Pse dhuroj gjak çdo 3 muaj?
- infoepiqendra
- 3 days ago
- 3 min read
Updated: 21 hours ago

Shkruan: Labinot Kunushevci
Imagjinojeni veten në një situatë kritike shëndetësore, i shtrirë në spital, pas një aksidenti apo sëmundjeje, në një proces operimi, ku ke humbur shumë gjak dhe jeta juaj varet nga gjaku i dikujt tjetër, mirëpo nuk gjendet lehtë një dhurues për ty!
Unë kurrë s’e kam provuar këtë ndjenjë, të kërkoj gjak për vete apo për familjarët e mi. Megjithatë e kam vendosur veten gjithmonë në këtë pozitë. Për të qenë dhurues i rregullt, përveç shëndetit personal, duhet të jesh shumë i disiplinuar dhe ta kesh empatinë maksimalisht të zhvilluar.
1. Është porosi hyjnore e Zotit që t’i shpëtojmë njerëzit;
2. Arrihet përmirësim i sistemit kardiovaskular tek dhuruesi;
3. Është vetëdije kulturore, solidaritet shoqëror dhe disiplinë personaliteti.
Këto janë tri motivet e mia pse organizmin tim e kam disiplinuar të dhurojë gjak.
Sepse ato 250 ml gjak që dhurojmë, nuk janë tonat, janë të atyre që kanë nevojë. Ashtu si zekatin që e dhurojnë të pasurit, ajo pjesë e pasurisë prej 2.5% s’është e tyre, është e njerëzve që kanë nevojë. Pra, doza prej 250 ml gjak që ne dhurojmë është zekati i trupit dhe gjakut tonë.
Kur e kujton se gjaku yt mund të qarkullojë në kapilarët e një personi të mbijetuar dhe atë person mund ta takosh në rrugë pa e ditur se ai bart një sasi gjaku nga trupi juaj, është një ndjenjë humane që vetëm dhuruesit e shijojnë. Imagjinojeni kur një person që po lufton me jetën, një grua e cila ka humbur shumë gjak për të sjellë në jetë një fëmijë, një person që vuan nga kanceri, një person që ka çrregullime autoimune, një person që është aksidentuar në rrugë, një person që po i futet një transplantimi organesh, një person që vuan nga ndonjë sëmundje e gjakut, një person që gjendet në parametra ekstrem të anemisë ose leukemisë, fëmijët talasemikë dhe ti je personi më i duhur dhe më i rëndësishëm për ta në atë moment. Nuk është patjetër të mendojmë se për t’i ndihmuar dikujt duhet t’i dhurojmë vetëm para. Jo rastësisht vajzës sime të dytë ia kam lënë emrin Aorta.
Dhurimi i gjakut duhet të shihet si detyrim moral, nuk është ndonjë privilegj për të cilin duhet të na shpërblejë shoqëria.
Ndërsa më 15 maj 2025, me të hyrë në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, për të dhuruar gjak për herë të 22-të, ishte një familje në pritje të një doze gjaku të freskët, që për fatin e tyre unë e kisha atë grup gjaku që ata e kërkonin. Dhe profesionistja shëndetësore më pyeti se a mund t'ia dhurosh drejt kësaj familjeje që po presin për kryefamiljarin e tyre që është në pritje për operim. Kuptohet që përgjigjja ime ishte një po e madhe. Uroj t'ketë pasur sukses në operim, ndonëse nuk i njoh si familje.

Dhe veçantia këtu ishte që në këtë dhurim m'u bashkangjitën edhe disa studentë të mrekullueshëm të mjekësisë. Secili mësimdhënës që i plotëson kushtet shëndetësore duhet të dhurojë gjak dhe pse jo - bashkë me studentë. Sepse humanizmi nuk është vetëm në syllabuse e ligjërata. Ai duhet të dëshmohet fillimisht nga vetë ata që e promovojnë.

Fobia në dhurimin e gjakut tejkalohet lehtë, më besoni. Mua personalisht dhurimi i gjakut asnjë pasojë nuk më ka sjellë në shëndetin fizik ose emocional. Përkundrazi, shëndeti im organik dhe inteligjenca ime motorike funksionojnë shumë më mirë, madje edhe në dy sporte me të cilat merrem (Ping Pong dhe Hicking) ndihem më energjik. Gjithashtu më ndihmon të ndihem i lumtur, sepse dhurimi i gjakut e stimulon serotoninën (hormonin e lumturisë). Dhurimi i gjakut është antistres, rrit vetëvlerësimin dhe rrit mirëqenien tuaj.
Nëse në dhurimin e parë të gjakut jeni i sinqertë dhe serioz, do të jeni përherë dhurues. Nëse bëhesh dhurues gjaku, kjo tregon se ti je i fortë, sepse ke fuqinë për të shpëtuar jetë./EPIQENDRA.COM
Commenti