top of page

Ku dallon depresioni i fshehur nga lumturia publike?

  • Writer: infoepiqendra
    infoepiqendra
  • 2 days ago
  • 9 min read

Updated: 12 hours ago



Shkruan: Labinot Kunushevci


Ka një dallim mes asaj se sa dukesh i lumtur dhe sa vërtet je i lumtur. Është një mjeshtri e kamuflimit të depresionit. Është një vijë e hollë ndërmjet. Ne shpesh e ngatërrojmë kënaqësinë me lumturinë. Jemi një shoqëri euforike, kemi qejf të shfaqemi. A ka ndikim instinkti i mbijetesës dhe konstrukti i të menduarit - pathyeshmëria dhe krenaria e shqiptarëve - që në hulumtimet për lumturinë dhe optimizmin dalin të parët? Po solidariteti e familja? Po harrojmë se është një vijë e hollë ndërmjet optimizmit dhe iluzionit.


     Ne nganjëherë nuk e dimë se çka na bën të lumtur realisht ose nuk i vlerësojmë ata faktorë që do të ishin burimi ynë i lumturisë. Ose nuk i shijojmë dhuntitë që i kemi prej Zotit, të cilat do të na përmbushnin. Sepse lumturia është përmbushje e prioriteteve dhe të pritshmërive. Lumturia është shumë unike, nuk riciklohet, nuk imitohet, është shumë relative. Ajo që më bën mua të lumtur, për shembull, jo domosdoshmërisht e bën të lumtur një japonez, singaporean apo turk, të cilët janë shumë më poshtë se ne në indeksin e lumturisë për vitin 2024. Por a ndikon te shqiptarët edhe pajtimi shpirtëror me fatin, kur i dallojnë gjërat që janë rezultat i vullnetit njerëzor prej atyre që janë rezultat i vullnetit hyjnor?


     Të kthehemi te raporti që e ka listuar Finlandën si vendin më të lumtur në botë[1], ku sipas Institutit Finlandez të Shëndetit Publik, Finlanda, me 5.6 milionë banorë, numrin e vetëvrasjeve e ka mbi mesatare (për periudhën 2016-2023 janë 6 132 vetëvrasje).[2] Pra, 15.7 banorë të vetëvrarë në 100 000 banorë. Ndërsa Grenlanda mbetet vendi me shkallën më të lartë të vetëvrasjeve në botë, me 59.6 vetëvrasje për 100 000 banorë. Mirëpo Palestina, në Raportin e Lumturisë, sipas Gallup-it, është renditur në vendin e 108-të dhe ka shkallën më të ulët të vetëvrasjes në botë, me 0.78 vetëvrasje në 100 000 banorë, sipas World Population Review. Pastaj vjen Siria, Libani, Egjipti, Omani, Jordania etj., që kanë numrin më të vogël të vetëvrasjeve në botë.[3]


     Ky është një paradoks. Çka tregon kjo? Mënyra e jetesës dhe mënyra se si e konceptojmë lumturinë. Se palestinezët janë populli me më së paku vetëvrasje në botë tregon rezistenca e tyre e fortë përballë gjenocidit dhe kolonizimit izraelit. Ata mbijetojnë në të gjitha kushtet dhe nuk vetëvriten. Për mua palestinezët nuk janë ndër popujt më të palumtur në botë. Ata janë ndër popujt më të pathyeshëm në botë, që nuk e njohin dorëzimin, as dëshpërimin. Ata nuk përdorin hape antidepresion si perëndimorët. “Antidepresioni” i palestinezëve është besimi i palëkundur. Mënyra se si e koncepton jetën një palestinez dhe një finlandez dallon shumë. Janë rrethana dhe histori të ndryshme, është tjetër kulturë, tjetër etno-psikologji, janë tjera pritshmëri ndërmjet tyre.


     Për mua nuk është neuropsikiatër ose neurolog i suksesshëm ai i cili në baza ditore i përshkruan antidepresant në terapi çdo pacienti që ka probleme me shëndetin mendor dhe emocional. Unë e vlerësoj vetëm atë profesionist të shëndetit mendor, i cili ka aftësinë që t’ia ndryshojë pacientit mënyrën e të menduarit, të ndikojë në mënyrë natyrale, racionale e aktive në zhvillimin e inteligjencave të tij, ta disiplinojë në ndryshimin e zakoneve, ta stimulojë dhe ta bindë të merret me aktivitete që ndikojnë pozitivisht në çlirimin natyral të hormonit të serotoninës në tru. Pra, mjekët që përshkruajnë vetëm antidepresantë, ata krijojnë “lumturi farmaceutike” apo “lumturi artificiale”, një varësi shumë të rrezikshme. Njoh shumë të rinj që nga depresioni kanë filluar me antidepresantë dhe sot e kanë shumë të vështirë t’i ndërpresin ato. Sepse shumica e mjekëve nuk dinë si ta shërojnë apo luftojnë depresionin në mënyrë sociologjike dhe psikologjike. Kimia e trurit nuk duhet të krijojë varësi vetëm nga terapitë e industrisë farmaceutike. Ajo mund të përmirësohet edhe me aktivitete të reja.


