat i preferoj unë. Ne duhet të krijojmë sa më shumë qasje që është e mundur. Ne ASNJËHERË nuk guxojmë t’i qëndrojmë besnik vetëm një qasjeje. Kjo na detyron që një qasje e cila funksionon për një problem ta përdorim për të gjitha problemet. Ne duhet të jemi të lëngshëm dhe të adaptueshëm kur përdorim teori të caktuara. Unë asnjëherë nuk kam besuar në sociologjinë që është neutrale ndaj vlerave, e besa këtë nuk e ka besuar as themeluesi i supozuar i kësaj ideje – Maks Veberi. Veber parashihte disa role të rëndësishme të vlerave, për shembull, hetimin e një problemi dhe  interpretimin e rezultateve. Ajo çka ai kundërshtonte ishte të lejohen vlerat të ndikojnë tek rezultatet. Kjo e fundit është shumë jo-kontraverse – kush do të kërkonte përdorimin e vlerave në shtrembërimin e rezultateve të të gjeturave? Konceptet NUK JANË univerzale. Ato ose janë ose nuk janë të dobishme. Përsëri, kjo është konsistente me sensin e Veberit për tipet ideale si shufra matëse. Nëse një koncept nuk funksionon, ose nuk funksionon në një kontekst të caktuar, ai duhet të eleminohet, qoftë edhe vetëm për atë kontekst.

 

LK: Në ditët e sotshme mendimi ndryshon nga brezi i kaluar dhe njeriu bashkëkohor ka një koncept të ndryshëm për botën. Çfarë ndryshimesh sociale po sjellë globalizimi, veçmas në kontekstin e qasjes ndaj vlerave humane dhe vlerave tjera themelore të modernitetit?

 

Ritzer: Më pëlqen si e sheh Zygmunt Bauman postmodernitetin dhe globalizimin. Ajo ka ndikuar në punën time në këto dy koncepte. Në shumë mënyra moderniteti ishte dhe mbetet një tragjedi. Postmoderniteti dhe globalizmi mundësojnë tejkalimin e shumë problemeve të cilat janë të bazuara në modernitet dhe vlerësimin e shtet-kombeve në vend të një bote të globalizuar. Unë kam përdorur konceptin e ‘lëngshmërisë’ së Baumanit për të analizuar globalizimin (Globalizimi: një tekst bazik - Globalization: A Basic Text, edicioni i dytë). Ne jetojmë në një botë gjithmonë e më të lëngshme e jo në një botë moderne e cila u karakterizua nga vështirësitë dhe ngurtësitë (përfshirë këtu edhe në konceptet e saj). Kjo lëngshmëri mund të na sjellë një botë më humane se sa bota moderne, ku konceptet e ngurta si ato të krijuara nga nazistët, lejuan që disa njerëz të etiketohen si njerëz më të ulët, e si rrjedhojë t’ua shtrojë rrugën drejt marshimit në kampe të koncentrimit me dhoma gazi (ndoshta strukturat më të vështira të ndërtuara ndonjëherë nga njerëzit). Më shumë lëngshmëri, më pak koncepte dhe struktura të ngurta, mund të na ndihmojnë në parandalimin e përsëritjes së botës moderne dhe krijimin e një bote më njerëzore.

 

LK: Ju keni qenë një autor me krijimtari të frytshme, unë pres që të keni shumë projekte të reja dhe interesante - a mundeni shkurtimisht të më thoni për to?

 

Ritzer: Siç edhe e thashë më lart, shumica e punës time në dekadën e fundit ka qenë mbi prozumimin – kam publikuar 6-8 dokumente të rëndësishme në këtë temë. Përderisa ne gjithmonë kemi qenë prozumues (një koncept i lëngshëm postmodern) asnjëherë nuk kemi qenë veç prodhues ose konsumues – dikotomia moderne të cilën duhet ta braktisim. Meqë ra fjala, vendndodhja e prozumuesve sot është interneti, aty ku ne qartazi prozumojmë nëpër blogje, në facebook, etj. Ne poashtu jemi prozumues në rritje të katedraleve të konsumit, ku si “konsumatorë” bëjmë shumë më shumë “punë” që më herët bëhej nga punëtorë të cilët paguheshin (mendoje gjithë punën që e bëjmë në restaurante të fast food-it, qendra tregtare, IKEA, etj.). Unë tash vonë kam filluar të sjelli prova që jemi duke jetuar në një botë të “kapitalizmit prozumues”, ku kapitalistët kanë filluar të preferojnë që nuk paguhen ose që paguhen më dobtë, kundruall punëtorëve të cilët i paguajnë. Uber është një shembull i mirë për këtë, përderisa shoferët e taksive po zhduken kundruall rritjes së prozumuesve të cilët punojnë për Uber. Kur porosisim libra në Amazon.com, jo vetëm që konsumojmë libra (ose produkte të tjera), mirëpo edhe i prodhojmë porositë tona pa pagesë fare. Si rezultat i kësaj, bibliotekat dhe libraritë, si dhe ata të cilët punonin aty, dalëngadalë po zhduken, dhe është duke ndodhur sektor pas sektori në ekonomi. Si rezultat, kapitalistët e rinj (Mark Zuckerberg, Jeff Bezos) janë ngritur dhe janë bërë multi-miliarderë duke i zëvendësuar punëtorët e paguar me prozumues pa pagesë. Jo vetëm që prozumuesit janë të papaguar, por ata as nuk janë punonjës, prandaj ata nuk kërkojnë përfitime, sigurim shëndetësor dhe të ngjashme. Ata nuk janë fare problem për kapitalistët sikurse punëtorët tradicional që paguhen. Teknologjitë e reja (p.sh.: robotët) do t’ua mundësojnë bizneseve gjithmonë e më shumë të mbështeten në prozumues (ose do të prozumojnë në “makineritë prozumuese” të tyre) dhe do kenë gjithmonë e më pak nevojë për punëtorë që duhet paguar.

 

LK: Duke qenë se jemi vend i vogël që u bë i pavarur vetëm dhjetë vjet më parë, ne ende ballafaqohemi me sfida të ndryshme, posaçërisht në liberalizimin e vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Ky izolim po na krijon pamundësi të lëvizjes së lirë, të kontaktit me shtetet dhe kulturat evropiane, të integrimit në tregun evropian, dhe qasjes në mundësitë evropiane të punës, përderisa 60% të strukturës së popullsisë e kemi nën moshën 25 vjeçare. Ne e ndjejmë nevojën e përkatësisë dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Çka do të sugjeronit që ne të bëjmë në mënyrë që Kosova të integrohet në Evropë?

 

Ritzer: Unë  nuk mund të supozoj se çka duhet të bëjë Kosova. Sidoqoftë, mendimi juaj është i saktë në atë se për të qenë i suksesshëm secili vend duhet të jetë pjesë dhe e hapur për rrjedhat globale. Sipas kësaj Kosova duhet të jetë pjesë e botës globale në përgjithësi dhe BE-së në veçanti. Megjithatë, ajo që është më se e qartë në rastin e Greqisë, një vend të vogël që e lidh veten me Bashkimin Evropian dhe euro-n e saj e presin probleme serioze./EPIQENDRA.COM

Comments


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page