     Kosova në këtë hulumtim është renditur në vendin e 29-të nga gjithsej 147 shtete pjesëmarrëse, ndërsa në rajon ka rezultuar e para.


     Nëse pjesëmarrësit në hulumtim “të lumturit” janë të varur kronikisht nga antidepresantët, kjo “lumturi”, çlirimi i hormonit të serotoninës në forma farmaceutike është lumturi artificiale.


     Sipas Report Linker[4], Britania e Madhe prin me numrin më të madh të përdorimit të antidepresantëve në botë për vitin 2023, me 152.5 doza ditore të përcaktuara për 1 000 persona në ditë, ndërsa në indeksin e lumturisë gjendet në vendin e 23-të. Kjo statistikë tregon se britanikët janë të lumtur artificialisht, jo natyralisht.


     Populli i dytë më i varur nga antidepresantët është Kanadaja, ndërsa zë vendin e 18-të në Raportin e Lumturisë.

     Australianët janë në vendin e tretë për përdorim të antidepresantëve, ndërsa të 11-ët në Raportin e Lumturisë.

     Edhe Finlanda bën pjesë në 10 shtetet me më së shumti përdorues të antidepresantëve.


     Çekia prin në vendin e 20-të në Raportin e Lumturisë, ndërsa sipas një hulumtimi të publikuar në Euronews, në periudhën 2000 – 2020, Çekia ka rritur numrin e përdoruesve të antidepresantëve për 577%.


     Nëse finlandezët na qenkan “më të lumturit”, statistikat tregojnë se në vitin 2019, 8.8% e qytetarëve finlandezë janë raportuar se vuajnë nga depresioni kronik. Shpenzimet për antidepresantë janë kosto e lartë për qytetarët dhe vendet e tyre. Në vitin 2020, Gjermania shpenzoi 812 milionë dollarë (783 milionë euro) për ilaçet kundër depresionit. Spanja (649 milionë dollarë ose 626 milionë euro) dhe Italia (456 milionë dollarë ose 440 milionë euro) janë vendet e tjera kryesore për shpenzimet për ilaçet kundër depresionit.


     Sipas sondazhit të publikuar në Eurostat, në vitin 2019, 7.2 për qind e qytetarëve të BE-së raportuan se kishin depresion kronik.[5]


     Pra, kjo është “lumturia e barnatoreve” të cilën e ka prodhuar Big Pharma për interesat e industrisë së vet, që neve na e krijon iluzionin se të jesh i lumtur duhet të marrësh shembull shtetet që prijnë në indekset e lumturisë.


     Gjithsesi nuk e përjashtoj se te rasti i finlandezëve, një arsye e fortë mund të jetë që njerëzit ndihen më të sigurt për shkak të mbështetjes shtetërore ekonomike dhe sociale, ndërsa dihet se njerëzit e kërcënuar janë më pak të lumtur.


     Si e konceptojmë lumturinë në jetën reale dhe në jetën virtuale? Identiteti virtual është shpeshherë i rrejshëm. Nëse e shihni dikë duke buzëqeshur në një fotografi, nuk do të thotë se ai person është i lumtur. Nëse e shihni dikë që ka investuar në një shtëpi përrallore apo po shëtitet me jahte, mos mendoni apriori se është i lumtur.


     Kur jemi te iluzioni, duhet rikujtuar se është një pjesë e trurit që quhet korja parafrontale, përgjegjëse për rregullimin e emocioneve tona, e cila zhvillohet plotësisht pas moshës 25-vjeçare dhe na ndihmon ta dallojmë iluzionin apo pozitat, statuset dhe ndjenjat e rrejshme apo imagjinare që na ofrohen në media, në filmat e Hollywood-it, në seritë e Netflix-it. Kjo do të thotë se fëmijët dhe të rinjtë e kanë shumë më vështirë t’i rezistojnë iluzionit.


     Idiotët shpesh i detyrojnë të tjerët të shtiren dhe të duken se janë të lumtur, kur në të vërtetë nuk janë. Prapa “maskës së tyre të lumturisë publike” qëndron frustrimi, pakënaqësia, turbulenca, trazira, depresioni, stresi kronik, pagjumësia, konflikti, xhelozia, urrejtja, dëshpërimi, përçarja, konfuzioni, paranojat. Ndërsa në rrjetet sociale dhe në raportet artificiale të improvizuara shoqërore e familjare janë të hareshëm, solidarë, mikpritës dhe në humor të ndrydhur. Idiotët janë personat që me pasionet e tyre më së shumti e cenojnë dhe trazojnë lumturinë tonë.


     Dhe mos harroni se ne rrethohemi nga njerëzit që na xhelozojnë, por mos u frikësoni nga xhelozia e tyre, sepse ajo nuk ju bën dëm më shumë se vetë xhelozëve. Xhelozia ua acaron shpirtrat, mendjet dhe emocionet xhelozëve. Sa më të lumtur dhe më të sukssshëm të jemi, aq më të tërbuar në vete janë xhelozët. As nga magjia e tyre mos u frikësoni. Njerëzit që xhelozojnë janë më të palumturit e botës. Është e vërtetuar se komplimentet e rritin nivelin e serotoninës, por mos i pritni ato nga ziliqarët.


     Komplimentoje veten pas çdo suksesi, sepse nuk është turp dhe përqendrohu te pikat e tua të forta, që të të rritet vetëbesimi. Mos e kritiko veten vazhdimisht për gabimet e kaluara. Nëse keni marrë mësim nga gabimet tuaja, kurrë mos e ktheni kokën prapa sado të kenë qenë të mëdha ato gabime. Thjesht, kritika e tepërt ndaj vetes e shteron njeriun dhe ia zbeh lumturinë. Sa më shumë që e respektojmë veten, aq më pak na bëjnë përshtypje mendimet e të tjerëve. Duke u preokupuar se si po na vlerësojnë dhe reagojnë të tjerët, ne po harrojmë ta shijojmë atë pak lumturi që kemi e cila dita-ditës po venitet. Mendja jonë nuk lodhet kurrë nga gjuetia e paligjshme. Sedra e shëndoshë është zgjidhja. Po ashtu drita e diellit ndikon në ngritjen e serotoninës (një nivel i lartë i vitaminës D) së bashku me ushtrimet fizike, meditimin, ushqimin e shëndetshëm dhe gjumin e mirë. Kështu do ta shmangni stresin kronik. Kjo do t’ju ndihmojë të përjetoni koktejin e engjëjve, në vend të koktejit të djajve. Dhe ju do të shërbeheni prej tyre me “pijet” më të mira që keni konsumuar ndonjëherë, e ato, sipas David Jp Phillips, janë harmonia dhe kënaqja me gjendjen ku ndodhesh.


     Nivelet e serotoninës varen edhe nga rrethanat shoqërore në të cilat gjendemi dhe ky ndryshim mund ta luhatë humorin tonë. Pra, vendi ku jemi, personat me të cilët rrethohemi, pozita shoqërore që mbajmë, e përcakton humorin tonë, nivelin e serotoninës në tru dhe në një mënyrë lumturinë tonë.


     Siç thotë autori David JP Phillips:


Nga studimet ka dalë se serotonina është e lidhur ngushtë me pozitën shoqërore. Individët me pozitën më të lartë kanë nivelet më të larta të serotoninës. Këta individë priren të jenë më harmonikët, më pak të stresuarit dhe më të shëndetshmit, për shkak se ndiejnë se i kanë të plotësuara të gjitha nevojat dhe se nuk janë të kërcënuar. Në momentin kur u vihet në rrezik pozita shoqërore ose pozita e përceptuar shoqërore, u ulet niveli i serotoninës dhe, nëse si pasojë e kësaj u rritet niveli i stresit, këta individë mund të bëhen agresivë. Individët që besojnë se janë (ose që janë vërtet) pjesë e shtresave më të ulëta të hierarkisë shoqërore, priren të kenë nivelet më të ulëta të serotoninës dhe, për pasojë, vuajnë shpesh nga stresi dhe nuk gëzojnë shëndet të mirë.[6]


     Në fakt, kushti themelor i lumturisë është stabiliteti dhe ekuilibri. Njerëzit, thellë-thellë në sekretet dhe privatësitë e tyre, thellë-thellë në intimitetet dhe ndjenjat e tyre, janë më të mjerë se që i mendojmë ne, më pesimistë dhe më të pakënaqur se që i njohim ne. Ata shpeshherë synojnë kënaqësinë dhe jo lumturinë. Shumicën e emocioneve njerëzimi i mban sekret. Synojnë hormonin e kënaqësive momentale (dopaminën) dhe jo hormonin e lumturisë afatgjate (serotoninën). Janë të kënaqur materialisht, por jo të lumtur shpirtërisht. Çfarë maske e ndyrë që është kjo! Kujt i aktrojnë kështu? Pse e rrejnë vetveten?


     Nëse pasuria të bën të lumtur, nuk besoj se njerëzit më të pasur në botë janë edhe më të lumturit. Sepse është konfirmuar që disa multimiliarderë përdorin ketaminë, një lloj antidepresanti, që u ndihmon atyre të dalin nga “gjendja negative e mendjes”.[7] Besoj që shumica e liderëve politikë në botë përdorin antidepresantë.


     Një ekuilibër natyral i hormoneve në kiminë e trurit, një kombinim i inteligjencave të shumëfishta, thyerja e iluzioneve dhe e kultit të individit - mosvarja e shpresave te një person, por besimi në institucione, do ta kultivonin lumturinë, sepse në institucione merren vendimet, nga vendimet caktohet standardi, nga standardi caktohet mirëqenia dhe nga mirëqenia vjen lumturia. Pra, lumturia jonë varet nga fokusi ynë, nga vetëbesimi ynë. Ku duam ta fokusojmë trurin dhe mendjen tonë: në gjërat pozitive dhe në mundësi reale, apo në gjëra negative dhe në pika të dobëta të karakterit?!


     Nëse mendojmë të bëhemi të lumtur vetëm pasi të bëhemi të përsosur, aty përfundon lumturia jonë. Nëse presim të marrim leje nga autoritetet dhe elitat se si dhe kur duhet të jemi të lumtur, atëherë kemi bërë vetëvrasje. Vetëm disiplinimi i mendjes sonë na sjell burime të lumturisë.


     Vetëvrasja është shumë më e shprehur në ato vende që ende e kanë tabu shëndetin mendor. Pa përjashtuar edhe faktin që sociologu gjerman, Ulrich Beck, e shpjegon kur thotë se individualizimi ekstrem i shoqërive industriale, sidomos zhvillimi i shpejtë ekonomik, arrin t’i zbehë lidhjet dhe vlerat tradicionale shoqërore dhe kjo çon në liri më të madhe për çdo individ, por gjithashtu mund të rezultojë në pasiguri dhe izolim.


     Por a janë të lumtur ata që duan të largohen nga vendi i tyre?


     Rrjetet sociale nuk i bëjnë njerëzit të lumtur, ato krijojnë iluzione. Ekstravaganca dhe luksi nuk i bëjnë njerëzit të lumtur, ato ushqejnë vetëkënaqësinë. Lumturia dhe vetëkënaqësia dallojnë thelbësisht.


     Njerëzit e lumtur kënaqen me atë që e kanë dhe nuk e krahasojnë veten me të tjerët në pasuri dhe statuse, pra nuk lakmojnë, sepse lakmia e pangopur, pasionet e çakorduara, egoizmi i brishtë çojnë në depresion. As fama, as folk-patriotizmi nuk i bëjnë njerëzit të lumtur, as besimi në elita false dhe në kultin e liderit.


     Lumturia është gjendje, nuk është moment, siç mund të jetë kënaqësia. Lumturia lidhet me mirëqenien, sigurinë afatgjate, stabilitetin emocional, paqen me veten, mënyrat se si reagojmë në fatkeqësi, marrëdhëniet e ndershme humane dhe korrekte sociale, shfrytëzimin racional të dhuntive dhe begative të Zotit dhe mirënjohja ndaj Tij, marrjen e shërbimeve nga shteti, ekuilibrin ndërmjet jetës private dhe asaj publike etj./EPIQENDRA.COM


Referenca:





[4] Report Linker, “Global Antidepressant Medicine Use by Country”, 2023, https://www.reportlinker.com/dataset/d33ab915dac6a16e2ada9249ff0b2847240016cb


[5] Servet Yanatma, “Europe's mental health crisis: Which country uses the most antidepressants?”, EuroNews, 2024, https://www.euronews.com/health/2023/09/09/europes-mental-health-crisis-in-data-which-country-uses-the-most-antidepressants


[6] David JP Phillips, Gjashtë substancat që ta ndryshojnë jetën, Pema, Prishtinë, 2024.


[7] Clare Duffy, “Elon Musk details his prescription ketamine use, says investors should want him to ‘keep taking it’”, CNN, 2024, https://edition.cnn.com/2024/03/18/tech/elon-musk-ketamine-use-don-lemon-interview/index.html

Comments


Më të rejat

Sponzorët tanë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga EPIQENDRA.

bottom of page